Adoptimi i moraleve më të larta dhe edukatës, të folurit drejt dhe besnikëria, butësia dhe modestia… të gjitha janë sheriat i Allahut.
E hëne 12 Nëntore 2012 23:14
Sheriati islam, është gjithçka që Zoti u ka shpallur të dërguarve të Tij, si përmbushje e premtimit të moçëm:"dhe tha: “Zbritni prej Xhenetit që të dy (Ademi dhe djalli)! Do të jeni armiq të njëri-tjetrit. Kur t’ju vijë udhëzim nga ana Ime, kush do ta pasojë udhëzimin Tim, as nuk do të humbë, as nuk do të bjerë në mjerim." (Taha, 123)
Kurani fisnik dhe gjithçka që përmban ai, nga shkronja e parë gjer tek e fundit, është Sheriat Islam. Tradita profetike e saktë dhe gjithçka që përmban, është sheriat islam.
Besimi në Zotin, druajtja prej Tij, turpi prej Zotit dhe devocioni, janë sheriati islam.
Adhurimi i Zotit, të mbështeturit tek Zoti, sinqeriteti, të përmendurit e Zotit dhe mirënjohja, janë sheriat islam.
Adoptimi i moraleve më të larta dhe edukatës, të folurit drejt dhe besnikëria, butësia dhe modestia… të gjitha janë sheriat i Allahut.
Të distancohesh nga veprat e liga dhe haramet, tu përmbahesh vetëm të lejuarave dhe të mirave, është pjesë e sheriatit islam.
Të nxësh dije dhe ta kërkosh atë – dijen e dobishme – ta përhapësh dhe të kontribuosh për shtimin e saj, është adhurim dhe sheriat i Allahut.
Gjithçka që u shërben objektivave të sheriatit, si garantimi i fesë, i jetës, i mendjes, nderit dhe pasurisë, konsiderohet si boshti i sheriatit islam. Thotë imam Gazzali:"Objektivat e sheriatit lidhur me krijesat janë pesë: "Garantimi i besimit të tyre, jetës, mendjes, nderit dhe pasurisë. Gjithçka që mbron dhe u shërben këtyre katër objektivave, konsiderohet e dobishme dhe me leverdi. Sakaq, gjithçka tjetër që dëmton këto pesë objektiva, konsiderohet e dëmshme, e ligë dhe duhet luftuar."
Martesa dhe një jetë e qetë bashkëshortore është sheriat. Lindja e fëmijëve, edukimi i tyre dhe arsimimi është sheriat. Gjithçka që i sjell dobi, e përforcon dhe ngre lart dinjitetin e njeriut, materiale qoftë apo morale, është pjesë e sheriatit.
Çdo akt dhe vepër që largon shtypjen, dhunën dhe tiraninë nga njerëzit, konsiderohet si thelbi i sheriatit.
Të gjykosh mes njerëzve sipas dispozitave të Zotit, duke vendosur drejtësinë në vend, është një pjesë e konsiderueshme e sheriatit të Allahut. Thotë dijetari i shquar, Ibnul Kajjim:"Zoti i lartësuar ka dërguar profetë dhe ka shpallur libra të shenjtë, me qëllim që njerëzit të gjykohen në bazë të drejtësisë, e cila mban në këmbë qiejt dhe tokën. Nëse pikasen shenjat e para të drejtësisë, sillen fakte të pakontestueshme dhe dielli i saj lind me çdo formë, këtë konsideroje si sheriatin e Zotit, fenë dhe kënaqësinë e Tij."
Të urdhërosh për mirë dhe të ndalosh nga e keqja, është një nga themelet e sheriatit islam. E ngjashme me këtë është bashkëpunimi dhe ndërveprimi për vepra të mira dhe devotshmëri. Çdo reformë dhe dobi mbi faqen e tokës, çdo mundim për të larguar një pengesë, për të luftuar korrupsionin dhe të keqen mbi tokë, është sheriat.
Ti shërbesh dhe ti bësh mirë një kafshe, është pjesë e zbatimit të sheriatit. Thotë profeti Muhamed a.s në një hadith:"Një burrë që kishte marrë një rrugë të gjatë, e merr etja. Gjatë rrugës, has një pus, ku zbret dhe shuan etjen. Kur doli jashtë, gjeti një qen duke lëpirë tokën nga etja e madhe. Burri tha me vete:"Ky qen, qenka etur siç isha unë qëparë." Dhe menjëherë zbriti sërish në pus, mbushi këpucën me ujë dhe ia zgjati qenit i cili shoi etjen. Zoti e falënderoi për këtë të mirë dhe ia fali gjynahet."
Të pranishmit e pyetën Profetin a.s:"A edhe për shërbimin që u bëjmë kafshëve fitojmë sevap o i dërguar i Allahut?!" Profeti a.s u përgjigj:"Sevapin e fitoni për çdo gjallesë."
Bazuar në këtë hadith, imami Izuddin Abduselam rendit një listë kërkesash lidhur me përkujdesjen ndaj kafshëve, që ceken ne sheriatin islam dhe thotë:”Përkujdesja ndaj kafshëve që kemi në dispozicion, bëhet duke u siguruar ushqim të bollshëm, ambiente jetese normale, të trajtohen me butësi, të mos ngarkohen më shumë se ç’mund të përballojë fiziku i tyre, të mos merret nga qumështi i tyre veçse ajo që tepron nga të vegjlit e tyre, të mjekohen kafshët me zgjebe dhe të kurohen të sëmurat. Nëse njëra nga këto kafshë, duhet të theret, atëherë duhet mprehur mirë thika dhe të pritet shpejt. Është mirë që kafsha të shtrihet me butësi, para se të theret. Nëse disa nga kafshët janë agresive, është mirë që agresivet të ndahen nga kafshët e tjera. Nëse konstatohet se dikush e ngarkon kafshën e tij, më shumë se ç’mund të përballojë fiziku i saj, urdhërohet që t’ia lehtësojë. Nëse refuzon, ndërhyhet duke ia lehtësuar barrën kafshës. Kjo, duke u bazuar në hadithin:”Kush sheh një vepër të pahijshme, le të ndryshojë me dorën e tij. Nëse nuk mundet me gjuhën e tij dhe nëse nuk mundet, të paktën me zemrën e tij. Edhe pse kjo konsiderohet si besimi më i dobët.”
Thotë Profeti a.s:”Nëse udhëtoni në një vend të gjelbëruar, u jepni deveve kohë për të kullotur. Nëse udhëtoni në shkretëtirë, i ushqeni herë pas here.” Një gruaje të përdalë, iu falën gjynahet për hir të një qeni, të cilit i shoi etjen.”
Nëse do të paraqesim ndarjet dhe shtrirjet e sheriatit, do të zbulojmë se sheriati ka përfshirë çdo aspekt të jetës. Ai është sheriati i njerëzimit si në çështjet shpirtërore ashtu dhe në ato jetësore, si në nivelin individual, ashtu dhe në atë kolektiv. Ai është sheriat i dynjasë dhe ahiretit, sheriat i shtetit dhe i shoqërisë.
Një ndër shprehjet më pikante mbi domethënien e sheriatit, natyrës së tij dhe përmbajtjes, është hadithi i transmetuar nga Ebu Hurejre, se i dërguari i Zotit a.s ka thënë:”Besimi është shtatëdhjetë e ca degë – në një transmetim tjetër gjashtëdhjetë e ca degë – ku më e larta prej tyre, është formula se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është i dërguari i Tij. Dhe më e ulëta degë, është largimi i një pengese nga rruga. Sakaq, turpi është degë e besimit.”
Padyshim që këto degë dhe porta – siç shprehet në një hadith - mbulojnë të gjithë fenë dhe të gjithë sheriatin. Megjithatë, hadithi nuk citon veçse të parën, të fundit dhe të mesmen. Por, mos harrojmë se këto tre degë, dëshmia se nuk ka zot tjetër përveç Allahut, largimi i pengesave nga rruga dhe turpi, janë treguese për të tjerat. Kështu, dëshmia se nuk ka zot tjetër përveç Allahut, konsiderohet si maja e besimit dhe islamit dhe ajo qëndron në krye të gjithë degëve. Prej saj burojnë dhe dalin të gjithë degët e tjera, derisa të mbërrijnë tek largimi i pengesave nga udha. Mes të parës dhe të fundit, gjendet dega e turpit.
Kështu, ndodhemi përballë një kategorizimi tredimensional të sheriatit:
1 – Kategoria e akides (kredos) dhe themeleve, e cila fillon me la ilahe il-lallah (nuk ka zot tjetër përveç Allahut).
2 – Kategoria e moraleve, ku si model dhe shembull kemi moralin e natyrshëm të turpit.
3 – Kategoria e praktikave jetësore dhe obligimeve të përditshme, e cila manifestohet në formën e saj më të rëndomtë në largimin e pengesave nga rruga.
Brenda këtyre tre kategorive, radhiten dhe gjenden të gjithë degët e tjera të imanit (besimit) dhe të sheriatit islam.
Dijetarët myslimanë janë orvatur ti nxjerrin sheshit të gjithë këto degë të tjera të papërmendura në hadith. Shumë prej tyre kanë hartuar libra mbi degët e besimit. Prej tyre mund të përmendim fakihët Ebu Abdullah El-hilmi, Ebu Bekr El-bejhakij dhe Abdul Xhelil El-kasrij. Librat e tyre konsiderohen ndër më të mirët lidhur me subjektin e degëve të besimit. Një vështrim i shpejtë i përmbajtjes së këtyre librave, na ofron një panoramë gjithëpërfshirëse dhe ekuilibruese të sheriatit islam, i cili përfshin ibadetet, praktikat e përditshme, moralet, penalizimet etj...
Kushdo që vepron diçka nga këto praktika, ka vepruar sipas normave të sheriatit, konsiderohet se zbaton sheriatin dhe e mban atë në këmbë, individ qoftë apo kolektiv, pushtetar apo njeri i thjeshtë. Nga ana tjetër, kushdo që i cenon, i kundërshton dhe i shkel ato, ka cenuara dhe shkelur sheriatin.
Të gënjesh, është cenim dhe shkelje e rëndë e sheriatit islam, ashtu siç konsiderohet të folurit drejt si praktikim i sheriatit.
Të mashtrosh dhe të bësh hile me produktet dhe biznesin, të kopjosh në shkollë, të vjedhësh votat etj... konsiderohet si shkelje e sheriatit. Ashtu siç konsiderohet respekt i sheriatit, kryerja e punës sa më mirë dhe sinqeritet, si dhe mbajtja e premtimit dhe fjalës së dhënë.
Kushdo që e percepton drejt dhe siç duhet sheriatin islam, nuk mund të thotë se sheriati sot nuk zbatohet dhe është i shfuqizuar. Askush nuk mund të thotë se aktivizimi i sheriatit apo shfuqizimi i tij, është në duart e shtetit, apo që sheriati të funksionojë ka nevojë për një shtet islam apo kalifat islam. Kjo është e njëllojtë me pretendimin e dikujt se mund ti vërë kufij sheriatit islam, duke cituar vetëm disa ligje dhe dispozita të tij, sidomos ato ndëshkimore dhe penalizuese.
Thirrjet për funksionim të sheriatit, shfuqizim të tij etj... kanë vërtetësi relative, madje kanë shumë pak vërtetësi.
Është e vërtetë që disa dispozita të sheriatit janë shfuqizuar, por sa janë këto dispozita? Sa vend zënë degët e shfuqizuara të besimit, në krahasim me ato që janë aktive? Mos vallë shfuqizimi i dispozitave të sheriatit, ka të bëjë vetëm me sistemin qeverisës dhe gjykatat?
Pas saktësimit të konceptit të sheriatit, është e papranueshme të themi se sheriati nuk është aplikuar veçse gjatë një periudhe të shkurtër, atë të kalifëve të drejtë. Shoqëria islame ka qenë e lidhur pas sheriatit gjatë gjithë kohës. Kadilerët dhe funksionarët e lartë të gjykatave kanë gjykuar sipas dispozitave të sheriatit. Kultura e njerëzve, idetë dhe vlerat, kishin si burim ushqimi vetë sheriatin islam.
Këto ditë, kam dëgjuar një “islamolog” i cili shprehte indinjatën dhe keqardhjen e tij të madhe, për atë që ai e quante “procesin islamizues” që kërcënonte vendin e tij.
Me gjithë këto orientim pro perëndimor që hasim në sfera të ndryshme të jetës, unë konkludoj se vlerat e sheriatit islam në shoqëritë tona janë në shtrirje e sipër dhe në përmirësim. E gjitha kjo, pa shtet islam, pa qeveri islame dhe pa kalifat islam!
Këto ditë, janë shtuar dhe zërat dhe protestat mbi frikën e perëndimit nga islamizimi i Evropës!!! Kjo, edhe pse ne myslimanët dhe arabët, kurrë nuk kemi protestuar mbi fushatën franceze që është ushtruar mbi veriun e Afrikës. Ne kurrë nuk kemi protestuar dhe nuk kemi dalë kundër perëndimorizimit të botës islame dhe shekullarizimit të saj. Ne kurrë nuk kemi protestuar dhe nuk kemi dalë kundër evropianizimit, amerikanizmit apo latinizimit...
Përshtati Elmaz Fida
/AO/