"Dëshmi për Burmalinë",
në shesh qindra përkrahës
Evis HALILI
Shkup, 13 maj - Bindje ndaj apelit të BFIM-së, apo pasiguri nga gjendja
e sigurisë, përkrahësit e manifestimit të Këshillit Koordinativ "Dëshmi
për Burmalinë", janë mbledhur në një numër më të vogël nga ai i
parashikuari, ku numëroheshin qindra vetë. Me fillim pasditen e së
mërkurës, besimtarë myslimanë të etnive të ndryshme, janë tubuar në
sheshin kryesor të qytetit, për të qenë pjesë e manifestimit
multikulturor. Kordoni i vendosur nga policia, që ndante pjesën e
sheshit ku zhvillohej manifestimi, nga organizatorët, konsiderohej si
edhe një prej barrikadave teknike që ndikuan në reduktimin e numrit të
mbështetësve. Këshilli Koordinativ, duke theksuar se prezenca e tyre në
shesh, ka për qëllim të demonstrojë dashurinë ndaj këtij objekti dhe
dëshirën tonë për të rindërtimin e këtij nishani të bukurisë të
kryeqytetit, kanë atakuar edhe Bashkësinë Islame. Ramadan Ramadani ka
deklaruar se BFI ka bërë dy gabime fatale. E para, ka thënë Ramadani,
që është marrë me një manifestim që është kulturor dhe aspak fetar dhe
e dyta, siç është shprehur ai, ka dëmtuar autoritetin, edhe ashtu të
paktët te besimtarët e vet me këtë apel. "Parimisht, BFIM nuk ka punë
me projektet tona, ne gjithmonë distancohemi nga veprimet dhe sidomos
nga fjalët e tyre. Ky është një aktivitet i shoqatave qeveritare dhe
mendojmë se BFI, seriozisht duhet të arsimohet për rolin e subjektit
joqeveritar dhe të ndryshojë qëndrimin e tyre monopolist. Apeli i BFIM
nuk ka ndikuar, pasi këtu janë mbledhur besimtarë aktivë, hoxhallarë,
muezinë, ajo që ka ndikuar qoftë për numrin e madh apo të vogël, është
situata e përgjithshme në vend, apo edhe pengesa teknike për hyrjen në
shesh", ka thënë Ramadani. Sipas tij, e vetmja nuancë proteste është
ripërsëritja e kërkesës së tyre për akordimin e truallit me qëllim,
ndërtimin e Burmalisë me kushtet dhe çmimin e njëjtë që iu dha kishës.
Ramadani ka shprehur besimin se aktivitetet e Këshillit kanë ndikuar
pozitivisht për të mos lejuar politizimin e kësaj çështje dhe për të
mos tendosur marrëdhëniet ndëretnike dhe ndërkonfensionale. "Burmalia
është mesazhi më i madh që mund të jepet për tërësinë ë Maqedonisë, por
edhe unikalitetin e Shkupit ", ka thënë Ramandani. Lidhur me thyerjen e
rregullave dhe paralajmërimeve të një dite më parë të BFI-së, Ramadani
ka thënë se thirrja e ezanit në fund të aktivitetit është simbolike.
"Islami dallohet, nuk ka Papë dhe as dikë që mund të bekojë ose jo një
aktivitet. Atij që i duket vetja se është diçka, është problemi i tij
dhe i pasqyrës ku mund të shikohet. Thirrja e ezanit është edhe
simbolika e këtij manifestimi", ka thënë Ramadani. Ilahitë, recitimet
në disa gjuhë dhe leximet nga pjesë të veprave të ndryshme, kanë qenë
pjesa tjetër e repertorit të manifestimit.