Vetëvritet “profetja” e rreme
“Më mirë të vras veten se të le tokën e shenjtë”. Këto ishin disa nga fjalët e të vetshpallurës shenjtorja Eleonorë në letrën të cilën ajo e shkroi para aktit të vetvrasjes. Eleonora Bregu, themeluesja e sektit fetar “Fondacioni Eleonorë”, i ka dhënë fund jetës nëpërmjet një goditje me pistoletë tip TT.
Akti i vetflijimit ka ndodhur mbëmjen e së martës në zonën e selitës në Tiranë, në banesën e të ndjerës, banesë e cila ndodhej pranë rezidencës së sektit fetar. Nga hetimet e policisë mësohet se shkak i vetflijimit të Bregut është konflikti i pronësisë që ajo kishte me familjen Vorpsi për truallin në të cilin ajo kishte ndërtuar rezidencën e "Fondacionit Eleonorë", tokë të cilën ajo e quante të shenjtë. Prej vitesh familja Vorpsi pretendonte për pronësinë e territorit në bazë të dokumentacionit që ata zotërojnë ndërsa sipas tyre e ndjera e ka ndërtuar rezidencën e fondacionit në mënyrë të jashtligjshme.
Trupi i pajetë është gjetur nga vajza e saj, ndërsa aty pranë ka qenë edhe roja i godinës fetare i cili pasi ka dëgjuar krismën e armës është afruar në brendësi të banesës. Në vendngjarje kanë shkuar forcat e komisariatit numër 2 të Tiranës ndërsa kanë nisur ekpertizën e armës së vetflijimit si dhe të një gëzhojë, ndërsa trupi i viktimës i është nënshtruar ekspertizës mjekoligjore.
Ndërkohë pak vite më parë e vetshpallura shenjtorja Eleonorë u bë protagoniste e një skandali kur njoftoi në polici se disa persona u përpoqën ta helmonin në gjumë, njoftim i cili rezultoi më pas i rremë./albeu/