Kurban Bajrami, një ditë pranë Zotit
Publikuar me: 7 Nentor, 2011 | 01:02
Qengji është simbol i Kurban Bajramit, një festë e besimtarëve myslimanë kushtuar Zotit. Sipas zakonit, çdo mysliman i mirë, sipas mundësive, i ofron Allahut gjakun e një bagëtie.
Që në orët e para të ditës, pa zbardhur ende mirë, kur nga xhamia vjen përshëndetja e parë “Zoti është më i madhi…”, besimtari mysliman therr bagëtinë, duke lënë gjakun e saj të derdhet përtokë, rit ky që kryhet çdo vit dhe që është i trashëguar në shekuj.
Ashtu si për çdo festë tjetër, edhe këtë herë tregtarët janë ata më të paduruarit dhe më të fituarit. Në një dyqan të vogël mishi pranë Pazarit të Ri, kasapi Sajmir Aga thotë se mishi ka mbaruar.
“Mishi ka mbaruar, nuk ka as mish qengji, as mish viçi”, që sipas tij, ka qënë mishi më i parapëlqyer nga shqiptarët në këtë ditë feste.
“Duke filluar nga dje kam shitur mbi 30 qengja”, shprehet i kënaqur Sajmiri, duke pohuar se nuk ka pasur rritje të çmimit të mishit, i cili ka patur të njëjtën vlerë rreth 800 lekë, ashtu sikurse edhe ditët e tjera.
Të kënaqur në këtë ditë feste janë edhe tregtarët e pulave të detit, të cilët tregojnë se “shqiptarët në festën e Bajramit kanë preferuar të blejnë edhe mish pule, e cila është me çmimin rreth 700 lekë kg”.
Të njëjtën gjë konfirmojnë edhe tregtarët e frutave dhe perimeve. “Sot dita ka qënë paksa më e ngarkuar se të tjerat, qytetarët kanë blerë fruta e perime, me të cilat mbushet tavolina për këtë festë të shënuar”, thotë Drita, shitëse në tregun e frutave perimeve në Tiranë.
Sipas saj, frutat dhe perimet më të parapëlqyera janë frutat e stinës, si portokalle, mandarina, mollë, etj.
Festa e Kurban Bajramit është festa më e madhe e bësimtarëve myslimanë, pas Ramazanit. Kurban Bajrami është dita e mëshirës, të faljes, mirëkuptimit, mirësisë, vëllazërimit dhe paqes. Sipas fesë myslimane, riti i faljes së Bajramit të Madh konsiston në dy momente; e para është lutja nëpërmjet të cilës shprehet adhurimi për Zotin dhe më pas vjen predikimi.
Në orët e paradites, të pastruar e me rrobat më të mira, besimtarët iu drejtuan xhamive, ku iu lutën zotit, ndërsa në drekë e gjithë familja do të festojë me mishin e pjekur të flisë.
Disa vite më parë, kur besimi fetar ishte i ndaluar në Shqipëri, ritet fetare kremtoheshin fshehurazi. Ndonëse pa bujë, në shumë familje tradicionale, shqiptarët i kushtonin një fond të veçantë kremtimit të kësaj feste.
Kurban Bajrami, tashmë një ditë feste zyrtare, kremtohet prej vitesh nga të gjithë shqiptarët, pa harruar këtu devotshmërinë e besimtarëve myslimanë në këtë ditë, e cila shënon flijimin dhe sakrificën e njeriut në emër të besimit te Zotit, në emër të dashurisë për njeriun.
Urimi ynë!
Të nderuar vëllezër e motra,
Të dashur lexues,
Ja dhe na erdhi festa e dytë e vitit për muslimanët, respektivisht festa e Bajramit të Kurbanit, apo siç njihet në mesin e popullatës sonë si Kurban-bajrami. Ne si redaksi ju urojmë çdo të mirë në jetë, lumturi dhe begati, falje e mëshirë, dashuri dhe unitet, përparim e zhvillim sa më të mirë! Allahu qoftë me të gjithë ne i kënaqur, sidomos me ata që kryejnë Haxhin dhe therin kurbanin. Urime të gjithëve dhe e gëzofshi më të gjithë familjen tuaj këtë festë madhështore islame. Urime edhe njëherë për stafin tonë dhe për të gjithë lexuesit tanë!
Na priftë e mbara!
Suksese!
Portali Breziiri.com