Beqaj: Politikanët, më të rrezikshëm se feja
Për analistin politik, Behlul Beqaj, në Kosovë më të rrezikshëm janë politikanët sesa futja e Edukatës fetare në shkolla.
Në një deklaratë tij për gazetën Kosova Sot, Beqaj ka konstatuar se e gjithë kasta politike e Kosovës po sillet me një lloj kompleksiteti sa i përket deklarimit dhe identifikimit me besimin fetar, që ka si shumicë popullata e Kosovës, diçka që nuk është mirë për një klasë politike të qytetëruar.
“Besoj se shumica e parlamentarëve në krye me kryeministrin, po sillen sikur të ishin kompleksuar pse i takojnë besimit fetar mysliman. Është një periudhë e gjatë që po bëhet një presion ndaj myslimanëve, duke i barazuar me radikalët islamë”, ka thënë, Beqaj.
Sipas tij, në këtë kuptim edhe disa diskutues “përdoren fjalor të papranueshëm dhe ofenduese kundër kërkesës së BIK-ut, ndonëse në parlament ka pasur kërkesa dhe janë marrë vendime edhe shumë më radikale se që do të ishte mpimi fakultativ i edukatës fetare nëpër shkolla”.
“Unitetin kombëtarë më shumë e rrezikojnë partitë politike me qëndrime dhe vendime antikombëtare, se sa mësimi eventual i edukatës fetare. Feja historikisht është dëshmuar e dëmshme etëm kur ishte në funksion të politikës, e jo edukimit”, ka thënë Beqaj.
Por, Ardian Gjini, deputet i AAK-së, ka thënë për gazetën se nuk ka fyer askënd në debatin e tij parlamentar,
“Mendoj se Kosova është një shtet i ri që po synon për të ndërtuar demokracinë dhe vendimet e deputetëve ose qëndrimet dhe mendimet tona, nuk kanë nevojë ta tensionojnë situatën. Nëse dikush tensionohet pse ne po mendojmë kështu qysh po mendojmë, atëherë ne nuk po mendojmë të ndërtojmë shoqëri demokratike”, ka thënë Gjini.
“Sikur t’i kishim fyer ndjenjat islame do ta kishim fyer vetveten sepse edhe unë jam mysliman fillimisht, edhe me sa më kujtohet mua asnjë fjalë, asnjë prej deputetëve nuk e ka fyer asnjërën prej feve”, ka konsideruar Gjini.
Megjithatë, ndryshe mendon deputeti i Partisë së Drejtësisë, Gzim Kelmendi i cili thotë se myftiu Naim Tërnava ka pasur të drejtë.
“Më të drejtë myftiu i Kosovës, Naim Tërnava i cili është përfaqësues legjitim i besimtarëve myslimanë të Kosovës , udhëheq institucionin legjitim BIK-un, ka pasur të drejtë kur ka deklaruar se është bërë fyerje e ndjenjave të myslimanëve të Kosovës, ngase është vërejtur qartë në seancën e 29 gushtit mllefi ndaj kërkesave të BIK-ut, nuk është dhënë asnjë arsyetim legjitim pse nuk duhet të jetë edukata fetare pjesë e procesit mësimor, por vetëm kanë thënë se nuk duhet”, tha Kelmendi.