Prekja
e nderit të turqve lahet me gjak. Këtë gjë është ngarkuar t’ua bëjë të
qartë izraelitëve Polat Alemdar, hero i filmit “Lugina e
ujqve-Palestina”. Sipas afisheve të vendosura në të gjitha kinematë e
Turqisë që nga e premtja e kaluar, aventurat e tij të reja e çojnë në
Izrael për t’u hakmarrë për nëntë viktimat turke të “Mavi Marmara” –
anija që ishte sulmuar nga Cahali (ushtria izraelite) në muajin maj të
vitit të kaluar.
Aksioni i “Rambos turk” patjetër që do të ndikojë në ftohjen e
mëtutjeshme të marrëdhënieve ndërmjet Turqisë e Izraelit, të cilat janë
dëmtuar në masën më të madhe që nga sulmi i forcave speciale izraelite
kundër flotiljes së huazuar nga një OJQ turke, e cila po dërgonte
ndihma për popullatën e Gazës.
Në rolin e ri, Alemdar shkon në Jerusalem për të vrarë komandantin
Moshe Ben Eliezer, përgjegjës sipas filmit për bataren në anijen “Mavi
Marmara”. Betejë pas beteje, ai në fund do ta ketë në dorë oficerin e
poshtër, urrejtja e të cilit për palestinezët është e pashoqe.
Ai ishte aq mizor saqë kishte urdhëruar shkatërrimin e një shtëpie,
duke e lënë nën gërmadha një vogëlush sakat. Në ndërkohë, agjenti
sekret kishte fituar përkrahjen e masës palestineze, duke qenë
flamurtar i antisionizmit. Ndërsa, një ushtaraku izraelit, i cili e
pyet se pse kishte shkuar në Izrael, ai i përgjigjet: “Nuk kam ardhur
në Izrael, kam ardhur në Palestinë”.
Filmi i ka pushtuar zemrat e spektatorëve turq
“Filmi vërtetë është tejet real. Në të shihet fytyra e vërtetë e
izraelitëve dhe ata e meritojnë ndëshkimin”, deklaron Mustafa Ilgiç, një
i ri, i cili porsa ka dalë nga kinemaja në Stamboll. Nuk ka dyshim se
filmi do t’i pëlqejë edhe publikut arab (filmi është shitur në njëzet
vende të rajonit). I akuzuar për antisemitizëm, ekipi i filmit thotë se
ai nuk ka qëllime raciste.
“Ne nuk kemi kurrgjë kundër hebrenjve”, deklaron skenaristi Bahadir
Özdener. “Misioni i filmit është denoncimi i një ideologjie fashiste”.
Pa ndonjë befasi, “Lugina e ujqve- Palestina”, ka ngjallur polemika dhe
do t’i fryjë zjarrit të grindjes ndërmjet Izraelit dhe Turqisë.
Në Gjermani, filmi është i ndaluar për personat nën 18-vjeç. Në
Ankara, ambasadori izraelit është shprehur i emocionuar nga përmbajtja
“anti-izraelite me konotacione antisemite”. Ndërsa, qeveria turke ka
mbrojtur respektimin e “lirisë së shprehjes”, duke e pranuar në të
njëjtën kohë se filmi nuk do të ndihmojë në mbulimin e hendekut ndërmjet
izraelitëve dhe turqve.
Ndërkohë, Polat Alemdar, i ndjekur nga miliona telespektatorë në
versionin televiziv të “Lugina e ujqve-Palestina”, vazhdimisht ngjall
zemërim tek izraelitët. Vitin e kaluar, lufta e tij kundër agjentëve të
Mosadit kishte shkaktuar krizë diplomatike. Kësaj here, filmi ka lënë
në hije një ngjarje tepër të rëndësishme: më 27 janar, Turqia, për herë
të parë, zyrtarisht, ka përkujtuar Holokaustin. (Le Figaro)
Filmi nuk i prek “marrëdhëniet e vdekura”
Në muajin dhjetor, dërgimi i dy avionëve turq për të luftuar kundër
zjarreve të mëdha në malin Karmel në Izrael kishte dhënë përshtypjen për
fillimin e zgjidhjes së krizës. Mirëpo, kjo “diplomaci e zjarrit”, e
dëmtuar nga ministri i Jashtëm izraelit, Avigdor Lieberman, dhe e
dobësuar nga hyrja në fushatë e qeverisë turke për zgjedhjet
parlamentare të qershorit, nuk ka dhënë asnjë rezultat.
Javën e kaluar, të dy vendet kanë publikuar raportin e tyre për
zhvillimet në “Mavi Marmara” dhe konkluzionet kanë qenë tepër të
kundërta. Në këtë kontekst, Soli Özel, profesor i marrëdhënieve
ndërkombëtare, e relativizon ndikimin e filmit, “sepse marrëdhëniet edhe
ashtu janë pothuaj në pikë të vdekur dhe nuk ka dialog”.
Mon 7 Feb 2011 - 22:22 nga toleranca