Një xhami në Mogadishu të Somalisë me emrin e hoxhë Jakup Asipit nga fshati Sllupçan i Kumanovës. Xhamia “Jakup Asipi” në kryeqytetin e Somalisë është përuruar nga zëvendëskryeministri i Turqisë, Bekir Bozdagj, zëvendëskryetari i shoqatës humanitare turke IHH, Murat Kavakdan, si dhe nga kryetari i Agjencisë turke për zhvillim dhe bashkëpunim “TIKA”, Serdar Çam. Vendimi për emërimin e xhamisë në Mogadishu me emrin e hoxhë Jakup Asipit ka ardhur nga kreu i IHHsë, i cili ka vlerësuar se “vepra, puna dhe përhapja e dijes së Jakup Asipit ka lënë gjurmë të pashlyera edhe tek njerëzit jashtë vendit ku ai ka vepruar”.
Xhamia “Jakup Asipi” me kapacitet prej 450 personave është ndërtuar me ndihmën e mjete nga fondacioni IHH, anëtarë i së cilës edhe ka qenë vet hoxha nga Sllupçani. “IHH ka kryer përpjekje dhe projekte humanitare duke patur për qëllim zhvillimin e Somalisë për rreth një dekade. Fondacioni, i cili ka përshpejtuar përpjekjet e tij në vend si pasojë e një thatësire verën e kaluar që ka prekur qindra mijë njerëz, ka kryer edhe një gamë të gjerë të projekteve në Somali, duke përfshirë shpërndarje të ushqimit, hapjen e puseve për ujë, ofrimin e shërbimeve mjekësore dhe punësim për vendasit. Duke zhvilluar projekte për të kënaqur nevojat e njerëzve në rajon dhe duke siguruar vende pune për vendasit, IHH gjithashtu ka hapur xhami në lagjet e goditura nga varfëria në mënyrë që njerëzit të kenë vend ku të kryejnë lutjet e tyre. Sot, një xhami e tillë është edhe kjo ‘Jakup Asipi’”, ka thënë në fjalën e tij, zëvendëskryeministri i Qeverisë së Turqisë, Bekir Bozdagj.
Xhamia “Jakup Asipi” është e ndërtuar në lagjen “Raxho”, rajoni Xhazira në Mogadishu. Para ceremonisë, zëvendëskryeministri Bozdagj ka pranuar informata të detajuara nga zyrtarë të IHH për përpjekjet humanitare të fondacionit në rajon dhe ka falënderuar IHH për shërbimin e tij në vend deri tani. Duke mbajtur një fjalim të shkurtër gjatë ceremonisë, Bozdagj tha se IHH ka vënë themelin e një jetimore të madhe në rajon dhe se gurë themeli i kësaj jetimore është vënë nga vet ai. Në ceremoninë e inaugurimit të xhamisë “Jap Asipi”, gjithashtu ka marrë pjesë edhe ambasadori i Turqisë në Somali, Kani Korun, dhe zyrtarë nga Turkish Airlines (THY), dhe Drejtoria e Hënës së kuqe turke dhe Çështjeve fetare. Ndryshe, Jakup Asipi u lind në fshatin Sllupçan më 2 shkurt 1951, shkollimin fillor e kreu në vendlindje, shkollimin e mesëm e kreu në Damask të Sirisë në medresenë “El- Furkan” në vitin 1980.
Studimet i kreu në universitetin e famshëm Al-Az’har, në fakultetin e bazave të Fesë Islame të Egjiptit në vitin 1985, ndërsa studimet postdiplomike i vazhdoi në Bejrut të Libanit. Gjatë viteve 1985-1990 punoi si imam në një xhami në Leverkusen të Gjermanisë, ku ka dhënë kontribut të çmueshëm në kultivimin e vlerave fetare, morale, kulturore e kombëtare. Nga viti 1991 është imami kryesor në fshatin Sllupçan. Në vitin 2001, gjatë luftës në Maqedoni, Jakup Asipi paraqitet si njëri ndër strategët kryesorë në organizimin dhe përkrahjen e luftës, ndërkohë që në vitin 2003, në zgjedhjet e rregullta të Bashkësisë Islame në Kumanovë, u zgjodh myfti për Komunën e Kumanovës dhe Likovës. Më 7 janar 2006, në një aksident trafiku në magjistralen Shkup-Kumanovë, ndërron jetë. Me të njëjtin emër – “Jakup Asipi”, në dy fshatra të Somalisë gjenden edhe dy puse për ujë të pijshëm, të ndihmuar financiarisht nga Shoqata Edukative “Vllaznia” nga Kumanova.