Askush prej jush të mos e dëshirojë vdekjen!
Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të) transmeton, se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Askush prej jush të mos e dëshirojë vdekjen për shkak të një të keqeje që e ka goditur! E nëse ai duhet që medeomos ta bëjë këtë, atëherë le të lutet duke thënë: O Zot, më jep jetë nëse jeta është e mirë për mua dhe ma merr jetën, nëse vdekja është më e mirë për mua.”[1]
Shpjegimi i hadithit:
Muslimani i fortë është më i mirë dhe më i dashur tek Allahu i Lartësuar se muslimani i dobët. Kuptimi i forcës është shumë dimensional, por nuk ka asnjë dyshim, se forca manifestohet edhe tek përballja me sukses e fatkeqësive që njeriut i bien. Megjithatë, jo të gjithë njerëzit i përballojnë fatkeqësive me durim. Për të gjithë njerëzit ka momente e çaste dobësie. Njeriu duhet të dijë, se si të reagojë, kur e kaplojnë momentet e dobësisë. Nëse njeriu i lë mënjanë momentet e dobësisë, atëherë ai është përballur me realitetin ashtu siç duhet. Por nëse këto çaste dobësie mbizotërojnë mbi njeriun, atëherë atë e mbërthen pesimizmi, bie në depresion, nuk është i aftë të përballet me realitetin dhe përpiqet të largohet nga kjo botë, duke shpresuar që të vdesë sa më parë. Për rrjedhojë, ai tenton që të vrasë edhe veten. Psikologët thonë: “Shpeshherë vetëvrasja kryhet në momente të një dëshpërimi të thellë mendor, kur viktima ka humbur kontaktin me botën e njerezve dhe nuk sheh asnjë fije shprese apo një rreze drite në mirësinë e të gjallëve.... gjëndje të tilla të një pesimizmi të pashprese nuk janë të momentit. Ato kanë një zanafillë dhe i kanë shkatuar viktimës trauma, që i duken të pakapërcyeshme, duke i zverdhur bukurinë e jetës dhe dëshirën për të jetuar. Ai është një fenomen dobësie, shpirtërore, psiqike, morale etj, kur njeriu mendon gjithmonë anën negative të gjërave dhe nuk ka besim tek vetja, ose tek gjërat pozitive. Këta njerëz rrinë të vetmuar në botën e tyre, shkëputen fare nga shoqëria dhe bien në mendime të thella, duke dëmtuar trurin me çfarëdo lloj imagjinate të kotësisë së jetës”[2].
Jeta paraqet para nesh një pafundësi problemesh dhe njeriu mendon, se në jetë ka më shumë vuajtje sesa gëzim. Por jeta merr kuptim, atëherë kur ballafaqohemi me zgjidhjen e problemeve e jo duke dëshiruar vdekjen. Pikërisht, për këtë arsye Profeti (a.s) e urdhëron këtë grup njerëzish, që shfaqen në çdo kohë dhe vend, që askush të mos e dëshirojë vdekjen, për shkak të një të keqeje që e ka goditur. Profeti (a.s) i urdhëron ata, që të mos bien prè e pesimizmit, depresionit dhe kurrsesi të mos tentojnë për të vrarë veten. Në vend që të dëshirojnë vdekjen, është më mirë për ta që ta lusin Allahun e Lartësuar, që t’u japë durim dhe ta përballojnë të keqen me sukses.
Njeriu, i cili nxiton duke dëshiruar vdekjen, kujton se shpëton. Ndërkaq vdekja mund të jetë akoma më e keqe se e keqja që i ka zbritur. Njeriu mund të vdesë dhe për shkak të mëkateve e pret ndëshkimi në botën e varrit. Ndërsa nëse ai vazhdon të jetojë, ka mjaft kohë që t’i kërkojë falje Allahut dhe të pendohet. Nuk ka dyshim, se vazhdimsia e tij në këtë botë është një ogur i mirë për të.
Duke qenë se Profeti (a.s) e ka ndaluar, që njeriu të dëshirojë vdekjen, kuptohet vetvetiu se ndalimi për atë person që tenton të kryejë vetëvrasje, është më i rreptë. Njeriu e ka të ndaluar që ta vrasë veten, për arsye se në botën tjetër personi që vret veten, është i dënuar përjetësisht në Zjarrin e Xhehenemit. Profeti (a.s) thotë: “Ai i cili e vret veten, duke u hedhur nga një lartësi (kodër), do të ndëshkohet përjetësiht në zjarrin e Xhehenemit me të njëjtin dënim. Ai i cili e vret veten duke pirë helm, në dorë ka helm dhe do të ndëshkohet përjetësisht në Zjarrin e Xhehenemit me të njëjtin dënim. Ai i cili e vret veten me armë të ftohtë, armën e ftohtë e ka në dorë duke çarë barkun e tij, dhe do të ndëshkohet përjetësisht në Zjarrin e Xhehenemit me të njëjtin dënim.[3]”
Pra në rastin kur njeriut i bie një fatkeqësi, ai e ka të ndaluar që të dëshirojë vdekjen. Por ai ka në dispozicion një alternativë shumë më të mirë; të ngrejë duart dhe t’i lutet Allahut “O Zot, më jep jetë, nëse jeta është e mirë për mua dhe ma merr jetën, nëse vdekja është më e mirë për mua.” Urtësia e ndalimit konsiston në faktin, se vdekja për besimtarin do të thotë ndërprerje e veprave të mira, sepse për të është më mirë të jetojë, që të bëjë sa më shumë vepra të mira dhe të afrohet sa më shumë tek Allahu i Lartësuar. Nuk ka dyshim, se jetëgjatësia e shoqëruar me vepra të mira është mirësi që Allahut të Lartësuar ia jep robit të Tij, sepse njeriu më i mirë është ai, i cili ka jetë të gjatë dhe bën sa më shumë vepra të mira. Dijetari i shquar Muhamed ibn Uthejmin (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Profeti (a.s) ka hapur një derë, që është mëse e sigurt, sepse fakti që njeriu dëshiron vdekjen, tregon se ai është i pakënaqur dhe nuk bën durim ndaj caktimit të Allahut... Kjo lutje e mëson njeriun që t’i mbështetet Allahut, sepse ai nuk e di të fshehtën...Dëshira për të vdekur konsiderohet nxitim i njeriut, i cili kërkon prej Allahut që t’ia ndërpresë jetën. Kjo kërkesë e privon atë nga shumë të mira; e privon atë që të pendohet apo që të bëjë sa më shumë vepra të mira. Profeti (a.s) thotë në një hadith: “Çdokush që vdes pendohet. Nëse ka qenë vepërmirë, do të pendohet se përse nuk ka bërë më shumë vepra të mira. E nëse ka qenë mëkatar, do të pendohet se përse nuk është penduar”[4]. Kjo do të thotë, se ai pendohet nga mëkati, dëshira për të vdekur dhe kërkon falje”[5].
Njeriu i cili në rast fatkeqësie e bën këtë lutje “O Zot, më jep jetë, nëse jeta është e mirë për mua dhe ma merr jetën, nëse vdekja është më e mirë për mua.” dëshiron për veten të mirën si gjatë jetës apo edhe kur të vdesë, mbështet plotësisht tek Allahu i Lartësuar dhe i shton akoma më shumë veprat e mira, sepse besimtari nuk ngopet kurrë nga e mira, derisa destinacioni i tij të jetë Xheneti.
Disa pyetje të rëndësishme:
1 - Cilat janë ato raste, kur njeriu e ka të ndaluar që të dëshirojë vdekjen?
Rasti i Parë: Kur i bie ndonjë e keqe në trup
Sipas këndvështrimi të fesë islame, kur njeriut i bie ndonjë e keqe në trup, kjo ka një urtësi, të cilën Profeti (a.s.) e ka sqaruar më së miri në hadithin e transmetuar nga Ebu Seid El Hudri:“Gjithçka që e godet muslimanin, qoftë lodhje, sëmundje, gajle, brengë, cënim apo trishtim, madje qoftë edhe një gjemb që e sëmbon, Allahu ia fal mëkatet me secilën prej këtyre”[6]. Pra, pastrimi nga mëkatet dhe gjynahet është urtësia e të keqes, që i bie njeriut në trupin e tij.
Rasti i Dytë: Kur i bie ndonjë e keqe në pasuri
Jeta e kësaj bote është sprovë. Allahu i Lartësuar thotë: “Sigurisht që Ne do t’ju sprovojmë me frikë dhe uri, me dëmtim të pasurisë, të njerëzve dhe të të lashtave. Prandaj, përgëzoji të duruarit, të cilët, kur i godet ndonjë fatkeqësi thonë: Të Allahut jemi dhe vetëm tek Ai do të kthehemi. Ata do të shpërblehen me bekim dhe mëshirë nga Zoti i tyre; ata janë në rrugën e drejtë.”[7] Ndërsa në një ajet tjetër Allahu i Lartësuar thotë: “Sa e sa profetë bashkë me shumë besimtarë të vërtetë luftuan e megjithatë nuk u përkulën para goditjve që morën në rrugën e Allahut, as nuk u dobësuan e as nuk u nënshtruan. Allahu i do të duruarit. Ata vetëm thoshin: O Zoti ynë! Na i fal gjynahet tona dhe teprimin në punën tonë, na i forco këmbët(në istikam) dhe na ndihmo kundë popullit jobesimtar! Dhe Allahu u dhuroi atyre shpërblimin e kësaj bote dhe shpërblimin më të mirë të jetës tjetër. Allahu i do punëmirët.”[8]
Rasti i Tretë: Varfëria
Njeriu në këtë botë herë është në mirëqënie dhe herë tjetër është në vështirësi ekonomike. Profeti (a.s), duke folur për vlerat e besimtarit, thotë: “Çështja e besimtarit është e habitshme dhe në fakt e gjithë çështja e tij është mirësi. Kjo nuk i ndodh askujt tjetër përveç besimtarit. Nëse i vjen një e mirë, ai falenderon dhe kjo është mirë për të, e nëse e godet ndonjë e keqe (fatkeqësi), ai duron dhe kjo është mirë për të.”[9] Ndërsa Allahu i Lartësuar thotë: “Ne ju vëmë në provë me të keqe dhe me të mirë dhe te Ne do të ktheheni”[10]. Ndërsa në një ajet tjetër thotë: “A nuk ishe nevojtar e të bëri të mos ia kesh nevojën askujt? Prandaj, mos e shtyp jetimin”[11]. Nga hadithi i Profetit (a.s) dhe ajetet kuranore kuptojmë, se njeriu gjatë jetës së tij do të përjetojë situata nga më të ndryshmet, prandaj, dëshira për të vdekur në rast varfërie është e ndaluar.
Në Kuranin Famëlartë gjenden ajete kuranore, që mbjellin frymën e shpresës dhe tregojnë se varfëria e njeriut nuk zgjat përjetësisht në këtë botë. Allahu i Lartësuar thotë: “Pasaniku le të shpenzojë sipas pasurisë që ka dhe i varfri le të shpenzojë sipas asaj që i ka dhënë Allahu; Allahu nuk e ngarkon askënd me tepër sesa i ka dhënë. Pas vështirësisë, Ai sjell lehtësimin.”[12] “Me të vërtetë, pas vështirësisë vjen lehtësimi! Vërtet, pas vështirësisë vjen lehtësimi”[13].
Gjëja më e mirë që njeriu mund të bëjë në rast varfërie, është të jetë i devotshëm dhe të kryejë vepra të mira. Pikërisht për këtë gjë na porosit ajeti kuranor: “Kjo është këshillë për ata që i besojnë Allahut dhe Ditës së Fundit. Atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’i gjejë rrugëdalje(nga çdo vështirësi) dhe do t’i japë risk prej nga nuk e pret. Allahu i mjafton kujtdo që mbështetet tek Ai. Allahu e përmbush me siguri vendimin e Tij dhe për çdo gjë Ai ka caktuar masë..Ai që i frikësohet Allahut, Ai do t’ia lehetësojë çështjen”[14].
2 - Përse feja ia ka ndaluar njeriut të dëshirojë vdekjen?
Feja islame e ka ndaluar këtë për disa arsye:
Arsyeja e parë: Tregon ligështim:
Ndërkohë që besimtari në parim nuk ka frikë dhe nuk ligështohet nga vështirësitë e jetës., Allahu i Lartësuar thotë në Kuran: “Me të vërtetë, njeriu është krijuar i paqëndrueshëm, kur atë e godet e keqja, ai ligështohet fort, por kur i bie e mira, ai bëhet koprac. Përjashtim bëjnë ata që falen, e që janë të rregullt në faljen e tyre.”[15] Kur besimtarin, i cili falet rregullisht, e godet ndonjë e keqe, ai nuk ligështohet. Përkundrazi ai qëndron si një fortesë e lartë dhe e palëkundur.
Arsyeja e dytë: Tregon mosdurim:
Çdo e mirë apo e keqe që i vjen njeriut, është e caktuar dhe e shkruar që të ndodhë. Në rastet e fatkeqësisë, bën durim apo nuk bën durim njeriu, fatkeqësia do t’i bjerë dhe ai nuk mund të largohet prej saj. Nëse njeriu bën durim, do të shpërblehet, por nëse nuk bën durim, merr gjynahe.
Arsyeja e tretë: Tregon pakënaqësi ndaj caktimit të Allahut:
Duke dëshiruar vdekjen, njeriu direkt apo indirekt tregohet i pakënaqur ndaj caktimit të Allahut. Nuk ka dyshim se kjo pakënaqësi ndaj caktimit të Allahut është një veprim shumë i keq. Allahu i Lartësuar thotë në Kuran: “S’ka fatkeqësi që godet Tokën dhe ju, që të mos jetë e shënuar në Libër (Leuhi Mahfudh) para se ta krijojmë atë. Kjo për Allahun është vërtet e lehtë! (Këtë përcaktim e kemi bërë) që ju mos të dëshpëroheni për atë që ju ka kaluar, por edhe për të mos u gëzuar së tepërmi për atë që Ai ju ka dhënë. Allahu nuk i do kryelartët mburravecë”[16].
Arsyeja e katërt: Zgjedhja e alternativës më të mirë:
Alternativa më e mirë është kjo lutje “O Zot, më jep jetë, nëse jeta është e mirë për mua dhe ma merr jetën, nëse vdekja është më e mirë për mua”. Nëpërmjet kësaj lutjeje, njeriu i mbështetet plotësisht Allahut të Lartësuar në fatkeqësinë që i ka rënë. Duke iu mbështetur Allahut, ai ka treguar edukatë dhe respekt ndaj Tij. Profeti (a.s) dëshiron, që nëpërmjet kësaj lutjeje, ta rrënjosë në zemrën e çdo besimtari pikërisht këtë edukatë dhe respekt ndaj Allahu.
3 - Në Kuranin Famëlartë lexojmë rreth dëshirës së Merjemes, nënës së Isait (a.s.) për të vdekur.[17] Si është e mundur një gjë e tillë?
Rreth kësaj pyetjeje ka folur shumë qartë dijetari i shquar Muhamed ibn Uthejmin, i cili thotë: “Për t’iu përgjigjur kësaj pyetje themi: Së pari: Duhet ta dimë mirë, se ligji që ka qenë tek popujt përpara nesh, nuk merret për bazë nëse ai bie në kundërshtim me ligjin tonë, sepse ligji ynë është shfuqizues i ligjeve të mëparshme. Së dyti: Merjemja nuk e dëshiroi vdekjen në atë çast, por e dëshiroi atë, përpara se t’i ndodhte ajo ngjarje, edhe sikur të jetonte njëmijë vjet. Pra, e rëndësishme ishte, që të vdiste pa sprovë. Shembulli i saj është si shembulli i thënies së Jusufit (a.s.): “Ti je Mbrojtësi im edhe në këtë botë, edhe në botën tjetër. Bëj që të vdes si mysliman dhe më shoqëro me punëmirët (në botën tjetër)!”[18] Kjo lutje nuk do të thotë, që Jusufi (a.s.) iu lut Allahut që ta bënte të vdiste. Por Jusufi (a.s) iu lut Allahut, që t`ia merrte shpirtin, duke qenë në Islam. Një gjë e tillë nuk është problem. Si për shembull kur lutesh me fjalët: O Zot! Ma merr shpirtin në Islam, besim, monoteizëm dhe sinqeritet, ose ma merr shipirtin, duke qenë i kënaqur ndaj meje, apo lutje të ngjashme si kjo.
Duhet të bëjmë dallimin ndërmjet personit, i cili dëshiron të vdesë për shkak të një fatkeqësie që i ka rënë dhe personit, i cili dëshiron të vdesë në një mënyrë të veçantë, me të cilën Allahu është i kënaqur me të.
Rasti i parë: është ai që Profeti (a.s.) e ka ndaluar.
Rasti i dytë: është i lejuar.
Në fakt, Profeti (a.s) e ka ndaluar, që njeriu të dëshirojë vdekjen, në rast kur atij i bie ndonjë fatkeqësi, sepse kjo tregon se ai nuk është durimtar. Ndërkohë që njeriu e ka për detyrë, që në rast fatkeqësie të bëjë durim dhe të kërkojë shpërblim tek Allahu i Lartësuar. Çdo fatkeqësi që të godet, qoftë ajo gajle, trishtim, sëmundje apo diçka tjetër, të gjitha këto janë shlyerje mëkatesh. E nëse kërkon shpërblimin, atëherë ngrihesh në gradë të larta. Vuajtjet, sëmundjet dhe gjithçka tjetër që e godet njeriun, nuk janë të përhershme, sepse ato medeomos do të mbarojnë. Duke qenë se ajo fatkeqësi mbaron dhe ti ke fituar sevape, ngaqë ke kërkuar që të shpërblehesh tek Allahu i Lartësuar dhe të janë shlyer mëkatet për shkak të asaj fatkeqësie, atëherë kjo gjë është shumë e mirë për ty. Profeti (a.s) thotë në një hadith: “Çështja e besimtarit është e habitshme dhe në fakt e gjithë çështja e tij është mirësi. Kjo nuk i ndodh askujt tjetër përveç besimtarit. Nëse i vjen një e mirë, ai falenderon dhe kjo është mirë për të, e nëse e godet ndonjë e keqe (fatkeqësi), ai duron dhe kjo është mirë për të.”[19] Pra, besimtari në çdo situatë, fatkeqësi apo mirëqënie është në mirësi të madhe”[20]
4 - Cilat janë ato raste kur njeriut i lejohet të dëshirojë vdekjen?
1 – Kur njeriu ka frikë për fenë e tij dhe koha në të cilën jeton, është e prishur
2 – Kur sprovat janë shtuar e sidomos sprova në fe.
3 – Kur njeriu dëshiron të bjerë dëshmor në rrugë të Allahut.
4 – Kur njeriu dëshiron të vdesë në një vend që e ka shenjtëruar Allahu i Lartësuar.
Mësimet e nxjerra nga hadithi:
1 – Stop dëshirës për të vdekur për shkak të një fatkeqësie!
2 – Vlera dhe pozita e durimit.
3 – Rëndësia e zbatimit të këshillave të Profetit (a.s.)
1 – Stop dëshirës për të vdekur për shkak të një fatkeqësie!
I Dërguari i Allahut e thekson këtë gjë në këtë hadith: “Askush prej jush të mos e dëshirojë vdekjen për shkak të një të keqeje që e ka goditur!” si dhe në një hadith tjetër: “Askush të mos e dëshirojë vdekjen e as të lutet që ajo t’i vijë përpara kohës, sepse nëse dikush prej jush vdes, veprat (e mira) i ndërpriten dhe ngaqë mosha sa më e madhe e besimtarit i shton atij vetëm mirësi.”[21]
Ky hadith është argument, se nuk lejohet, që njeriu të dëshirojë vdekjen për shkak të një keqeje që e ka goditur, sepse kjo dëshirë nënkupton largim nga caktimi i Allahut. Dëshira për të vdekur në raste të tilla mbart në vetvete shumë të këqija: pakënaqësinë, pesimizmin, mosdurimin.etj. Ndërkohë që besimtari duhet të jetë gjithmonë i kënaqur me atë që Allahu ka caktuar për të, ta shohë jetën me optimizëm dhe t’i përballojë me durim të gjitha dallgët e jetës, të vogla apo të mëdha qofshin ato. Një prej gjashtë kushteve të besimit është besimi në caktimin e Allahut i mirë apo i keq qoftë ai. Nëse pesë kushtet e tjera duhet të besohen me zemër, sepse ato i përkasin botës së gajbit, edhe ky kusht duhet të besohet me zemër, por ka një specifikë të veçantë nga kushtet e tjera: që besimi në këtë kusht të jetë i plotë, njeriut i duhet të përballet me realitetin, në atë mënyrë që Allahu i Lartësuar të jetë i kënaqur me të. Dëshira e njeriut për të vdekur në kësi rastesh është mëkat i madh dhe njeriu gënjen veten, kur thotë se beson se çdo gjë është e shkruar. Ajo që është e shkruar se do të ndodhë, do të ndodhë pa as më të voglin dyshim, por njeriu duhet t’i thotë përfundimisht stop dëshirës për të vdekur në kësi rastesh.
2 – Vlera dhe pozita e durimit:
“Durimi është liman i besimtarit, që kthehet tek ai çdo herë. Kjo është hallkë e rëndësishme me të cilën ai e mban imanin e tij. Nuk ka iman, ai që nuk ka durim. Nëse njeriu i tillë ka edhe sadopak iman, atëherë ai iman është shumë i dobët dhe ai njeri i nënshtrohet Allahut vetëm sipërfaqësisht. Nëse i bie ndonjë e mirë, ai është i qetë, e nëse bie në ndonjë sprovë sado të vogël, i kthehet mosbesimit dhe kështu e humb këtë dhe botën tjetër.
Jeta më e mirë është ajo, të cilën e kanë jetuar të lumturit duke iu falënderuar durimit. Ata janë ngjitur drejt shkallëve më të larta me falenderimin e tyre. Kanë fluturuar në krahët e durimit dhe falenderimit drejt e në kopshtet e Xhenetit. Kjo është mëshirë e Allahut, të cilën Ai ia jep kujt të dojë. Vërtet Allahu shpërblen me shumë të mira”.[22]
Pikërisht në momentet dhe çastet kur njeriut i bie ndonjë e keqe, shfaqet vlera dhe pozita e lartë e durimit. Prandaj edhe Allahu i Lartëusuar thotë në Librin e Tij: “Vërtet mendojnë njerëzit, se do të lihen të thojnë: ne besojmë, pa u vënë në provë? Ne i kemi sprovuar ata që kanë qenë para tyre, në mënyrë që Allahu të dallojë ata që thonë të vërtetën nga ata që gënjejnë.”[23]“Vërtet mendoni të hyni në Xhenet, pa provuar atë që kanë provuar të tjerët para jush? Ata i goditi mjerimi dhe sëmundjet dhe, aq shumë u tronditën, saqë çdo i dërguar dhe ndjekësit e tij, thirrën: Kur do të vijë ndihma e Allahut?! Ja, ndihma e Allahut është afër!”[24]
Qëllimi kryesor i të keqes që i vjen njeriut, është që çdo gjë të jetë e qartë dhe të dallohet ai që është i durueshëm nga ai që nuk bën durim. Durimi më i mirë është, që njeriu në kësi rastesh ta pranojë me kënaqësi atë që është caktuar për të. Duke medituar në jetën e Profetëve të Allahut, arrijmë në konkluzionin, se fatkeqësitë që u kanë ndodhur atyre, kanë qenë më të rënda, por ata asnjëherë nuk e dëshiruan vdekjen dhe të gjitha fatkeqësitë i përballuan me durim. Meqë Profetët e Allahut janë udhërrëfyesit tanë në rrugën e drejtë, detyra jonë është, që të zbatojmë gjithçka që na ka ardhur nga udhëzimi i tyre.
3 – Rëndësia e zbatimit të këshillave të Profetit (a.s.):
Një mësim të rëndësishëm që e përftojmë nga ky hadith është zbatimi i këshillës së Profetit (a.s.) për të mos e dëshiruar vdekjen, si pasojë e një keqeje që i bie njeriut. Në shumë ajete kuranore, Allahu i Lartësuar e ka obliguar për besimtarët zbatimin e urdhrave të Profetit (a.s) Allahu i Lartësuar thotë: “O besimtarë! Bindjuni Allahut dhe të Dërguarit të Tij.”[25] Nuk ka dyshim, se ai i cili i bindet urdhrave të Profetit (a.s), fiton shpërblime të mëdha. Ja se çfarë thotë Allahu i Lartësuar për ata, të cilët i binden udhrave të Profetit (a.s): “Kushdo që i bindet Allahut dhe të Dërguarit, do të jetë me ata të cilëve Allahu u ka dhënë shumë dhunti: me profetët, me të sinqertët, me dëshmorët dhe me të drejtët! Eh sa shokë të mrekullueshëm janë këta!”[26] Kjo do të thotë, se kush vepron sipas urdhrave të Allahut dhe të Dërguarit të Tij dhe i braktis ato gjëra, të cilat Allahu dhe i Dërguari i Tij i kanë ndaluar, Allahu i Lartësuar ka për t’i vendosur në Xhenet dhe ata do të jenë miq me Profetët, pastaj me ata që janë në gradë më të ulët se Profetët që janë të sinqertët, pastaj dëshmorët dhe pastaj masa e gjerë e besimtarëve të drejtë, që si brendësia ashtu edhe veprat e tyre të dukshme kanë qenë të mira. Ky ajet kuranor flet qartë për rëndësinë e zbatimit të këshillave të Profetit (a.s)
Dëshira për të vdekur në realitetin tonë:
Në fakt, është për të ardhur keq, që dëshira për të vdekur dhe akoma më keq vetvrasja është një fenomen i përhapur në ditët e sotme, sidomos në shoqërinë tonë. Ky fenomen është i përhapur në disa shtresa të shoqërisë sonë:
Dëshira për të vdekur në shtresën e varfër të shoqërisë:
Varfëria është një fenomen shumëdimensional me pasoja të dëmshme dhe të pakalueshme për individët, të cilët gjenden në një situatë të tillë. Të ardhurat e ulëta apo minimale të një familje të varfër ndikojnë drejtpërdrejt në emancipimin e familjes, si në edukim po ashtu edhe në arsimin. Nuk ka dyshim, se shtresa më e prekur nga dëshira për të vdekur është shtresa e varfër e popullsisë. Kushtet e rënda ekonomike, papunësia e madhe dhe niveli i lartë i korrupsionit janë shkaqet kryesore, që njeriu i varfër të bjerë në depresion të thellë, të dëshirojë vdekjen dhe në fund pse jo edhe të tentojë të vrasë veten. Një dëshirë e tillë do të thotë ikje dhe mospërballje me realitetin. Mirëpo çdokush që e dëshiron vdekjen për shkak të varfërisë, duhet që medeomos t’ia shtrojë vetes pyetjen: “A është me të vërtetë vdekja zgjidhje?” Kjo nuk është absolutisht e vërtetë për disa arsye: Në shumicën e rasteve, personi i cili dëshiron të vdesë, është kryetari i familjes i cili më pas vret edhe veten. Duke vrarë veten, ai nuk ka shpëtuar ashtu siç mund të duket në pamje të parë, por ai i ka shtuar familjes së tij një hall më të madh. Prandaj ky njeri përpara se të dëshirojë të vrasë veten, në rradhë të parë duhet të mendohet mirë për familjen e tij, që do të lërë pas vetes. Ndërsa një aspekt tjetër shumë i rëndësishëm është, se ai duhet ta dijë mirë, se jeta e kësaj bote është sprovë. Edhe nëse e marrim si të mirëqënë faktin, se ai gjatë gjithë kësaj jete do të jetojë si i varfër, nuk duhet të harrojë kurrë faktin, se në botën tjetër njeriu më i varfër që ka qenë në këtë botë, sikur të futet vetëm për një çast në Xhenet, ka për ta harruar varfërinë e tij.
Dëshira për të vdekur tek adoleshentët:
Adoleshentë llogariten fëmijët e moshës nga 12-21 vjeç. Në këtë periudhë, ata kalojnë nëpër ndryshime fizike dhe emocionale. Nryshimet shpesh janë të dhimshme dhe ndikojnë duke shkaktuar huti tek fëmijët dhe tek prindërit. Në këtë periudhë, ata krijojnë një lloj pavarësie ndaj prindërve dhe mendojnë se nuk mund të lëndohen. Ata janë të bindur, se çfarëdo që bëjnë, asgjë e keqe nuk mund t’u ndodhë. Madje ata që kanë ndikim të madh në vendimet e tyre janë shokët. Atyre ju lindin dëshira nga më të ndryshmet, të cilat janë shkak i pakënaqësive dhe mospajtimeve me prindërit e tyre. Ata nuk e dinë, se shumë vendime që i ndërmarrin vetë, janë të gabuara dhe se prindërit e tyre duan për ta më të mirën. Nga qortimet e shpeshta të prindërve për çdo veprim të tyrin, lind edhe dëshira për të vdekur dhe kjo dëshirë është evidente tek çdo adoleshent. Por, kjo dëshirë ngelet vetëm në konturet e dëshirës, sepse në shumicën e rasteve ata nuk e ndërmarrin hapin më të rëndë të jetës së tyre për të vrarë veten. Kuptohet që ka raste përjashtuese, por realiteti ky është. Në fakt, prindërve iu del një punë shumë serioze për të krijuar ura komunikimi me fëmijët e tyre, që ta kalojnë sa më me sukses këtë fazë delikate të jetës së tyre.
Dëshira për të vdekur tek gratë:
Një shtresë tjetër që e dëshiron vdekjen, janë edhe gratë, ose thënë më saktë amvisat. Të lodhura nga punët e shtëpisë, mungesa e ndihmës së bashkëshortëve (ngadonjëherë edhe nga dhuna që ata ushtrojnë mbi to), si dhe nga mosbindja e fëmijëve, shtëpiaket nxjerrin nga gojët e tyre fjalë apo shprehje, që nënkuptojnë dëshirën për të mos jetuar. Megjithatë kjo dëshirë është thjesht kalimtare dhe nuk rrënjoset thellë në zemër, përveç rasteve shumë të rralla. Pavërësisht faktit që kjo dëshirë është kalimtare, shtëpiaket duhet që t’i largojnë nga fjalori i tyre të tilla fjalë dhe shprehje, sepse puna që ato kryejnë, është tepër fisnike. E ku ka më mirë, sesa të kujdesesh për shtëpinë, bashkëshortin dhe fëmijët që janë zbukurimi i kësaj jete.
Argumentet dhe dobitë e hadithit:
1 - Nuk lejohet që njeriu ta dëshirojë vdekjen për shkak të një keqeje që e ka goditur.
2 - Dëshira për të vdekur për shkak të një të keqeje shpreh mosdurim dhe pakënaqësi ndaj caktimit të Allahut.
3 - Durimi në rastet e fatkeqësive është detyrim dhe obligim.
4 - Besimtari i mbështetet vetëm Allahut të Lartësuar në raste fatkeqësish.
5 - Për besimtarin vazhdimësia e jetës është më e mirë, sepse ai ka mundësi që të kryejë më tepër vepra të mira.
6 - Nëse besimtari ka frikë se mos sprovohet në fenë e tij, atëherë i lejohet që ta dëshirojë vdekjen, por duke u lutur sipas lutjes që na ka mësuar Profeti (a.s.)
7 - Kjo lutje thuhet vetëm në këtë rast.
8 - Është më mirë që njeriu të mos e bëjë këtë lutje.
Epilog:
Në epilogun e këtij hadithi po përcjellim durimin e sahabiut të nderuar Habab ibën El Eret, të cilit sëmundja i zgjati as shumë, saqë edhe dhimbjet i kishte të forta. Kajs ibn ebu Hazim thotë: “Hymë tek shtëpia e Hababit për ta vizituar nga dhimbjet që kishte, për shkak se ishte mjekuar shtatë herë me mjekimin e djegies. Ai tha: Ata që kanë qenë përpara nesh kanë ikur dhe kjo botë nuk i bëri për vete. Edhe ne jemi ndëshkuar shumë, e nëse Profeti (a.s) nuk do të na kishte ndaluar që të luteshim për të vdekur, unë do të isha lutur që të vdisja”.
[1] Transmeton imam Buhariu, nr:5671. Ky tekst është i tij. Transmeton imam Muslimi, nr: 2680.
[2] Marrë nga .zeriyt.com/psikologji-sociologji/vetevrasja-t6400.30.html
[3] Transmeton imam Buhariu, nr: 5778.
[4] Transmeton imam Et Tirmidhi, nr: 2403. Hadithi është shumë i dobët. Megjithatë, përmbajtja e tij është e vërtetë, sepse Allahu i Lartësuar në suren Ez Zumer thotë:”Që të mos thotë njeriu: Mjerë për mua që nuk i kam kryer detyrimet ndaj Allahut. Madje edhe jam tallur! Ose të thotë: Sikur Allahu të më kishe ushëzuar, do të isha bërë njeri i devotshëm, ose të thotë kur ta shohë dënimin: Ah, sikur të ishte e mundur për t’u kthyer edhe njëherë e të bëhesha njeri i mirë.” Sure E Zumer: 56-58.
[5] Marrë nga libri “Shpjegimi i Rijadus Salihin” i Muhamed ibn Uthejminit, fq: 248.
[6] Transmeton imam Buhariu, nr: 5642. Ky tekst është i transmetuar prej tij. Transmeton imam Muslimi, nr: 2573
[7] Sure El Bekare: 155-157.
[8] Sure Ali Imran: 146-148.
[9] Transmeton imam Muslimi,nr: 2999.
[10] Sure El Enbija: 35.
[11] Sure Ed Duha: 8-9.
[12] Sure Et talak: 7.
[13] Sure Esh Sherh: 5-6.
[14] Sure Et Talak: 2-3,4.
[15] Sure El Mearixh: 19-23.
[16] Sure El Hadid: 22-23.
[17] “Ajo tha: Ah, sikur të kisha vdekur para kësaj ngjarjeje dhe të isha harruar krejt.” Sure Merjem: 23.
[18] Sure Jusuf: 101.
[19] Transmeton imam Muslimi, nr: 2999.
[20] Marrë nga libri “Shpjegimi i Rijadus Salihin” i Muhamed ibën Uthejminit, fq: 1/251.
[21] Transmeton imam Buhariu, nr: 5376 dhe imam Muslimi, nr: 2682.
[22] Marrë nga libri “Premtimi për durimtarët dhe nozulli i falenderuesve” i Ibën Kajm el Xheuzije, fq: 20-21; bazuar tek perkthimi i Muhamed Bajramit dhe Bexhet Jasharit.
[23] Sure El Ankebut: 2-3.
[24] Sure El Bekare: 214.
[25] Sure En Nisa: 59.
[26] Sure En Nisa: 69.
Perktheu: Elton Harxhi