Ambasadori i Maqedonisë në Tel Aviv, Pajo Aviroviç, është takuar
personalisht me tre shtetasit që ndodhen në paraburgim në burgun e
Bershevës në Izrael.
Aviroviç ka informuar se tre shtetasit e
Maqedonisë, Jasmin Rexhepi 28 vjeçar, Sami Emini 57 vjecar dhe Sead
Ramadani 44 vjeçar janë shëndosh e mirë, dhe pritet që brenda ditës të
fillojë edhe procedura për deportimin e tyre. Ende nuk dihet nëse ata
do të deportohen direkt në Shkup apo përmes Turqisë.
“Ministria
izraelite konfirmoi se në një nga anijet ka 3 shtetas të Maqedonisë.
Ata gjenden në paraburgim në qytetin Bersheva. Pritet që gjatë ditës të
fillojë edhe procedura për deportimin e tyre nga Izraeli në Maqedoni.
Ne presim që procedura të filloj gjatë ditës dhe posa të filloj, nga
ana jonë menjëherë do të ndërmerren të gjitha masat. Ne presim që në
afat sa më të shkurtër të deportohen në Maqedoni, nuk mund të themi
saktë kohën pasi e gjithë kjo, varet sërish nga autoritete izraelite”,
deklaroi Borçe Stamov, përfaqësues i MPJ për marrëdhënie me publikun.
Por
familjarët e aktivistëve nuk janë shumë optimist për kthimin e tyre
gjatë ditës së sotme pas sulmit nga ana e izraelit. Familjarët
konfirmojnë se 3 shtetasit nga Maqedonia, kanë udhëtuar vetëm me
qëllimin humanitar.
“Pas gjithë kësaj që bëri Izraeli sinqerisht nuk
presim sot kthimin e tyre. Mendoj se edhe pak do të luajë rolin e
kaubojit kryesor në botë ashtu që presim nesër apo pasnesër. Të tre
shtetasit e Maqedonisë janë me pasaporta të Maqedonisë, shtetësi të
Maqedonisë dhe të lindur në Maqedoni, në anije ka edhe flamur të
Maqedonisë. Ajo që ne plotësisht na irriton, janë deklaratat që i japin
përfaqësuesit e Maqedonisë, kryeministri pra ne presim dënim më të
ashpër meqë ata janë shtetas të Maqedonisë”, theksoi Mersiha
Smajlloviq, bashkëshorte e Jasmin Rexhepit.
“Nuk kemi kurrfarë
kontakti direkt me familjarët tanë. Besojmë se është i vërtetë lajmi,
dëshirojmë që sa më shpejt të kthehen edhe pse ndonjëherë mendoj se
mund të ndodh edhe më keq nga ajo që ndodhi dje nga ana e Izraelit duke
mos i lënë të kthehen, menjëherë por t’i mbajnë në paraburgim një muaj
apo dhjetëra ditë. Besoj se kjo nuk do të ndodh dhe ambasadori ynë dhe
Ministria e Jashtme do të punojnë në këtë drejtim”, tha Fuat Emin,
djali i Sami Emin.
Tre shtetasit e Maqedonisë gjendeshin mes 700
aktivistëve humanitar, të cilët në karvanin prej 6 anijesh tentonin të
dërgonin ndihma në rajonet palestineze. Por, forcat izraelite të cilat
prej kohësh kanë mbyllur çdo vendkalim për në Gaza, hipën në anije dhe
u përplasën me aktivistët, duke vrarë 9 prej tyre. Rreth 30 të tjerë
kanë mbetur të plagosur.alsat-m.tv