Gëzohu, o agjërues!
Gëzohu, o agjërues se në Xhenet është një derë në të cilën nuk ka për të hyrë askush tjetër përveç teje!
Në emër të Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
E lusim Allahun, subhanehu ve teala, të na falë gabimet tona, të na pastrojë zemrat tona, të na pranojë agjërimin e këtij muaji të nderuar dhe të bëj që nga ky muaj të dalim me mëkate të shlyera sikur atë ditë që kemi lindur!
Salavatet dhe selamet qofshin mbi krijesën tonë më të dashur, Muhamedin, salAllahu alejhi ve selem, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që e kanë pasuar dhe do ta pasojnë rrugën e tij!
Jemi në prag të kalimit të një muaji të Madhërishëm dhe aq sa pikëllohemi që po kalon ky muaj në të cilin kemi bërë ibadet dhe kemi agjëruar për hir të Allahut, aq edhe po gëzohemi se shpresojmë se Allahu do të na falë mëkatet dhe do të na shpërblejë për adhurimin që ia kemi bërë Atij në këtë muaj.
Ky muaj kaloi si për agjëruesin ashtu edhe për mosagjëruesin. Ditët shkuan për të dy njëlloj mirëpo te këta është një dallim sikur midis qiellit dhe tokës, për ta është një dallim që s’mund përshkruhet e veç Allahu e din.
Gëzohu agjërues për sabrin që e ke bërë! Gëzohu për shpërblimin që ty Allahu ka për ta dhuruar!
Gëzohu, se Allahu, subhanhehu ve teala, agjërimin e ka zgjedhur për vete dhe Ai shpërblen për të.
Pejgamberi, salAllahu alejhi ve selem, ka treguar në një hadith kudsij se Allahu thotë:
''Agjërimi është i Imi dhe Unë jam Ai që e jep shpërblimin për të.'' (Transmeton Buhariu: 1904)
SubhanAllah! Nimet i madh o ju që keni bërë durim në këtë muaj, o ju që e keni falënderuar Allahun në këtë muaj, o ju që jeni larguar nga ushqimi dhe pija në këtë muaj me besim në Allahun duke shpresuar shpërblimin e Tij. Gëzohuni për shpërblimin që ju ka premtuar Allahu për shpërblimin pa llogari!
“Vlera e agjërimit nuk ka kompensim”.
Gëzohu o agjërues, se inshaAllah duaja jote është pranuar! Gëzohu me hadithin e Muhamedit salAllahu alejhi ve selem:
''Lutja e agjëruesit nuk refuzohet.”
(Bejhekiu: 3/345/, gjithashtu gjendet në Es-Silsiletus-sahihati:1797)
Për gëzimin tënd në këtë muaj të madhërishëm ka treguar Muhamedi, salAllahu alejhi ve selem, i cili ka thënë:
''... e ai që agjëron ka dy gëzime: kur han iftarin dhe kur takohet me Zotin e vet''
(Transmeton Muslimi)
Gëzohu, o agjërues i nderuar se agjërimi yt do të ndërmjetësojë atë ditë që nuk bën dobi as nëna e as baba, atë ditë që nëna se ka hallin e fëmijës së vet, atë ditë kur gruaja shtatzënë hedh barrën e saj, atë ditë që s’ka ndërmjetësim as me para e as me pasuri! SubhanAllah! Gëzohu, se atë ditë ndërmjetëson agjërimi për ty!
Muhamedi, salAllahu alejhi ve selem, ka thënë:
''Për robin Ditën e Kiametit thotë (agjërimi): o Zot ai është ndaluar nga ushqimet dhe epshet e tij ditën, atëherë më lejo të jem ndërmjetësues i tij''. (Transmeton Ahmedi, 2/174)
Gëzohu, o agjërues, se ty Allahu inshaAllah do ta largojë fytyrën nga zjarri për një ditë 70 pranvera, kurse ti je agjërues i gjithë Ramazanit!
Muhamedi, salAllahu alejhi ve selem, ka thënë:
''Ai i cili agjëron një ditë në rrugën e Allahut, Allahu i Lartësuar ia largon (për këtë ditë) fytyrën e tij nga zjarri shtatëdhjetë pranvera.'' (Transmeton Muslimi, 2/807)
Gëzohu, o agjërues se në Xhenet është një derë në të cilën nuk ka për të hyrë askush tjetër përveç teje!
Vërtet në Xhenet është një derë, e cila quhet Rejjan, nëpër të cilën do të hyjnë Ditën e Gjykimit vetëm ata që agjërojnë, nëpër atë derë të tjerët nuk do të hyjnë. Do të thirret në atë derë: ku janë agjëruesit. Do të çohen agjëruesit dhe nuk do të mund tjetërkush të hyjë nga kjo derë, e pasi të hyjnë agjëruesit dera do të mbyllet e nuk do të mund të hyjë në të askush tjetër.” (Transmetohet Buhariu: 1797)
Gëzohuni, ju o agjërues, se ju kaluat një natë që është më e vlefshme se një mijë muaj!
Gëzohuni ju agjërues, se inshaAllah Allahu ju ka shlyer mëkatet! Muhamedi, salAllahu alejhi ve selem, ka thënë:
''Ai cili e agjëron muajin e Ramazanit me besim dhe sinqeritet, i falen mëkatet e mëparshme.” (Transmeton Buhariu)
Lus Allahun që të gjithë agjëruesve që kanë agjëruar me sinqeritet dhe besim t’ua falë mëkatet dhe të dalim nga ky agjërim sikur atë ditë që kemi lindur pa mëkate!
Ju uroj të gjithë agjëruesve Bajramin! Sepse vërtet Bajrami për agjëruesin është festë dhe gëzim se shpreson tek Allahu ta shpërblejë, t’ia pranojë agjërimin, t’ia pranojë lutjet dhe t’ia falë mëkatet!