Kur bie fjala për arsye fetare, në lojë përfshihen edhe artistët.
Së fundi, një punim i një artisti shqiptar që do të merrte pjesë në Bianalen e Venecias është përjashtuar vetëm se në punimin e tij kishte një minare xhamie.
Kjo duket se i ka shqetësuar organizatorët, të cilët edhe pse i kishin dhënë një herë leje artistit Ardian Isufi, për punimin “Objekt i paidentifikueshëm”, e përjashtuan sërish. Kuratori i pavijonit shqiptar, Ilir Voci, thotë se punimi është përjashtuar për shkak se nuk përkonte me temën dhe ishte i dobët artistikisht.
Punimi i pa dëshiruar
Punimi i artistit Ardian Isufi, kishte në qendër një minare në Kavajë, e ngritur në fabrikën e qelqit. Oxhaku i fabrikës është kthyer në minare, nga ku e ka marrë frymëzimin për krijimin e veprës artisti kavajas.
Artisti thotë se punimi është pëlqyer shumë dhe ka marrë miratimin e komisionit. Ai thotë se edhe një kurator i njohur i Bienales së Venecias e ka pëlqyer.
Isufi shkon më tej kur thotë se shkaqet e mospranimit të punës së tij janë fetare. Ai thotë se kuratori Ilir Voci i ka kërkuar që në vend të minares të ishte një kullë e kishës ortodokse, citon “Tema”.
Punimi do paraqitej në pallatin e UNESCO-s dhe mësohet se ai do ishte me përmasat reale të vetë minares. UNESCO i kishte vënë në dispozicion hapësirat për pavijonin shqiptar pa pagesë.
(Start)