Mbase mund të thuash: Si ka mundësi që sot mëkatarët të gjenden në pozita të larta dhe në mirësi, ndërsa shumë besimtarë të kapur për fesë së tyre, Islamit të jenë të varfër, të dobët e të poshtëruar?!
Kësaj pyetjeje i është përgjigjur i Dërguari i Allahut, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, kur ka thënë: “Kur ta shohësh robin, që Allahu i jep prej kësaj dunjaje atë që do, edhe përkundër mëkateve të shumta që ai i bën, atëherë dije se kjo është shkallëzim.[1] Pastaj, lexoi Fjalën e Allahut: “Kur ata i harruan paralajmërimet Tona, Ne ua hapëm dyert e çdo mirësie. Por, sapo po gëzoheshin me atë që u dhamë, Ne i dënuam befasisht dhe atëherë ata u zhytën në dëshpërim.” [Kuran 6:44]
Vëlla i dashur, kur ta shohësh se Allahu t’i ka hapur dyert e mirësisë, ndërsa ti vazhdimisht bën mëkate ndaj Tij, atëherë ki kujdes! Nëse Allahu të jep pasuri, pasardhës, shëndet a bukuri, kurse ti ia kthen Atij me mëkate, atëherë ki kujdes, madje frikësohu nga zhdukja e mirësive, nga hidhërimi i Zotit dhe humbja e shëndetit!
A dëshiron të ta vërtetoj këtë ligj të Zotit me Fjalët e Allahut të Madhërishëm?!
Dëgjoje se si i përshkruan Allahu jobesimtarët në këtë ajet:
Dhe, sikur njerëzit të mos ishin një bashkësi mohuesish, Ne do t’i bënim prej argjendi çatitë e shtëpive të atyre që nuk besojnë në të Gjithëmëshirshmin, madje edhe shkallët nëpër të cilat ngjiten, edhe dyert e shtëpive të tyre, edhe divanet në të cilat mbështeten, dhe (do t’u jepnim) stoli prej ari. Por të gjitha këto janë vetëm kënaqësi të kësaj jete, kurse jeta tjetër te Zoti yt është për punëdrejtët që ruhen (nga gjynahet dhe nga dënimi i Allahut). [Kuran 43:33-35]
Shkëputur nga libri: “Hibbi ja riha’l-ijman” i autorit dr. Halid Ebu Shadi
Përktheu: Jusuf H. Kastrati
[1] Hadithi është sahih dhe e shënon Ahmedi nga Ukbe ibën Amri.