Çmimet më të larta në Kosovë se në Gjermani
Çmimet e konsumit në Kosovë vazhdojnë të rriten, kurse pagat mbesin njësoj. Madje artikujt elementarë për jetë janë edhe më shtrenjtë sesa në Gjermani.
Pensionisti Bejtush Gashi, merr pension 40 euro në muaj. Sikur të mos kishte ndihmë nga të afërmit e tij nga jashtë shtetit, ai thotë se nuk do të mund të mbijetonte.
“As në Zimbave, Australi, a Zelandë të re, nuk ka gjendje të keqe si te ne. Por morali tepër i fortë, sepse ne kemi qëndruar edhe në kohëra më të vështira dhe nuk jemi përul”, thotë ai për Albinfo.ch, ulur në kafiterinë e pensionistëve në Prishtinë.
Sipas tij, qeverisja e keqe i ka dërguar në pozitë sa të përulën. “Kisha pas dëshirë të flas fjalë të mira për këta qeveritarë, por s’ka fjalë të mira për ta. Realiteti është realitet”, thotë ai, duke luajtur shah me bashkëmoshatarët e tij.
Në fakt, rritja e çmimeve të konsumit të përditshëm, disbalanca e madhe e importit me eksport dhe niveli i lartë i papunësisë, e bëjnë çdo ditë e më shumë jetën më të vështirë në Kosovë.
Përveç kësaj, mbetja e pagave në nivele të njëjta, në kohën kur çmimet vazhdojnë të rriten, e varfërojnë dhe më tej shportën e konsumit ditor.
© albinfo.ch
Një litër vaj në Kosovë ka një çmim duke filluar prej 1.30 euro e lart, një litër qumësht shitet me një çmim prej 95 cent, një kilogram miell është 65 cent kurse një kilogram sheqer kushton 95 cent.
Këto janë vetëm disa nga çmimet e produkteve elementare bazike, e të cilat janë edhe më të larta se çmimet e vendeve shumë më të zhvilluara se Kosova.
Ndërkohë, në Gjermani, një litër vaj kushton 1.39 cent, sheqeri është 69 cent, qumështi 51 cent dhe mielli ditët e fundit ka pësuar një ngritje në 45 cent, nga 25 cent sa ishte për një kohë të gjatë.
Ilir Berisha, drejtor i Departamentit të Statistikave në Entin e Statistikave të Kosovës (ESK), ka deklaruar se në muajin shkurt, krahasuar me muajin janar 2012, kishte ngritje të çmimeve mujore për një për qind.
Përveç kësaj, Kosova vazhdon të shënojë deficit të lartë në marrëdhëniet tregtare me vendet e botës së jashtme.
Të dhënat zyrtare të Entit të Statistikave të Kosovës tregojnë se gjatë janarit të këtij viti, Kosova ka blerë mallra në vlerë prej 112,8 milion euro.
Kjo është një shifër më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar kur ishin blerë mall në vlerë prej rreth 110 milion euro.
Që situata të jetë edhe më e keqe, eksporti i Kosovës në janar ishte vetëm 18,7 milionë euro.
Të dhënat e publikuara nga Departamenti i Statistikave Ekonomike dhe Llogarive Kombëtare i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, tregojnë se rreth 63 për qind të eksportit kosovar e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, rreth 10 për qind produktet minerale, 5 për qind produktet bimore, dhe vetëm rreth 4 ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani.
Ndërkaq sa i përket importit, rreth 28 për qind të tij e përbëjnë produktet minerale, rreth 9 për qind makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, metalet bazë dhe artikuj prej tyre, dhe 8.8 për qind ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani.
Edhe më tej Kosova tregtinë më të madhe e ka bërë me vendet e BE-së, ku janë eksportuar rreth 40 për qind e mallrave, ndërkaq janë importuar rreth 37 për qind nga ky union.
Kosova më shumë ka eksportuar në Itali, rreth 29 për qind, në Shqipëri 12 përqind, Zvicër 9 për qind, kurse në Maqedoni rreth 7 për qind.
Ndërsa përqindja më e madhe e importit është nga: Maqedonia me 14 për qind, Gjermania me 11 dhe Serbia me 9 për qind.
Ndërkohë, trendi i rritjes së çmimeve në vend ka vazhduar edhe më tej. Indeksi i çmimeve gjatë muajit mars të këtij viti është më i lartë për 0.1 për qind krahasuar me shkurtin, muajin paraprak ose 1.1 për qind më i lartë sesa me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Kështu, derisa Kosova ka 2 mijë e 338 euro të ardhura vjetore për kokë banori dhe mbi 40 për qind numrin e të papunëve, çmimet e produkteve ushqimore i ka pothuajse të ngjashme apo edhe më të larta se vendet e rajonit.
Nga të dhënat e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), në Kosovë janë 35 mijë e 180 familje, shfrytëzues të asistencës sociale, prej tyre 153 mijë e 129 anëtarë.
© albinfo.ch: Behxhet Gaxhiqit, këshilltar në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS)
Sipas Behxhet Gaxhiqit, këshilltar në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), familjet të cilat janë shfrytëzues të kategorisë së asistencës sociale, për një anëtar të familjes marrin 40 euro në muaj.
Ndërsa ai ka sqaruar se në rast se janë më shumë se një anëtar, dy apo tre, kjo shkon në 50 euro dhe familjet që janë mbi 7 a po 8 anëtarë, marrin asistencë sociale prej 80 euro në muaj.