[Only admins are allowed to see this image]Zoti na mundësoftë ta arrijmë fundin e Ramazanit e të dalim prej tij me gjynahe të falura.
Nga Mr. Ferid Piku
Allahu (xh.sh) thotë në Kuranin famëlartë: “Ne e zbritën atë (Kuranin) në natën e Kadrit. E ç`të mesoi ty se ç`është nata e Kadrit. Ajo është më e vlefshme se njëmijë muaj. Atë natë zbresin melekët dhe Xhibrili (a.s) me lejen e Zotit, për secilën çështje. Ajo është paqe deri në daljen e agimit”. (Kadr: 1-5).
Ora e universit lëvizi e bashkë me të lëvizëm edhe ne. Tashmë ajo troket në dhjetë netët më të mira të vitit, në netët e fundit të muajit Ramazan, për të cilat Zoti thotë: “Pasha agimin. Pasha dhjetë netët”. Koha ecën. Ditët largohen dhe si pa e kuptuar afrohet fundit të këtij muaji. I lutem Zotit, që ta pranojë edhe prej atyre që kanë agjëruar dhe nuk e kanë ditur se përse po agjërojnë. Ndoshta ka qenë një derë e mëshirës së Zotit. Por besimtarët janë pak më ndryshe. Për ata kanë mbetur dhjetë ditë nga një shans i madh, që Allahu (xh.sh) iu dha njerëzve të Tij, që të afrohen me Zotin, t`i afrohen xhenetit.
Ora e universit trokiti për të na thënë, se ende kemi mundësi t`i kërkojmë falje Zotit. Për çdo ditë të Ramazanit, Zoti shpëton një grup të madh besimtarësh nga zjarri i xhehenemit. Për çdo ditë të këtij muaji jepet amnisti hyjnore, që unë dhe ti të mos jemi nga banorët e zjarrit. Në Ramazan Zoti fal shumë njerëz, fal edhe ata që kanë bërë shumë gjynahe, madje edhe ata që kurrë nuk ua ka marrë mendja se do t`i falë Zoti i gjithësisë. Zoti i fal ata për çdo natë të muajit Ramazan, i fal natën e Kadrit, i fal natën e fundit të Ramazanit. Lusim Zotin të jemi prej atyre njerëzve që i ka falur Zoti. Nëse s`na ka falur Zoti deri tani, përsëri e kemi një shans. Kanë mbetur edhe dhjetë ditë të tjera. Duhet të përpiqemi shumë, sepse të lirohesh nga zjarri i xhehenemit nuk është pak. Zoti thotë në Kuranin fisnik: “E kush i largohet zjarrit e futet në xhenet, ai është i fituar dhe jeta e kësaj bote është vetëm një përjetim mashtrues”.
Dijeni se Ramazani vjen vetëm një herë në vit. Ramazani ka sekrete, që i di vetëm Allahu (xh.sh). Ky është muaji i bujarisë së Zotit, i Cili nga bujaria e Tij ka hapur të gjitha dyert e Xhenetit. Kush ka dëshirë të hyjë në xhenet, e ka shansin më të mirë në muajin Ramazan. Zoti me bujarinë e Tij i ka mbyllur dyert e Xhehenemit në këtë muaj dhe kush ka dëshirë t`i largohet Xhehenemit, këtë muaj e ka më larg se asnjëherë tjetër.
Profeti (a.s) ishte ai njeri, i cili falej aq shumë për Zotin, saqë i ënjteshin edhe këmbët. Ai (a.s) ishte njeriu, të cilit i ishin falur gabimet e shkuara dhe të ardhmet, megjithatë në dhjetë netët e fundit të Ramazanit ai e shtonte në maksimum adhurimin e tij. Ai ngrihej vetë, zgjonte gratë e tij, madje edhe fëmijët e vegjël, që të adhuronin Allahun (xh.sh).
Profeti (a.s) ka thënë: “Në pjesën e tretë të natës, Allahu (xh.sh) zbret në qiellin e dynjasë, ashtu siç i ka hije madhështisë së Tij dhe thotë: “Kush kërkon prej Meje që t`i jap, kush më lutet, t`i përgjigjem. Kush më kërkon falje që ta fal, kush kërkon mbrojtje që Unë ta mbroj”. Ku janë ata njerëz, që ngrihen në pjesën e tretë të natës, kur të gjithë të tjerët flenë dhe i kërkojnë falje Zotit!? Tani në Ramazan ne ngrihemi për syfyr. Le ta lusim Allahun (xh.sh) në këtë kohë, sepse ti dhe unë kemi nevojë për faljen dhe mëshirën e tij. Allahu (xh.sh) thotë: “Unë jam afër tyre, kur më luten…”.
Përpara kemi dhjetë ditë të veçanta, brenda të cilave gjendet një natë më e vlefshme se njëmijë muaj. Nëse të rastis që të bësh adhurim në atë natë, Allahu (xh.sh) iu dëshmon melekve të Tij, se ti je nga të shpëtuarit e po shpëtove në atë natë, do të thotë që ke lindur për së dyti edhe pse mund të jesh me thinja. Do të thotë që e fillove jetën prej fillimi. Vetëm ata që e dinë rëndësinë e kësaj nate, u dhemb zemra dhe përpiqen të mos iu ikë kjo natë pa ibadet, pa adhurim tek Zoti dhe lusin Zotin t`ua mudësojë që të ngrihen këtë natë për të adhuruar Allahun (xh.sh). Por Zoti më mëshirën dhe urtësinë e Tij e ka fshehur këtë natë dhe ne nuk e dimë me saktësi se kur është ajo.
Profeti (a.s) ka thënë: “Allahu (xh.sh) ma tregoi, se kur është nata e Kadrit. Kur po dilja t`ju tregoja njerëzve, pashë dy persona duke u zënë me njëri – tjetrin dhe e harrova natën e Kadrit”. Profeti (a.s) po dilte tu tregonte besimtarëve se si të fitonin natën e Kadrit, por u bë shkak grindja e dy personave, që profeti (a.s) ta harronte natën e Kadrit. Megjithatë edhe kjo ishte prej urtësisë së Allahut (xh.sh). Aishja (r.a) e pyeti profetin (a.s): “Sikur ta rastis natën e Kadrit, çfarë më këshillon që të them”? Profeti (a.s) tha: “Thuaj, O Zot Ti je Falës I madh, Ti je Bujar, Ti e do shumë faljen, prandaj më fal mua”.
Profeti (a.s) na ka treguar, se nata e Kadrit është në dhjetë netët e fundit të muajit të Ramazanit, në netët teke. Prandaj kërkojeni këtë natë dhe adhurojeni Allahun (xh.sh), qoftë edhe me dy rekate namaz. Profeti (a.s) ka thënë: “Kush rastis mirësinë e kësaj nate, ka gjetur mirësinë më të madhe. Kujt i ikën kjo natë, ai njeri ka humbur gjithçka”.
Në netët e fundit të Ramazanit është namazi i natës. Nuk po flas vetëm për namazin e teravive, por për namazin që falet në pjesën e fundit të natës. Ky është momenti, kur Zoti e pranon lutjen e njeriut më shumë se asnjëherë tjetër. Këto janë momentet më të vyera. Ne të gjithë kemi halle, por s`po dimë kujt t`ia qajmë hallet. Po kur më mirë së në dhjetë netët e fundit të Ramazanit mund t`ia qani hallet Allahut (xh.sh).
Njeriu është shumë përtac në punët e ahiretit, por është shumë i shkathët për garat e dynjasë. Allahu (xh.sh) na tregon në Kuran, se njerëzit e duan shumë këtë jetë dhe i kanë kthyer shpinën ahiretit, në një kohë që ajo është jeta e vërtetë që i pret.
A nuk e mbani mend se para disa vitesh tek populli ynë filloi një garë e habitshme, ku një million lekë shpërblehej me tre million lekë. Njerëzit shitën shtëpitë e tyre, morën para borxh dhe shtyheshin në rradhë për të dorëzuar para, sepse dikush me mashtrim iu premtonte trefishin.
Allahu (xh.sh) na premton, se nëse mundohemi dhe lodhemi këtë natë, Ai do të na japë mundësinë të lindim për së dyti, të dalim të pastër para Allahut (xh.sh). Shfrytëzojeni këtë natë, sepse ndoshta është nata kur na falen përgjithmonë gabimet dhe na shkruhet emrat tek banorët e xhenetit. Profeti Muhamed (a.s) thoshte: “Zoti i buzëqesh atij njeriu, i cili ngrihet dhe falet për Allahun (xh.sh) në pjesën e fundit të natës”. Ta dini se kujt i buzëqesh Zoti, atë njeri nuk e dënon kurrë.
Le të bëjmë edhe ne diçka më tepër gjatë këtyre ditëve. Ai që ka lexuar Kuran, të shtojë me shumë në leximin e tij. Ai që ka dhënë sadaka një herë në javë, le ta japë çdo ditë, qoftë edhe 200 lekë të vjetra. Ai që ka falur 8 rekate, le t`i bëjë 10, 18 apo 20. Të gjithë të shtojmë diçka, se tek Allahu (xh.sh) shpërblimi është pa masë.
Ramazani është muaji i bujarisë së besimtarëve anembanë globit. Unë e di fare mirë se sa herë që takohemi me dikë, shprehim problemet dhe ankesat tona e ato nuk kanë fund. Unë e di mirë se ne vuajmë nga problemet ekonomike, ashtu siç di fare mirë se jemi bujarë në zemrat tona. Ramazani nuk është muaji i ankesave. Është muaji që të fton ta mposhtësh kopracisë, prandaj mos e ndjej veten të varfër.
Vetëm mendoni pak, se sa iftare shtrojnë muslimanët në muajin Ramazan, sa zekat japin muslimanët, sa sadaka bëjnë ata, sa prej këtyre deklarohen e sa të tjera i di vetëm Zoti i gjithësisë. A ka fushatë në botë që mund të mbledhë më shumë para, se ç`bëjnë muslimanët në muajin e Ramazanit?! Kjo është forca e Zotit, kjo është forca e besimit, kjo tregon se çfarë është Islami. Por ndryshimi nga fushatat e tjera është, se të gjitha këto grumbullime dhe shpenzime parash bëhen me dëshirën dhe këmbënguljen e vetë atyre personave që i japin këto para.
Ramazani është muaji, në të cilin Allahu (xh.sh) e shpërblen një punë vullnetare me shpërblimin e një farzi? Nëse jep një sasi të vogël lekësh, Allahu ta shpërblen sikur të kesh dhënë zekatin e pasuris tënde edhe nëse ti ndoshta s`ke pasuri fare. A nuk është turp që në këtë muaj të mos bëhemi bujarë?! Mendoni sa para shpenzojmë nëpër kafene ose për të blerë lloj – lloj gjërash, të cilat ndoshta edhe mund të mos na nevojiten dhe nuk merakosemi fare sesa shpenzojmë. Por kur vjen puna për të lënë diçka në arkën e xhamisë, na duket e shtrenjtë. Kjo ndodh, sepse asnjëherë nuk i bëjmë llogaritë e vetes sonë.
Ky është muaji, kur Zoti i fton të gjithë besimtarët, që të bëhen pasanikë në zemrën e tyre, të japin lëmoshë, të japin zekat. Të gjithë ata që kanë mundësi, japin Zekatin, sepse në radhë të parë ata pastrojnë zemrën e tyre, se Zoti nuk ka nevojë për para, por duke vepruar kështu, ata pastrojnë edhe pasurinë e tyre. Ai njeri që nuk nxjerr zekatin e pasurisë së tij, ka marrë në qafë gjithë pasurinë e tij. Sa herë që Zoti ka folur për namazin, e ka shoqëruar atë me zekatin: “Ata që kur falin namazin, japin edhe zekatin...”. Ai që është bujar dhe qëndron në këmbë përpara Zotit, duhet të jetë bujar edhe në shpirtin e tij, të japë nga pasuria e tij, të cilën ia ka dhënë Zoti, të fusë gëzim në zemrën e një familjeje, që ka qarë për gjithë vitin, të lumturojë ata jetimë, të cilët kanë pritur që dikush t`iu japë. Dijeni se sadakaja asnjëherë nuk e pakëson pasurinë e njeriut. Profeti (a.s) thoshte: “Betohem në Zot, se nuk pakësohet pasuria e njeriut, kur ai jep sadaka”.
Desha të tregoj një histori në lidhje me sadakanë dhe zekatin. Dikush jepte shumë zekat dhe djali i tij i thotë: “Baba, po sikur po jep shumë. Çdo vit po na pakësohet pasuria. Të tjerët e mbledhin, kurse ne po e nxjerrim”. I ati i tha: “Biri im! Në botë ka qen dhe dele. Sa këlyshë bën një qen në vit? Djali i tha: “Bën tre, katër apo edhe pesë”. Babai e pyeti: “Po një dele sa qingja bën në vit?” Djali u përgjigj: “Bën një ose dy në vit”. Babai e pyeti përsëri: “Çfarë ka më shumë në shpinën e tokës, qen apo dele?” Djali u përgjigj: “Më shumë ka dele”. Atëherë babai i tha: “Shikoje pra, edhe pse delet bëjnë një ose dy qengja në vit, edhe pse ata theren dhe hahen gjatë gjithë vitit, edhe pse qentë lindin më shumë, në botë ka më shumë dele sesa qen. Kështu është zekati që jep për Zotin. Të duket se po pakësohet, por Allahu (xh.sh) e shton atë. Ndërsa pasuria e atyre që nuk besojnë në Zot, të duket se është shumë, por në fakt është shkumë, që as atyre nuk iu del e jo më të ketë pjesë edhe për njerëzit e tjerë”.
Le të bëhemi më tepër fisnikë e bujarë në këtë muaj, t`i zbukurojmë xhamitë tona, t`i ndihmojmë muslimanët e të mos presim nga të tjerët. Atëherë kur muslimanët të shpenzojnë prej pasurive të tyre, Allahu (xh.sh) do ta shtojë bereqetin, sepse Ai nuk është i pavëmendshëm. Allahu (xh.sh) thotë: “Shembulli I atyre njerëzve që shpenzojnë për hatër të Zotit, është si ai person që ka mbjellë një farë në tokë. Nga ajo farë mbijnë shtatë kallinj e çdo njëri prej tyre ka nga 100 kokrra”. Një punë e mirë vlerësohet tek Allahu me 700-fish e ndoshta edhe më shumë.
Në Ramazan jepet edhe sadakaja e fitrit. Fusni të gjithë anëtarët e familjes tuaj, madje edhe atë foshnje që lind një natë përpara ditës së Bajramit. Shikoni dhe mendoni se kë mund të kënaqni dhe mund të gëzoni në ditën e madhe të Bajramit.
Me keqardhje mund të themi, se miku i dashur i Zotit dhe i të gjithë besimtarëve muslimanë, tashmë dalëngadalë po ikën. Ramazani tashmë po mbledh regjistrat e tij dhe po i drejtohet Zotit, për t`i treguar për gjithçka që ka parë në këtë dynja, për t`i treguar për ata që e respektuan dhe për ata që nuk deshën t`ia dinë për të. Ai tashmë po na thotë “Lamtumirë o besimtarë, ndoshta nuk shihemi vitin tjetër”. Në këto momente zemrat e besimtarëve janë të prekura, sepse ndoshta nuk e respektuan siç duhej këtë muaj”. Na vjen keq që po largohet një atmosferë, që përsëritet vetëm një herë në vit, atmosfera e iftareve të bujarisë, atmosfera e teravive, atmosfera e namazit të natës, atomosfera e leximit të Kuranit. Ne na vjen keq për mangësitë dhe neglizhencën tonë ndaj këtij muaji.
Por le ta kujtojmë fjalën e Muhamedit (a.s): “Punët vlerësohen tek Zoti ashtu siç mbarojnë”. Prandaj duhet t`i përveshim krahët në dhjetë netët e fundit të Ramazanit. Ato janë netët më të bukura të Ramazanit, janë netët e faljes, netët e çlirimit nga zjarri i xhehenemit, netët ku me lejen e Zotit do të na shkruhen emrat tek njerëzit e lartësuar.
E lusim Allahun (xh.sh) të na fusë në mëshirën e Tij. Lus Allahun (xh.sh) të na bëjë njerëz bujarë, sepse bujaria është nga cilësitë e Allahut (xh.sh). Zoti na faltë neve, e pranoftë agjërimin tonë, namazin tonë dhe çdo punë që bëjmë. Lus Allahun që këto ditë që kemi kaluar të kenë qenë dëshmitarë për ne dhe jo kundra nesh, ashtu siç lus Zotin që ditët që kanë mbetur t`i shfrytëzojmë për të fituar kënaqësinë e Tij. Zoti na mundësoftë ta arrijmë fundin e Ramazanit e të dalim prej tij me gjynahe të falura. Zoti na bëftë prej banorëve të xhenetit.
A M I N