Xhamia
“Mashid Nur al Islam” në Bronx të Nju Jorkut u mbush plot me besimtarë
për lutjet tradicionale të së premtes, por edhe pse nuk kishte më vend
brenda, një grup të rinjsh vendosën t’i kryenin lutjet e tyre jashtë
në rrugë, në mesin e të ftohtit dhe dëborës.
Një shtresë e trashë debore prej gati 50 centimetrash mbuloi Nju
Jork City-n të enjten, pothuajse po aq sa ajo e fundjavës së
Krishtlindjeve që e paralizoi qytetin krejtësisht.
Pas pirgjeve të saj, besimtarët dëgjonin lutjet e imamit, që mbërrinin deri jashtë xhamisë falë një megafoni.
Godina e vogël nuk ka vend për më shumë se 300 vetë dhe sidomos të
premteve, mbushet plot. Por për të devotshmit, vendi ka pak rëndësi.
“Nuk ka rëndësi, bie shi, borë apo bën furtunë përjashta, ne prapë do
të vijmë. E gjitha ka të bëjë me vendosmërinë e njeriut, kur duam një
gjë, e bëjmë pavarësisht kushteve”, është shprehur një besimtar.
Dikur shumë e vogël në numër, popullsia myslimane në Shtetet e Bashkuara ka ardhur në rritje.
Myslimanët e lindur të tillë janë kryesisht afro-amerikanë, ndërsa
dekadat e fundit është vënë re një shtim i ndjeshëm i numrit të të
konvertuarve në fenë islame.
Në të gjithë territorin amerikan numërohen rreth 1200 xhami, më e madhja e të cilave ndodhet në Dearborn të Michiganit.
Ajo u rindërtua në 2005-n, për të akomoduar mbi 3 mijë persona, si përgjigje ndaj shtimit të popullsisë myslimane në rajon.
(TCH)