Dr. Xhasim el-Mutava tregon: Po shfletoja një uebfaqe për të gjetur studime në lidhje me mënyrat e përçimit të mesazhit se falja dhe shpirtgjerësia janë të domosdoshme. Kuptohet, përçimi i mesazhit nuk do të duhej të ishte me fjalë, por në një mënyrë krejt tjetër. Ai na rrëfen ngjarjen:
Një mësuese në çerdhe vendosi që fëmijët të luajnë me një lojë plot një javë. Kërkoi nga çdo fëmijë të sjellë nga një qese me patate dhe çdo patate të mbajë emrin e personit që e urren.
Të nesërmen çdonjëri kishte marrë nga një qese me disa kokrra patate dhe kishin shënuar në to emrat e atyre që i urrenin, por për kureshtje disa kishin në qese vetëm një patate, disa nga dy kokrra patate, por prej tyre kishte edhe të atillë që e kishin mbushur qesen me patate.
Pas kësaj mësuesja ia tregoi rregullat e lojës: çdo njëri duhet ta bartë qesen me patate kudo që të shkojë, plot një javë.
Me kalimin e ditëve fëmijët e ndienin erën e keqe që dilte nga qesja (sepse ato kishin filluar të kalbeshin), sa më shumë patate që kishin, aq më shumë kundërmonte erë e keqe.
Në fund të javës fëmijët u gëzuan që përfundoi loja. Mësuesja i pyeti fëmijët për përshtypjet e lojës. Ata filluan t’i paraqesin shqetësimet duke treguar për vështirësitë që i kishin pasur gjatë bartjes së qeses me patate, për shkak të erës së keqe.
Më pas mësuesja filloi t’ua sqaronte qëllimin dhe mësimin nga loja me qesen e patateve.
Mësuesja u tha atyre: kështu është gjendja e çdonjërit prej jush, kur në zemër bart urrejtje ndaj disa personave të caktuar!!
Urrejtja përlyen dhe e bën të pistë zemrën, dhe kudo që shkon e bart me vete atë urrejtje!!
Kur nuk ke mundësi ta bartësh qesen me patate e me erë të rëndë gjatë tëre javës, si mendon që ta mbash në zemër urrejtjen që e ke për disa persona gjatë tërë jetës.
Dr. Xhasim El-Mutava