Admin Administrator
Numri i postimeve : 8520 Data e regjistrimit : 02/07/2009 Mosha : 42 Nacionaliteti-Sheti : Tetovë-Maqedoni
| Titulli: Kërpudha helmuese që lufton kancerin Mon 9 Apr 2012 - 11:17 | |
| Një kërpudhë e njohur si vdekjeprurëse është në gjendje që me helmin e saj të ndalojë shumëfishimin e qelizave kancerogjene, sugjeron një studim i fundit. Bëhet fjalë për kërpudhën famëkeqe 'Amanita falloide', e cila bëhet shkak për disa vdekje që ndodhin çdo vit si rezultat i pakujdesisë në konsumimin e saj. Kjo kërpudhë përmban një helm shumë të fuqishëm, i aftë për të shkaktuar vdekjen e kujtdo që e konsumon. Por ky helm vdekjeprurës duket të jetë mjaft i dobishëm për ata që janë prekur nga një tjetër agjent potencial po aq vdekjeprurës, kanceri. Hulumtuesit gjermanë të Qendrës Studimore mbi Kancerin, kanë zbuluar se tek 'Amanita falloide' ekziston një lloj helmi i cili është në gjendje të shkatërrojë dhe të ndalojë rritjen e qelizave tumorale të llojeve të ndryshme të kancerit, të tilla si prostatës, gjirit, zorrës së trashë etj. Studiuesit e testuan efektin e helmit te disa qeliza tumorale të llojeve të ndryshme, duke parë se si toksina ishte në gjendje të vriste qelizat e kancerit pa shkaktuar dëme në organizëm. Sekreti i suksesit qëndronte në vendosjen e përbërësit toksik drejtpërdrejt në qelizat e sëmura. Për të realizuar këtë, studiuesit shfrytëzuan një antikorp të veçantë që shërben për të kapur një proteinë e cila gjendet në sipërfaqe të qelizave tumorale. Në këtë mënyrë, ata ishin në gjendje që ta dërgonin helmin në "adresën" e duhur, për të sulmuar më pas qelizat e kancerit pa dëmtuar qelizat normale. Gjatë testeve në qelizat e kultivuara në vitro, helmi ishte efektiv në asgjësimin e qelizave të sëmura. Kur e njëjta provë u bë te minjtë, u vu re se në injeksionin e parë të helmit ngadalësohej zhvillimi i qelizave tumorale, ndërsa përmes një injeksioni të dytë vihej re një regres deri në 90 për qind i tumorit. Nëse studimet e mëtejshme do të konfirmojnë rezultatet premtuese të këtij studimi, atëherë hapen mundësi të reja në luftën kundër kancerit, duke përdorur metoda që kanë më pak efekte anësore tek shëndeti i njeriut. | |
|