Nuset kundër vjehrrave, një luftë e pamoralshme!
Ti kishe nënë që të lindi, të ushqeu, u përkujdes për ty dhe u rrite. E sot more një djalë, që një nënë si ty, e lindi, e ushqeu, u përkujdes për të dhe e rriti. Po edhe ti nesër nënë do të bëhesh! Edhe vjehërr. Nuk ke fare mëshirë për ato nëna që me mund dhe pagjumë rritën foshnjat e tyre? Po ti nuk u linde ashtu siç je sot, e rritur, e zgjuar, dhe e zhvilluar. Jo, ishe foshnje. Sikur vetëm pak të sillje në kujtesë kohën kur ti nuk dije të ecje, ndërsa nëna të rrinte pranë; e sikur të dëgjoje rrëfimet sesi nëna nuk bënte gjumë të rehatshëm sa herë që ti lëvizje në gjumë, apo kur trishtoheshe... Sa të mëshirshme janë nënat, të bëra sot vjehrra për nuset e tyre!
A vetëm ti nënë ke, që e do dhe të do? Sigurisht që nëna të duka më shumë se sa e dashke ti! Po ta doje, si duhet një nënë, do të ishe e mëshirshme edhe ndaj nënave tjera. Apo pse nënat e të tjerëve janë njerëz të huaj! Jo, nuk është e huaj, ti u bashkove me lulen e zemrës së saj, djalin. Ti po jeton në kopshtin e asaj nëne. Po, edhe ato janë nëna, që ti e quan "vjehërr", e s'ka nënë që me mund nuk rriti fëmijët e saj, edhe burrin tënd!
Ti dole prej shtëpisë tënde. Mos paç vëlla, do të kesh djalë. E ai djalë një ditë do të martohet. Edhe ai djalë, do të jetë lule e zemrës sate; je e mëshirshme sot me vjehrrën, që nesër, nusja e djalit tënd të jetë e mëshirshme ndaj teje. E, nëse ke vëlla, nuk do të ndiheshe rënd, sikur reja, nusja e vëllait tënd, ta luftonte dhe ta mundonte nënën tënde? Si do të kërkoje drejtësinë dhe mëshirën prej kësaj nuseje, kur vetë ti nuk je e drejtë dhe e mëshirshme ndaj nënës së burrit tënd?
Pse moj vajzë, moj e bërë nuse, e hap derën e dënimit, të vuajtjes e të dhembjes? Pse ia vështirëson jetën djalit të kësaj vjehrre, burrit tënd? E detyron të bëj zgjedhjen mes nënës së tij dhe teje! Ti sot erdhe, por ai me nënën e vet u gjet, lindi, u rrit dhe sot u bë burrë, e vazhdon ta ketë nënë e të jetojë me të! Mos ia ngushto kraharorin, e ka nënë, në Ditën e Gjykimit prej tij llogari do të kërkohet. Mos ia këput kësaj nëne lulen e zemrës, të paktën, mos ia dëmto! Duaje sot si nënë, nënën e burrit tënd, që nesër të ndjehesh gruaja më e lumtur.
Ajo nënë, që ti u bëre nuse e djalit të saj, po të të mos donte, djalin e saj do ta ndëshkonte. Jo, po ajo është e devotshme, ajo është e vetëdijshme se edhe vetë nuse ishte. Kur të këshillon a të sugjeron diçka, ajo e bën sepse të konsideron sikur të ishe bija e saj. Ti u zgjodhe që të jesh reja e asaj shtëpie, konsideroje veten pjesë të saj, mos u ndiej sikur të kanë rrëmbyer. Edhe e ëma jote, që të lindi, po të mos ndjehej pjesë e shtëpisë ku ti u rrite, vallë, ku do të ishe, e ku do të përfundoje!
Edhe vjehrra e kupton vetminë tënde, dhembjen e largësisë prej familjes tënde, vështirësitë për t'u ambientuar me rrethin e ri, e këtë dhembje mos ia interpreto me dhunë. Shprehu e mos lufto. Jo luftë, përderisa ke gjuhë që lëvizë e flet; ndryshe për çfarë do të vlente gjuha!
Thirri ndërgjegjes, mos lufto kundër saj, që të mos luftohet nesër kundër teje. Njerëzit shkruajnë, por edhe mend mbajnë. Ashtu siç je sot, mendon, ndjen e vepron për dikë, nesër, të tjerët do të mendojnë, ndjejnë e veprojnë ndaj teje. Dije se, secili njeri korr atë që mbjell.
Pastroje zemrën, që gjuha të flet pastër, e do të kuptojë vjehrra e devotshme!