Profeti Muhamed a.s është një shkollë, e cila na mëson si të dëfrejmë dhe argëtohemi në jetë dhe cilat janë gjërat me të cilat duhet të argëtohemi.
Nga: Prof. Xhasim El-mutava
Dëfrimi është një term i ndërlikuar dhe koncept i keqkuptuar. Vallë çfarë kuptojmë me fjalën dëfrim? A nënkupton muzikën, këngën apo diçka tjetër? Rreth këtyre çështjeve, do të diskutojmë në rrjeshtat e mëposhtëm. Çfarë na argëton neve sot, çfarë e argëtonte të dërguarin e Zotit a.s dhe shokët e tij? Si dëfreheshin ata? Çfarë përdornin për t'u dëfryer dhe për t'u argëtuar? A dëfrenin siç dëfrejmë ne sot?
Vallë si e konceptojnë të rinjtë dhe të rejat tona sot dëfrimin dhe argëtimin? A është koncept i drejtë, koncepti që të rinjtë e sotëm kanë për dëfrimin? Vallë ky lloj dëfrimi dhe argëtimi, a formon breza të përgjegjshëm dhe të aftë për të mbartur mesazhin islam tek popujt e tjerë?
Pyetja:"Çfarë të argëton?" është një pyetje e rëndësishme, mbi të cilën duhet të mendojë çdo njeri. Secili prej nesh kërkojmë diçka e cila na lumturon dhe na fal kënaqësi..
Këtë pyetje ia kam drejtuar të afërmve të mi, ndërkohë që pregatitesha për këtë emision. Kur e pyeta të parin se cila është ajo gjë që të argëton dhe të fal kënaqësi, ai më tha:"Kur shoh skuadrën time të zemrës të shënojë gola." I dyti më tha:"Kur dëgjoj këngë dhe muzikë." I treti më tha:"Kur i shërbej prindërve." I katërti:"Kur dëgjoj zilen e celularit." I pesti:"Kur fal namaz nate dhe kur lexoj Kuran."
Njerëzit, ashtu siç janë të ndryshëm, kanë të ndryshme dhe shijet dhe format e argëtimit dhe të dëfrimit. Por, kush konsiderohet dëfrim dhe argëtim i vërtetë dhe si mund të argëtohet njeriu me atë që i pëlqen?
Jusuf Islam, është një emër shumë i njohur nga të gjithë. Emri i tij ka qenë Cat Stevens. Ai ka qenë nga këngëtarët e rock-ut. Asokohe ai luante në kitarë dhe ka qenë shumë i famshëm. Më vonë, ai bëhet musliman dhe ndërron dhe emrin, në Jusuf Islam. Ilahitë e tij janë të njohura nga të gjithë ne, nëpërmjet të cilave ai synon të përcjellë frymën e tolerancës, zemërgjerësisë dhe drejtësisë të mesazhit islam.
Jusuf Islam u kthye nga një këngëtar rock-u ku fitonte miliona, në një ftues për në rrugën e Zotit. Ai ka ngritur shumë shkolla islame në Britani, në Europë dhe në Amerikë. Ai ka një aktivitet të admirueshëm në fushën edukative dhe arsimore, të cilat i ka shfrytëzuar për t'u shërbyer muslimanëve.
Vallë çfarë e argëtonte dhe dëfrente Jusuf Islamin kur njihej me emrin Cat Stevens dhe çfarë e argëton atë sot?
Ajo që e dëfrente para islamit, ishte kitara dhe këngët e tij, kurse ajo që e dëfren sot është ndërtimi i shkollave dhe arsimimi i fëmijëve muslimanë.
Kështu, shohim që në një etapë të caktuar, njeriu është i dhënë pas një lloj argëtimi dhe dëfrimi të caktuar. Në një moshë tjetër, ai ndryshon dhe dëfrehet me diçka tjetër.
Një këngëtar i njohur, thotë:"Një ditë, më ftoi një nga shokët e mi – fetarë – të shkojmë të falemi në Qabe. Ishte muaji i Ramazanit dhe përjetonim dhjetë ditët e fundit të tij. Namazi që do të falnim në Qabe, ishte ai i natës, që falej pasmesnate.
Ai më tha:"A vjen sonte me mua të falim vetëm dy rekate në Qabe?"
Unë asokohe, dilja me shokët e mi dhe e kalonim natën duke i rënë kitarës, duke kënduar dhe duke dëfryer.
Atë natë që u ftova të falem në Qabe, u thashë shokëve:"Më prisni se nuk do të vonohem!"
Kështu, të dy shkuam në xhami dhe filluam të falemi. Imami në ato çaste filloi të lexojë suren Rahman dhe disa ajete të caktuara i përsëriste më shumë se një herë. Ajeti që më bëri më shumë përshtypje dhe më preku ishte:" (Atje do të ketë) hyri syzeza nëpër tenda." (Rahman, 72)
Teksa dëgjoja këtë ajet të përsëritej, nuk e kuptoja çfarë po më ndodh nga brenda. Isha shumë i emocionuar dhe i prekur nga këto ajete. Emocionet mi shtonte më shumë fakti, se duke u marrë me muzikë dhe këngë, i kuptoja mirë intonacionet dhe zërin melodioz të imamit. Pas namazit, pyeta mbi kuptimin e atyre ajeteve dhe shoku im mi shpjegoi, gjë e cila ma shtoi dhe më shumë besimin. Ato ishin çastet kur unë ndryshova mënyrën e të argëtuarit."
Sa herë që përmendet dëfrimi dhe argëtimi, ne na shkon mendja menjëherë tek muzika dhe kënga. Por, a është i kufizuar dëfrimi dhe argëtimi vetëm në këngë dhe muzikë? Besoj se të gjithë jemi të një mendjeje, se diçka e tillë nuk është e vërtetë.
Njeriu mund të argëtohet duke shikuar, dëgjuar, shijuar, nuhatur etj... Vetëm prekjen, shkencëtarët nuk e kanë llogaritur tek format e argëtimit. Njeriu duke parë diçka të bukur, argëtohet dhe ndjen kënaqësi. Ndonjëherë lexon ose dëgjon një ajet të caktuar dhe emocionohet dhe ndjen kënaqësi. Ndonjëherë tjetër shijon një lloj ushqimi dhe kënaqet. Ashtu siç kënaqen dhe dëfrehen njerëz të tjerë me harame dhe gjëra të liga. Dikush mund të konsumojë alkol dhe drogë dhe të dëfrehet, por ky lloj dëfrimi është haram
Veshi, duke dëgjuar disa zëra dhe melodi të caktuara reagon, ndjen kënaqësi dhe argëtohet. Ai kërkon që një zë i tillë të jetë i vazhdueshëm, pasi i fal kënaqësi dhe dëfrim. Ajo që mbetet të sqarohet, është nëse ky zë ishte zëri i këngës dhe muzikës, i leximit të Kuranit, i këndimit të një ilahie të bukur etj... Gjithçka sa përmendëm janë lloje argëtimesh, dëfrimi dhe kënaqësie. Prandaj, Profeti a.s thotë:"Kush nuk e këndon Kuranin, nuk është prej nesh."
Nga ky hadith, kuptojmë që këndimi me zë i Kuranit, i fal dëgjuesit kënaqësi.
Indianët e Amerikës, kishin një lloj të veçantë kërcimi, të cilin e bënin si adhurim të zotave të tyre. Veç kësaj, ky kërcim shërbente edhe për t'i argëtuar dhe dëfryer.
Çdo popull ka format dhe metodat e tij për t'u dëfryer dhe për t'u argëtuar. Japonezët kanë format e tyre, anglezët po ashtu, shoqëritë muslimane kanë metodat e tyre me të cilat gëzohen dhe dëfrehen etj... Çdo popull dëfrehet dhe argëtohet sipas mënyrës së tij, por koncepti i argëtimit dhe dëfrimit ndryshon nga një popull tek një tjetër.
Si e konceptonin shokët e Profetit a.s dëfrimin dhe argëtimin?
Bilali – Zoti qoftë i kënaqur me të – në momentet e fundit të jetës së tij, në çastet e vdekjes dëshmonte për herë të fundit "Esh-hedu en la ilahe il-lallah, ve enne Muhameden abduhu ve resuluhu". Rreth tij, qëndronin shokët, të afërmit dhe e shoqja, e cila herë pas herë psherëtinte dhe thoshte:"Ah e mjera unë ç'fatkeqësi po më bie!"
Por Bilali ia ktheu:"Mos thuaj ashtu, por thuaj:"Oh ç'gëzim! Nesër do të takohem me Muhamedin a.s dhe shokët e tij."
Shohim që Bilali kishte një koncept të ndryshëm të haresë dhe gëzimit. Për të, gëzim i madh dhe kënaqësi ishte të takohesh me Profetin a.s dhe shokët e tij. Koncepti i kënaqësisë dhe dëfrimit për të, nuk ishte festivali i këngës apo çdo lloj aktiviteti tjetër i ngjashëm. Ne kemi haruar të dëfrejmë dhe gëzojmë sipas konceptit të Bilalit. Dëfrimin dhe harenë ne e përdorim vetëm kur kemi festa, mbrëmje artistike, koncertet e këngës etj... Sot nuk na shkon ndër mend të gëzojmë dhe festojmë, duke takuar të dashurin e Zotit, profetin Muhamed a.s dhe shokët e tij. Le t'a përdorim fjalën dëfrej dhe gëzoj, si një koncept më i gjërë se ai që përdorim sot. Le t'a konceptojmë dëfrimin dhe gëzimin, ashtu siç e konceptonte Bilali.
Një herë, isha duke ecur në një rrugë dhe para meje dallova një grup të rinjsh të cilët këndonin, kërcenin dhe nxirrnin zëra të çuditshëm. Ajo që më shokoi ishin fjalët banale që dilnin nga goja e këtyre të rinjve. Unë iu afrova të rinjve dhe i pyeta:"Çfarë po bëni kështu?"
Ata më thanë:"Po këndojmë."
Unë i pyeta:"E çfarë këngësh qenkan këto që përmbajnë fjalë kaq banale dhe të ulëta?!"
Ata më thanë:"A nuk e njeh filan këngëtar?! Kjo është një nga këngët e tij."
I shokuar, vazhdova rrugën duke menduar me vete: Nëse ky brez do të rritet me këngë të tilla, kjo do të thotë që shkatërrimi i shoqërive tona arabe dhe islame është i afërt.
Nëse më parë i kritikonim këngët që këndoheshin, edhe pse fjalët e tyre ishin pozitive, të bukura dhe me kuptim, sot në ditët tona këndohen këngë me përmbajtje banale dhe që këngëtaret u ngjajnë më shumë prostitutave dhe grave të liga.
Vallë çfarë edukate marrin ato djem dhe vajza, të cilët rriten duke dëgjuar çdo ditë këngë me përmbajtje të tillë? Si mund të mirëedukohen, kur dëgjojnë kudo dhe kurdo këngë degjeneruese? Padyshim që do të edukohen me këngë banale, pamje pornografike, ambjente degjeneruese etj... A mund të jenë përgjegjës për umetin e tyre dhe a mund t'a mbartin amanetin dhe mesazhin hyjnor për tek popujt e tjerë? Një brez i tillë, i edukuar me këtë art degjenerues, do të jetë brez pa pikë vullneti dhe vendosmërie, pa një objektiv në jetë dhe i pakarakter. Ai nuk do të njohë gjë tjetër përveç kërcimit, ulërimave dhe duartrokitjeve.
Një ndër ndodhitë që përsëritet shpesh, është se një i ri tetëmbëdhjetë vjeçar ishte duke udhëtuar me makinë dhe njëkohësisht kishte ngritur zërin e kasetofonit në fund. Papritur makina e tij përplaset dhe pak para se të vdesë, ai përsëriste fjalët e fundit që kishte dëgjuar nga kënga. Këto ishin fjalët me të cilat ai ndahej nga kjo botë. Në vend që t'a mbyllte jetën duke shqiptuar shehadetin, ai këndonte këngë dashurie.
Nuk ka njeri që të mos dojë të dëfrehet dhe argëtohet. Por është e rëndësishme të zgjedhë mënyrën dhe format e duhura. Ne duhet të kemi një koncept të qartë mbi dëfrimin.
Një herë, Abdullah ibnu Mesudi, teksa ecte në një rrugicë, dëgjoi zërin e një këngëtari me emrin Zadan. Të gjithë e njihnin atë për zërin e bukur, saqë njerëzit dilnin në penxhere për t'a dëgjuar. Kur e dëgjoi Ibnu Mesudi, i tha dikujt që kishte në krah:"Sa zë i bukur, po t'a përdorte në leximin e Kuranit!" dhe vazhdoi rrugën.
Njerëzit filluan t'i transmetojnë nga njëri tek tjetri këto fjalë, derisa i ranë në vesh këngëtarit. Me të dëgjuar fjalët e Ibnu Mesudit, ai mori mandolinën e tij dhe e theu. Më pas u nis për tek Ibnu Mesudi të cilin e përqafoi fort duke qarë. Ai i kërkoi Ibnu Mesudit t'i mësojë Kuranin dhe shkencat fetare. Ibnu Mesudi pranoi dhe për një kohë të shkurtër, Zadani u bë nga dijetarët e qytetit të tij.
Si dhe me çfarë dëfrehej i dërguari i Zotit?
Mua më tërhoqi vëmendjen një hadith i Profetit a.s, në të cilin përmenden format me të cilat argëtohej dhe dëfrehej i dërguari i Zotit. Hadithi përmend tre gjëra, të cilat e kënaqnin dhe e argëtonin Profetin a.s. Thotë Profeti a.s në këtë hadith:"Nga kjo botë, tre gjëra më falin kënaqësi: Gratë, parfumet dhe namazi, i cili është kënaqësia e syve të mi."
Përsa i përket grave, kjo është tregues që edhe pse profet dhe i dërguar nga Zoti, në fund të fundit ai ishte njeri. Parfumet, janë tregues i pastërtisë, hijeshisë dhe aromës së mirë. Kurse namazi, siç e thotë edhe ai vetë, është kënaqësia e syve të tij. Ai dëfrehej dhe kënaqej duke falur namaz, ashtu siç dëfrehej edhe duke lexuar Kuran.
Profeti Muhamed a.s është një shkollë, e cila na mëson si të dëfrejmë dhe argëtohemi në jetë dhe cilat janë gjërat me të cilat duhet të argëtohemi.
Mënyra më e mirë për një besimtar që të argëtohet dhe kënaqet, është duke i qarë hallet Zotit të madhëruar me përkushtim dhe përulje, duke lexuar Kuran sidomos në orët e vona të natës dhe duke u falur.
Njeriu është një krijesë e krijuar nga uji dhe dheu i tokës. Gjatë lutjeve dhe namazit, pjesa e tij tokësore tërhiqet nga toka, kurse shpirti i tij që i përket qiellit, ngrihet në lartësitë e universit, ku i flet Zotit dhe krijuesit të tij. Kështu, njeriu ndihet i lumtur dhe i qetë, pasi ka kontaktuar me Zotin e gjithëpushtetshëm.
Imam Bakilani, radhitej ndër dijetarët dhe njohësit më të mirë të gjuhës, retorikës, usul-it dhe fikhut. Halifeja musliman e dërgoi atë si përfaqësues të dijetarëve muslimanë, me qëllim që të debatojë me mbretin romak dhe njerëzit me të ditur të tij. Me të arritur, filluan diskutimet dhe debatet mes tij dhe dijetarëve të mbretit romak. Debati ishte shumë i nxehtë, megjithatë Bakilani arriti t'i mundë dhe të triumfojë në çdo fushë.
Mbreti romak u mendua si mund të depërtonte në zemrën e dijetarit musliman. Në fund, u bind se vetëm me anë të muzikës do i fitonte zemrën. Ai vetë kishte shpikur një vegël të re muzikore, zërat muzikorë dhe notat e së cilës e linin njeriun pa mend në kokë. Kur e sollën këtë vegël dhe mbreti romak dha urdhër t'i binin, imam Bakilani u emocionua fillimisht dhe u dha pas saj. Ndërkohë, i erdhi në mendje një mendim mbi mënyrën si t'a largonte vëmendjen nga ajo melodi. Ai çau gishtin me diçka të mprehtë dhe u angazhua me dhimbjen që i shkaktonte gishti, duke injoruar zërat melodiozë. Kur përfundoi muzika, mbreti romak u kthye nga imam Bakilani, të cilin e gjeti të angazhuar. Ai i tha:"Me çfarë po merresh?"
Imam Bakilani i tha:"Fillova të merrem me gishtin e çarë."
Mbreti romak i tha:"Ti qenke i ditur dhe i zgjuar."
Kjo ndodhi, konfirmon dhe një herë faktin se muzika ndikon në psikologjinë e njeriut dhe e largon atë nga angazhimet e rëndësishme. Zoti i madhëruar na ka krijuar për një qëllim dhe mision fisnik, për të qenë mëkëmbës në tokë. Të dëfrehesh dhe argëtohesh nuk ka asgjë të keqe, por çfarë lloj dëfrimi do të zgjedhim. Të dëgjosh zëra të bukur, nuk ka gjë të keqe, por këto duhen zgjedhur.
Arabët, në të kaluarën argëtoheshin duke recituar poezi. Në një studim që kam lexuar, thuhej se popujt arabë sot argëtohen më së shumti duke dëgjuar muzikë dhe këngë. Sipas këtij studimi, një arab harxhon më shumë kohë duke dëgjuar muzikë, se ç'harxhon në punë dhe projekte fitimprurëse.
Në një studim tjetër perëndimor rreth japonezëve thoshte se japonezët argëtohen me punë. Sipas studimit, 10 % e japonezëve vdisnin çdo vit, për shkak të punës së tepërt.
A e dini sa pushojnë japonezët çdo vit......?
Tek ne, pushimet e shkollave janë tre muaj, kurse administrata shtetërore dhe sektori privat një muaj ose dy. Disa shoqëri e kanë pushim gjithë vitin, pasi nuk kanë punë. Kurse japonezët marrim pushim vjetor vetëm një javë. Madje, për të marrë këtë javë pushim, ata përdorin lloj-lloj marifetesh.
Qeveria japoneze ka nxjerrë një urdhër, sipas të cilit orët e punës në javë, nga dyzet e katër orë do të ulen në dyzet e dy orë. Megjithatë, asnjë nga japonezët nuk e ka respektuar këtë orar të ri dhe vazhdojnë të punojnë dyzet e katër orë.
Vallë a do e çlirojë dëfrimi Palestinën nga çifutët? A do e lartësojë këtë umet, që ka shekuj që vuan? A do na shpëtojë nga problemet shoqërore, politike dhe edukative?
Ne nuk jemi kundër argëtimit, ne jemi kundër argëtimit me haram dhe që na bën brez pa personalitet dhe të papërgjegjshëm. Ne duam një lloj argëtimi i cili i forcon marrëdhëniet tona me Zotin, Profetin a.s dhe me njëri-tjetrin.
Ashtu siç preket dhe ndikohet njeriu nga argëtimi dhe dëfrimi, edhe sendet dhe jofrymorët ndikohen. Një herë, Profeti a.s ndodhej mbi malin Uhud, i cili papritur filloi të dridhet. Profeti a.s, i tha:"Ndalo Uhud! Ndalo se ke sipër një profet, një të besueshëm dhe dy dëshmorë."
Thonë dijetarët:"Dridhjet dhe lëkundjet e malit, nuk ishin zemërate, por ishin kënaqësie dhe qetësie."
Kështu, të gjithë dëfrehen, argëtohen dhe kanë nevojë për gëzim dhe hare. Si njeriu, kafshët dhe sendet. Çdo njeri ka format e tij të argëtimit. Thotë Zoti në Kuranin famëlartë:"Me të vërtetë, me përkujtimin e Zotit qetësohen zemrat."
Në këtë ajet, Zoti përmend gjënë më me ndikim në qetësimin e zemrave dhe faljen e kënaqësisë. Kurani famëlartë, është metoda më e mirë për të qetësuar veten dhe zemrën.
Në fund, paqja e Zotit qoftë mbi ju!
/AO/