Po të pres…
--------------------------------------------------------------------------------
Malli më dogji, zemra më është copëtuar duke të pritur ty. Kaloi shumë kohë prej kur je larguar, por malli për ty në asnjë sekondë dhe minutë nuk u pakësua por vetëm që u shtua për ty i dashuri Im. Ende po pres dhe i numëroj ditët kur do të takohemi prap së paku edhe një herë.
Pritja për ty më thau edhe damarët e trupit, por nuk kam tjetër rrugëdalje pos të të pres me atë mallëngjim siç prit nëna fëmiun e vet pas një absence të gjatë, ashtu siç pret e dashura të dashurin e vet pas një kohe të gjatë, ashtu siç presim ardhjen e agimit në mëngjes, ashtu siç presim shërimin gjatë sëmundjeve.
Po të pres o shpresë e shpirtit tim, po të pres sikur çdoherë, po pres të më vish dhe të shfrytzoj çdo sekond, minutë, orë, ditë dhe javë me ty.
Po të pres se jam e mallëngjyer aq shumë sa që sytë më janë qorruar për ty, sa trupi im po të kërkon, mendja ime për ty ende po mendon dhe po ndiej shushurimën e ardhjes tënde në çdo vend e mua vetëm po më shtohet lumturia.
Po të pres ende në vendin e quajtur tokë, aty ku shpresat janë pjesë e pandashme e çdo njeriu, kurse ti je një shkëndije shprese në jetën time dhe për atë po të pres në netët e gjata të dimrit dhe netët e shkurta të verës, pasi jam etur për ty dhe të dua të vish sa më shpejt.
Po të pres në ditët e shkurta të dimrit që kaluan por më lodhën me pritjen për ty, ditët e gjata të verës më kanë lodhur se me anë të ngrohtit edhe shpirti u përmallua edhe më shumë, por ti i dashuri im ende nuk ke mundësi të vish.
Shumë po më mundon pritja, më rënkon zemra çdoherë që më kujtohesh dhe vetëm se i numëroj ditët edhe sa të kanë mbetur të më vish edhe vetëm një herë në jetën time i dashuri im, aq jam përmalluar sa nuk di se si të të tregoj gjithë atë që e ndjej në shpirtin tim.
Më kujtohet se si shkove dhe unë nuk kisha zemër të të them as lamtumirë, nuk e dija i dashuri im se a do të mundem të të takoj prap në këtë jetë të shkurtë. Më kujtohen netët e kaluara me ty , ëndrrat dhe lutjet që kisha në atë kohë që ishe bashkë me mua.
Më mbushe zemrën me aq shpresa sa asnjëherë nuk i kam pasur deri më atëherë, më mbushe jetën me vitalitet ,me dashuri, me sinqeritet me vullnet. Të kërkoja në netët e errëta të mbuluara me kompozicionin e yjeve gjigante në qiell, të kërkoja në ditët e gjata me buzët e thara duke pritur momentin që të shuaj etjen.
Kaluam kohë të paharruar së bashku , i dashuri im dhe kjo vetëm sa po me shton dhimbjen dhe po më bën pak sa të padurueshme në pritjen e gjatë që më duhet të pres deri sa të vish prap në përqafimin tim, në jetën time, të më biesh freskinë rinore, elanin e jetës, të më biesh buzëqeshjen në buzët e mija të cilat me ardhjen tënde do të thahen në ditët e gjata, por as që mërzitem, se e di se pse ndodh kjo.
Të pres të më biesh qetësinë e shpirtit tim, të më biesh lotët në sytë e mi të cilat dua ti derdhi kur jam bashkë me ty, meditimin që më çon të bëj kur jam me ty, leximin, bamirësinë, lëmoshën…
Se di kur jam me ty jam aq e lirë, e lehtë, e dashur, e mirë, e qetë në shpirt, e shoqëruar, më duket vetja se vetëm krahët më mungojnë që të fluturoj , për atë edhe po më mungon i dashuri im.
Dëshiroj edhe një herë ti përjetoj të gjtha këto me ty e InshaAllah edhe ti shtoj më tepër , pasi se nuk e di se edhe sa kohë do të jemi së bashku dhe më duhet ta shfytëzoj atë kohë që jam me ty deri në maximum, ashtu është jeta kur ti i dashuri im nuk mundet të qëndrosh çdoherë me mua.
Unë jam mësuar tashmë me ardhjen dhe shkuarjet e tua, kur vjen, zemra gati se me pëlcet nga dashuria, kurse kur largohesh përmallohem aq shumë dhe lutem në vehte që të të kem shfrytëzuar deri në maximum dhe të mos të kem humb asnjë sekondë, minutë, orë dhe ditë me ty.
Ehhhh, e gjatë është pritja por shpresa se do të jemi bashkë më zgjon shpresat dhe ashtu pritja ime dita - ditës po shkurtohet dhe është afruar takimi ynë i dashuri im dhe unë po të pres me gjithë mallin, me shpirtin, zemrën dhe trupin tim të përmalluar për ty me një mall të papërshkrueshëm.
E di se ju që lexoni këto rreshta jeni përmalluar gjatë leximit së bashku me mua, më duket se shoh, ndjej dhe lexoj mendimet e juaja, keni dëshirë të dini diç më shumë për të dashurin tim, për dashurinë time që jeton me vite në këtë mënyrë. Që vjen vetëm një herë në vit dhe më kënaq kur vjen në një mënyre që askush nuk din se si por shkon pa asnjë fije mëshire kur ti vijë koha e largimit, është paksa absurde, por kjo është realiteti i kësaj dashurie e cila jeton ende vit për vit.
Ju lutem mos më thoni se jam e çoroditur por unë ende e dua njëjtë sikur prej ditës së parë kur jam takuar me te dhe vetëm se më shtohet dashuria për te.
Tash do të ju tregoj misterin tim, kush është i dashuri im që gjithmonë kam pritur, e pres dhe InshaAllah do ta pres deri në ditën e fundit të jetës sime me të njëjtën dashuri me të njëjtin mallëngjim dhe me të njëjtat shpresa që unë ta shfrytëzoj sa më shumë dhe më gjatë:
- I dashuri im është, muaji i Ramazanit të cilin me të vërtetë e dua dhe i dëshiroj mirëseardhje prap në jetën time, në jetën tuaj dhe në jetën e secilit musliman që din për vlerën e këtij muaji.
Mirë se vjen dhe më lejo prap të kënaqem me ty dhe të shfrytzoj deri në maximum me ndihmën e Allahut Krijuesit të Gjithmëshirshëm.