Në një gojëdhënë indiane thuhet: “pasi Krijuesi krijoi çdo gjë në Tokë, radha i erdhi njeriut. Para se të krijonte njeriun Krijuesi i thirri të gjitha gjallesat pranë tij dhe u tha: ‘Para se të krijoj njerëzit dua t’ju them një sekret dhe ta fsheh atë. Sekreti është lumturia e tyre. Ku mund ta fsheh atë?”
“Ma jep mua o Zot, ta çoj në Hënë”, mori fjalën shqiponja.
“Jo” –iu përgjigj Krijuesi – “se vjen një ditë dhe njerëzit do shkojnë deri atje e ta gjejnë me lehtësi”.
“Edhe aty mund ta gjejnë me lehtësi”– iu kthye Krijuesi.
Luani sugjeroi thellësitë e pyllit ndërsa deshtë pafundësinë e lëndinave por Zoti nuk e pranoi asnjërin nga sugjerimet. Në fund foli dhe urithi: “Zoti im, vendose këtë të fshehtë tek vetë njerëzit”.
Kjo është dhe arsyeja e mungesës së lumturisë së njeriut i cili gjithnjë e kërkon lumturinë në vende tjera dhe harron se e ka gjithnjë brenda tij.
Do jemi gjithnjë të trishtuar derisa të mësojmë të shikojmë brenda vetes. Karvani i zhgënjimeve nuk mbaron sepse ne mendojmë se çfarë thonë të tjerët, vlerësojmë shumë mendimin e të tjerëve dhe e shohim jetën me sytë e të tjerëve.
Nuk e shohim sesi jeta rikrijohet çdo çast, çdo moment. Gjërat ndryshojnë çdo minutë. Lumturia ndoshta ashtu siç thuhet edhe në tregimin e mësipërm ndodhet brenda nesh dhe është aq afër nesh saqë ne mund ta kapim nëse ndryshojmë këndvështrimin tonë. Ndoshta kjo është dhe arsyeja pse Krijuesi thotë që unë jam më afër jush se damari i qafës. Ndoshta brenda nesh ndodhet një thesar i çmuar.
Po pse akoma shikojmë larg? Pse kërkojmë gjithmonë atë që nuk do të vijë asnjëherë dhe nuk shohim atë ç’kemi brenda vetes sonë? Pse përpiqemi t’u ngjasojmë të tjerëve dhe nuk zgjedhim të jemi vetvetja?
Për sa kohë nuk heqim dorë së shikuari lumturinë si një gjë e cila blihet, për sa kohë t’i vëmë një çmim asaj dhe të paguajmë, asnjëherë nuk do të mund ta kapim…
Nëse nuk do të ndiheni të lumtur pa blerë makinën e modelit të fundit, pa fituar shumë para, pa qenë burri apo gruaja më e bukur, pa blerë shtëpinë më të madhe, pa zotëruar orenditë më luksoze dhe nëse ideali i jetës suaj është të keni gjithnjë e më shumë pasuri, atëherë nuk do ta arrini asnjëherë lumturinë.
Sepse lumturia është krejt ndryshe nga këto gjëra. Personat që nuk janë vetvetja e kanë të vështirë të gjejnë thesarin brenda tyre. Sytë nuk ia hapin dyert një personaliteti të papranuar...ndoshta do t’ju duhet një jetë e tërë që të mund të shihni në fillim pastaj të mësoni të shikoni...
Udhëtimi më i madh është udhëtimi që bën njeriu drejt vetes, nëse jeni gati rruga do t’ju shpie aty ku dëshironi. Udhëtim të mbarë të gjithëve…