Hz. Omeri (r.a) ishte i pari që...
(U quajt “emirul-mu’minine”, që do të thotë: prijës i besimtarëve.)
Hz. Omeri (r.a) shquhet për drejtësinë e tij, korrektësinë,
seriozitetin dhe angazhimin në respektimin e kufijve të fesë. Edhe kur
profeti (a.s) ishte prezent me ta, edhe në kohën e Ebu Bekrit (r.a) dhe
gjatë kalifatit të tij, Omeri ishte i gatshëm për të dhënë mendime e për
të vepruar atë që ishte e drejtë dhe legjitime, në shërbim të fesë,
drejtësisë dhe ruajtjes së harmonisë së njeriut me veten, shoqërinë dhe
rregullat e shtetit. Janë të shumta inisiativat e tij për të vepruar
sipas urtësisë dhe nevojës për më të mirën e lejuar. Ai është i pari që
ndërmori shumë veprime, që jo vetëm i shërbyen Thirrjes Islame, por
vërtetuan nevojën e përhershme që ka shoqëria islame për frymën e
reformës e gjallërisë. Librat që flasin për jetën e tij rreshtojnë me
dhjetra nga reformat e tij. Arsyetoj të mjaftohem me sa vijon:
1. Zgjeroi xhaminë e Resulull-llahit (a.s), pasi prishi ekzistuesen,
duke futur brenda saj edhe shtëpinë e Abbasit (r.a).
2. Mori mbi supe gjykimin, me kërkesën e Ebu Bekrit (r.a), duke u bërë
gjykatësi i parë në Islam. Ebu Bekri, kalifi i parë, e kërkoi këtë gjë
prej tij, duke i thënë: “Gjyko në mes të njerëzve, sepse jam i zënë!”
3. U quajt “emirul-mu’minine”, që do të thotë: prijës i besimtarëve.
4. Dhuroi një tokë vakëf. Ibni Omeri (r.a) thotë: “Sadekaja e parë
(vakëfi) në Islam është një tokë në Hajber e dhuruar nga Omer
ibnul-Hattabi”.
5. Krijoi “bejtul-mal”, ndryshe “thesarin e shtetit”, gjë që nuk
ekzistonte në kohëne Resulull-llahit (a.s), as në kohën e Ebu Bekrit
(r.a).
6. Krijoi kalendarin islam (hixhri).
7. Mblodhi njerëzit pas një imami për namazin e teravisë, gjatë muajit
Ramazan.[1] Etj.
Studioi: Imam Muhamed Sytari