✦ RINGJALLE NJË SUNET: Nr. 12 ⇨ "KUR TAKOHEMI ME NJERËZ" ✦
Ka disa sunete rreth takimit me njerëz, prej tyre: përshëndetja, zgjatja e përshëndetjes, buzëqeshja, shtrëngimi i duarve dhe fjalët e mira. Sa herë në ditë takohemi me njerëz? Paramendoni shpërblimet që mund t’i fitojmë nëse i zbatojmë këto sunete! Mashallah!
Sunetet gjatë takimit me njerëz:
1 ● Përshëndetja (es-selamu alejkum)
Është pyetur Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, se "Islami i cilit njeri është më i miri?", e ai u përgjigj: "I atij që i jep ushqim njerëzve dhe i përshëndet ata që i njeh dhe ata që nuk i njeh." [Buhariu, 12; Muslimi, 39]
2 ● Zgjatja e përshëndetjes
Një njeri iu afrua Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ue selem, dhe e përshëndeti duke thënë: "Es-selamu alejkum (paqja qoftë mbi ju)!" Pejgamberi ia ktheu përshëndetjen dhe, pasi njeriu u ul, Pejgamberi tha: "Kjo ishte dhjetë." Pastaj erdhi një njeri tjetër dhe tha: "Es-selamu alejkum ve rahmetullah (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi ju)!” Pejgamberi tha: "Kjo ishte njëzet." Pastaj erdhi një tjetër dhe tha: "Es-selamu alejkum ve rahmetullahi ve berekatuh (paqja, mëshira dhe begatitë e Allahut qofshin mbi ju)!” Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, tha: "Kjo ishte tridhjetë." [Muslimi, 5195, 2689; Ebu Davudi, kapitulli i sjelljeve të mira; Tirmidhiu, kapitulli i leje-kërkimit dhe sjelljeve të mira]
Shiko sa shpërblimin e humbën dy të parët për shkak të mos-dhënies së plotë të përshëndetjes islame për të fituar tridhjetë shpërblime. Dhe, meqë një vepër e mirë vlerësohet të paktën sa dhjetë të tilla, shuma do të ishte treqind shpërblime, madje mund të jetë edhe më e madhe. Meqënëse përshëndetjet ndodhin shpesh gjatë ditës, duhet ta mësosh veten për ta shprehur përshëndetjen e plotë islame, kështu që ta marrësh atë shpërblim të madh.
Gjithashtu mos harro se është prej sunetit që kushdo që vendos të largohet duhet ta thotë selamin e plotë:
"Kur ndonjëri prej jush vjen në një tubim, le të përshëndesë me selam, gjithashtu nëse dikush vendos të largohet, le të përshëndesë me selam, dhe i pari nuk ka më të drejtë se i dyti.” [Muslimi, 5208, 2706; Ebu Davudi, kapitulli i sjelljeve të mira; Tirmidhiu, kapitulli i leje-kërkimit dhe sjelljeve të mira]
3 ● Buzëqeshja
Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: "Mos e konsideroni asnjë nga veprat e mira si të papeshë, qoftë edhe ta takosh vëllanë tënd me fytyrë të gëzuar (buzëqeshur)." [Muslimi, kapitulli i devotshmërisë: bashkimi ndërmjet harmonisë së marrëdhënieve dhe sjelljeve të mira, 2626]
4 ● Shtrëngimi i duarve
Pejgamberi ynë, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: "Nuk ndahen dy muslimanë, pasi të jenë takuar dhe t’i kenë shtrënguar duart e njëri-tjetrit, vetëm se me gjynahe të falura." [Ebu Davudi, kapitulli i sjelljeve të mira; Muslimi, 5212, 2727; Tirmidhiu, kapitulli i leje-kërkimit dhe sjelljeve të mira]
Imam Neveviu ka thënë: Duhet ta dini se është e preferuar të shtrëngohen (shkunden) duart sa herë që takoheni. Pra të dashur, mundohuni t’i shtrëngoni duart me këdo që e përshëndetni me fytyrë të buzëqeshur, kështu do t’i zbatoni tre sunete në të njëjtën kohë.
5 ● Fjala e mirë (kelimetut-tajjibe)
Allahu thotë: "Thuaju robërve të Mi, që të flasin atë që është më e mira. Në të vërtetë, djalli mbjell ngatërresa ndërmjet tyre. Vërtet, djalli është armik i hapët i njeriut." (El-Isra: 53)
Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: "Fjala e mirë është sadakë (bamirësi)." [Buhariu, 2989; Muslimi, 1009]
• Fjala e mirë përfshin: dhikrin (përkujtimin e Allahut), duatë, përshëndetjet, çiltërsinë në shoqërim, sjelljet, virtytet dhe veprat e mira.
• Fjalët e mira janë magjepsëse; ato i fitojnë zemrat e të tjerëve.
• Fjalët e mira janë dëshmi se sa e ndriçuar është zemra e besimtarit. Kështu që duhet ta mbushësh tërë jetën tënde me fjalë të mira; bashkëshorti/bashkëshortja juaj, fëmijët, fqinjtë, miqtë, shërbëtorët dhe me këdo që shoqërohesh, kanë nevojë për fjalë të mira.