Paqa, mëshira dhe bekimi i Allahut qoftë mbi ju
I nderuari shejh, po j’ua paraqesim çështjen në vazhdim dhe shpesojmë se do të marrim mendim nga ju për çështjen në fjalë dhe se do të na udhëzoni në rrugën e drejtë:
Ne drejtojmë një kompani turistike e cila vepron në fushën e hotelerisë dhe fshatrave turistike. Ne posedojmë disa hotele dhe fshatra turistike, dhe ne nga ana jonë nuk u ofrojmë pije alkoolike klientëve tonë edhe pse për këtë kemi leje për të shërbyer alkool nga organet shtetërore. Mirëpo, marrë parasyshë natyrën e punës tonë, shumë nga klientët kërkojnë pije alkoolike, e marrë parasyshë se ne nuk ofrojmë pije alkoolike, numri i vizitorëve ka pësuar rënie, bile shumë nga turistët e huaj së pari e vënë kusht të shërbehen me pije alkoolike. Ka një ofertë që një person prej jashtë kompanisë-që nuk i takon kompanisë tonë- të blejë vetë pije alkoolike dhe t’i shërbejë vizitorët në hotel. Në këtë mënyrë, blerja, shitja, shërbimi dhe mbikëqyrja e kësaj pune do të jetë nga ana e këtij personi (duke e vënë në këtë mënyrë jashtë rrethit tonë). Nga ana tjetër kompania jonë nuk do të merr asnji kompenzim për këtë shërbim dhe nuk do të kërkojë asgjë prej personit në fjalë.
Ne patëm nderin që të takohemi me Shejhu-l-Ez’herin dhe kërkuam mendim prej tij se si të veprojmë në rastin tonë. Ai ishte i mendimit se nuk kemi ne mëkat për këtë veprim derisa jemi jashtë shërbimit të pijeve alkoolike.
Mirëpo, pasi deshëm të jemi të sigurtë dhe të jemi larg dyshimeve, e pamë të arsyeshme t’i drejtohemi të nderuarit Dr.Nasr Ferid Vasil, mufti i Egjiptit, dhe ta pyesim se sa është e lejuar kjo punë që e bëjmë ne dhe a është e drejtë fetvaja që na është dhënë. Muftiu na ktheu përgjigje se ky veprim me çështjen e pijeve alkoolike nuk është i lejuar, dhe ne me këtë veprim biem në haram.
Tash, para nesh janë dy mendime, dhe jemi në konfuzion, nuk e dimë cilin mendim ta marrim. Nisur nga kjo, e pamë të arsyeshme t’u drejtohemi ju, ngase jemi jeni të njohur me një diapazon të gjërë të dijeve dhe qëndrime largpamëse, që të na tregoni mendimin më të drejtë.
Allahu ju shpërpbleftë me të mirat më të mëdha për atë që bëni për ne dhe për të gjithë muslimanët.
Pranoni respektin tonë më të lartë.
KRYETARI I BORDIT DREJTUES
Ahmed Atijje
PËRGJIGJA
I nderuari vëlla, profesor Ahmed Atijje, drejtor i bordit të kompanisë turistike “Egypt Honofil”, paqa, mëshira dhe bekimi i Allahut qoftë mbi ju (Esselamu alejkum ve rahmetullahi ve berekatuhu).
Islami ka një metodologji të njohur të luftimit të të keqes dhe degjenerimit, e që bazohet në kufizimin dhe mbylljen e dyerve të tyre në çdo mënyrë. Së këtejmi, Islami nuk mjaftoi vetëm me ndalimin e të keqes dhe të sherrit, por i ndaloi të gjitha gjërat që çojnë në këto të këqija apo ndihmojnë për këto të këqija. Nisur nga kjo, përkitazi me hallallin dhe haramin prej rregullave dhe parimeve bazë konsiderohet edhe parimi: ”Çdo gjë që çon në haram, është haram”.
Argument për këtë parim është ajeti: "Juve u është shpallur në librin (Kur’anin) që, kur të dëgjoni se po mohohet Kur’ani i Allahut dhe po bëhet tallje me të, mos rrini me ata derisa të mos hyjnë në bisedë tjetër. Përndryshe, ju do të jeni si ata. Allahu do t’i tubojë tradhtarët dhe jobesimtarët që të gjithë në xhehenem (140)".
Në kohën e kalifit të dytë Omer ibn Hattab, atij i sollën disa njerëz të cilët kishin pirë verë për t’ua ekzekutuar masën ndëshkuese për dehje. Me këtë rast, i thanë: ”O udhëheqës i besimtarëve, në mesin e tyre ka një person i cili nuk ka pirë verë me ta, por thjesht vetëm ka qenë në mesin e tyre, bile ai është agjërueshëm!” Omeri r.a. tha: ”Mu me atë filloni”, dhe e lexoi ajetin e mësipërm: "Përndryshe, ju do të jeni si ata...".
I Dërguari i Allahut s.a.v.s. nuk e mallkoi vetëm atë që e ha kamatën, por bashkë me të janë mallkuar edhe ata që e japin, që e shkruajnë dhe që e dëshmojnë kamatën. Për ta ka thënë:Ata janë të njejtë. Po ashtu, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. nuk e ka mallkuar vetëm atë që e pi verën, por për rastin e verës ka mallkuar dhjetë vetë, në mesin e të cilëve janë edhe atë që e bart dhe atë të cilit i jepet. Në fakt, aludohet në çdo kend që ndihmon për pirjen e verës.
Marrë parasyshë këtë, ju me mundësimin e pirjes së alkoolit në hotelet tuaja, ndihmoni që të pihet dhe të tregtohet për shkak të përfitimeve materiale dhe intereseve të përkohëshme të kësaj bote.
Atë që e ka thënë muftiu i Egjiptit është qëndrim i saktë, ngase ndërtohet mbi të kuptuar të drejtë të parimeve fetare.
E lus Allahun e Madhërishëm që t’ua bëjë të mjaftueshëm hallallin në vend të haramit, t’ju bëjë të jeni të nënshtruar ndaj Tij e mos të bini në mëkate dhe të mjaftoheni me të mirat e Tij.
Paqa, mëshira dhe bekimi i Allahut qoftë mbi ju (Esselamu alejkum ve rahmetullahi ve berekatuhu).