Presidenti afgan, Hamid Karzai iu drejtua sërish talebanëve dhe grupeve të tjera të armatosura në vend duke i ftuar të bashkohen në procesin e paqes dhe të ndërpresin shkatërrimin e vendit, sipas
agjencisë së shtypit “Pajhwok”.
Në një mesazh transmetuar në radion kombëtare, kreu i shtetit u kërkoi kundërshtarëve të tij të punojnë në mënyrë të tillë që me kontributin e tyre të bëhej e mundur përgatitja e rrugës për tërheqjen e
trupave të huaja që ndodhen prej 10 vjetësh në Afganistan.
”U drejtohem atyre që janë duke vrarë afganë dhe që janë duke shkatërruar vendin t’i japin fund gjakderdhjes dhe t’i kthehen jetës normale’, deklaron Karzai.
Talebanët nga ana e tyre mbështesin idenë se nuk përkrahin asnjë negociatë deri sa trupat e huaja të largohen pa kushte nga vendi.
Disa ditë më parë, Karzai nisi zyrtarisht procesin e transferimit të kontrollit të territorit kombëtar nga Forca Ndërkombëtare e Asistencës për Siguri (ISAF) tek ushtria dhe policia afgane në shtatë rajone të
vendit.
Nga ana tjetër, një zyrtar i Këshillit të Lartë për Paqen, i ngritur vitin e kaluar për të lehtësuar dialogun me opozitën e armatosur, ka deklaruar se transferimi i përgjegjësisë për sigurinë pritet të ketë një
impakt pozitiv në procesin e pajtimit kombëtar.
(TRT)