Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e sotme në qytetin e Beratit, ku një 38 vjeçar ka tentuar ti jap fund jetës në dhomën e tij të burgut, ndërkohë që po lufton me jetën në spitalin e Traumës në Tiranë, ku u dërgua në gjendje kritike.
Ngjarja mësohet se ka ndodhur gjatë paradites së sotme, por është mbajtur e fshehtë nga të gjitha institucionet përgjegjëse.
Ka qenë 38 vjeçari, Bujar Murati, banor i fshatit Lybeshë, në bashkinë Poliçan, i cili mësohet se është gjetur i vetë-varur në dhomën e burgut. Kanë qenë gardianët ata që kanë gjetur në gjendje të rëndë 38 vjeçarin, i cili menjëherë u dërgua në spitalin e Beratit.
Për shkak të gjendjes së rëndë, ai është transportuar për në Spitalin e Traumës në Tiranës.
As drejtoria e IEPV-së në Berat dhe as policia në këtë qytet nuk kanë bërë të ditur lajmin.
Ngjarja është denoncuar nga Dega e PD-së në këtë qytet. Ka qenë kryetari i kësaj dege, Gazment Azizi, i cili në një deklaratë për mediat bëri me dije se nuk është hera e parë që në këtë institucion ndodhin ngjarje të tilla të rënda.
“Denoncojë heshtjen e IEPV-së në Berat dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, që më porosi të kryeministrit Rama fshehin çdo ngjarje të rëndë që nxjerr hapur fytyrën e shtetit të kapur nga krimi”, u shpreh ai.
Tashmë priten hetimet që duket se janë në duart e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe Ministrisë së Drejtësisë për të hedhur dritë mbi këtë ngjarje të rëndë.