Propozimin e BDI-së për përfshirjen e Uashingtonit në zgjidhjen e
kontestit rreth emrit me Greqinë, ish-shefi i diplomacisë, Denko Maleski
e vlerëson të pa bazë. Sipas tij, amerikanët ndërhyjnë vetëm në rast të
eskalimit të ndonjë konflikti, të ngjashëm me atë të vitit 2001, apo
nëse rrezikohen interesat e tyre.
“Ata intervenojnë si në rastet e
vitit 2001 kur kishte luftë, apo thjesht kur interesat e tyre në Evropë
ishin të kërcënuara. Duke u bazuar në këtë nuk jam i sigurt se do të
kishte një reagim të këtillë lidhur me këtë rast. Pra, ndërhyrje mund të
ketë vetëm nëse ndodh ndonjë krizë në Maqedoni që mund të vinte si
pasojë e zhvillimeve ekonomike, sociale, ndëretnike apo të ndonjë krize
mes partive politike. Mirëpo në mungesë të kësaj të huajt nuk do të
dëshirojnë të përfshihen aq thellë duke e ditur kompleksivitetin e
problemit”, deklaroi, Denko Maleski, profesor universitar.
Maleski
thotë se kontesti rreth emrit mund të zgjidhet nëse ekziston një
konsensus i gjerë politik, por për këtë mungon vullneti politik si nga
qeveria aktuale ashtu edhe nga partitë politike. Profesori universitar
dhe ish diplomati, Denko Maleski, nuk beson edhe në parashikimet e
analistit të njohur britanik, Tim Xhuda se në vitin 2011 zgjidhja e
kontestit reth emrit do të jetë surprizë për Maqedoninë. Maleski thotë
se çështja është shumë kompleske për faktin e përfshirjes së vendit në
të kaluarën antike që do të prodhoj reagime dhe ndasi edhe më të mëdha
me Greqinë pas përfundimit të projektit për ngritjen e përmendores së
Aleksandrit të Madh në sheshin e Shkupit.
“Ky parashikim i këtij
analisti britanik dhe ballkanik duket i pabesueshëm. Bëhet fjalë për një
situatë, një dramë antike që duhet të luhet deri në fund të vitit me
vendosjen e përmendores së Aleksandrit të Madh e më pas të filloj një
reagim nga ana e Greqisë. Ai është një problem mjaft delikat, serioz për
të cilin mungon dialog i brendshëm në vend, atë problem nuk mund ta
zgjidh as Kryeministri, as Presidenti i shtetit apo Ministri i punëve të
jashtëm, nëse nuk ekziston një konsensus i brendshëm. Atë konsensus
mund ta ndërtojnë vetëm politikan dhe elita politike të cilët e din ku
të ndalojnë në procesin e zhdukjes reciproke. Ata që nuk din ku të
ndalojnë, ata që politikën e kuptojnë si luftë për jetë dhe vdekje, nuk
janë në situatë të marrin vendime të rëndësishme për shtetin”, theksoi
Denko Maleski, profesor universitar.
Ndërkohë sa i përket takimit të9
shkurtit, Maleski thotë ai do të mbahet me iniciativë të palës
maqedonase sa për të dëshmuar para bashkësisë ndërkombëtare dhe
opinionit të brendshëm se po punon në zgjidhjen e kontestit. Nga ky
takim, Maleski nuk pret asnjë rezultat ashtu siç nuk kishte edhe në
takimet e vitit të kaluar.
Bedri Rexhallari