Kryeministri turk Rexhep Tajip Erdogan ka deklaruar se pija kombëtare e Turqisë nuk është as birra e as rakia, por ajrani
"Birra, për fat të keq, është paraqitur si pije kombëtare, edhe pse nuk është. Pija jonë është ajrani", tha Erdogan, duke menduar për pijen freskuese e cila përfitohet nga uji, kosi dhe kripa, dhe e cila në të shumtën e rasteve konsumohet me mish. Ai këtë e tha gjatë hapjes së simpoziumit në Stamboll për politikën globale mbi alkoolin.
Erdogan përkujtoi se gjatë qeverisjes së seklaristëve, të cilët sot janë opozitë, promovimi i alkoolit është bërë përmes propagandës. "Nuk ekzistonë ndonjë mënyrë që ta ndaloni konsumimin e alkoolit si formë të jetës. Alkooli nuk i sjellë asnjë të mirë shoqërisë, por përkundrazi e dëmton shoqërinë", tha Erdogan.
Menjëherë pas deklaratës së Erdoganit, rrjetet sociale janë vërshuar me komente të muslimanëve konservatorë në njërën anë dhe sekularistëve në tjetrën.
Sekullaristët pretendojnë se pija kombëtare është rakia, sepse edhe "babai i Turqisë moderne” Kemal Ataturku ka konsumuar këtë pije dhe shpeshherë është fotografuar me gotë në dorë.
Konservatorët thonë se ajrani është pije kombëtare, sepse pihet edhe në xhamia. Ka shumë njerëz që mendojnë se me deklarata të tilla Erdogani po ndërhynë në jetën private të qytetarëve.
Kundërshtarët e Erdogan pretendojnë se qeveria e tij, e cila i ka rrënjët në Islamin politik, minon themelet sekulare të Turqisë, ndërsa tregimi për alkoolin është vetëm një aspekt i problemit.