Tradita të papranuara!
Falënderimi i takon All-llahut. Atë e falënderojmë dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje nga All-llahu prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona. Kë e udhëzon All-llahu s'ka kush e lajthit dhe kë e largon nga rruga e vërtetë, s'ka kush e udhëzon. Dëshmoj se s'ka hyjni tjetër përveç All-llahut, i Cili është Një dhe dëshmoj se Muhammedi është rob dhe i dërguar i Tij .
Të nderuar besimtarë!
Allahu i Madhëruar, siç kemi përmendur shumë herë, e shpalli këtë fe për tërë njerëzimin dhe për të gjitha kohët. Ajo, asnjëherë, nuk është reduktuar vetëm brenda mureve të faltoreve. Përkundrazi, prej fillimit e gjer në amshim synon që njeriun ta nxjerr nga mëdyshja në besim, nga konfuzion në bindje, nga amorali në moral, nga kurvëria në nder, nga traditat në program, nga teket në parime, nga doket në norma...Islami është fe, e cila paralelizëm nuk pranon. Ose Islam ose ndryshe nuk bën. Allahu i Madhëruar shpalli:
"Feja e pranueshme tek All-llahu është Islami...". ([1])
"O ju që besuat, hyni në islamizmin e tërësishëm (përqafojeni fenë islame në tërësi), e mos ndiqni rrugën e djallit, sepse ai është armik juaji i hapët". ([2])
Kështu e ka Islami. Po nuk e pranove atë, fe nuk ke, po e bëre "mix" me të tjerat, gabove shumë.
Xhematlinjë të nderuar!
"Tradita të papranuara" e titulluam këtë hutbe të sodit por me të nuk synuam traditat e huaja në veshje, dukje, sjellje, që sot shoqërinë tonë e kanë zhveshur nga petku fetar e kombëtar. Ato janë bërë, (ne thonjëza) "normale" për shoqërinë tonë. Hutbeja jonë i dedikohet atyre që edhe sot, në këtë periudhe tranzicioni edhe të kulturave, mundohen ta mbajnë fenë, qoftë edhe formalisht, duke organizuar ndonjë ndejë fetare si dasmë synetie, gosti me rastin e hyrjes në shtëpi të re, të realizimit të ndonjë qëllimi, etj., por që shoqërohen edhe me "solemnitete" përcjellëse, të cilat sigurisht se rrënojnë tërë atë që quhet fetare. Them kështu, ngase bazuar në ajetet që përmendëm, paralelizmi zakonor në Islam nuk ka vend. Të bësh gosti për dasme synetie me hoxhallarë e me pas të vazhdosh me muzikë e këngë, është diç që nuk tolerohet. Nuk bën paradite të këndosh Kur'an a Mevlud e pasdite këngë e valle në hotel. Nuk ka hoxhë në tavolinë e këngëtare në sallon. Ose këtë ose atë, por për të parën ke shpërblim e për të dytën ndëshkim. Nuk duhet të ekzistojë thënia "Edhe për Zot edhe për epsh". Jo, vetëm për Zot duhet të bëjmë çdo gjë. Thotë Allahu i Madhëruar:
"Thuaj: "Namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë thjesht për All-llahun, Zotin e botëve. 163. Ai nuk ka shok (nuk adhuroj tjetër). Me këtë (thjeshtësi të adhurimit vetëm për Zotin) jam i urdhëruar dhe jam i pari i muslimanëve (i pari që pranoj dhe bindem)! 164. Thuaj: " A të kërkojë Zot pos All-llahut, e Ai është Zot i çdo sendi (ekzistues) dhe dëmi i secilit person është kundër vetes. Askush nuk do ta bartë barrën e tjetrit. Mandej, kthimi juaj është te Zoti juaj; e Ai ju njofton për atë që përçaheshit". ([3])
Muslimanë të dashur!
Neve nuk synojmë me këtë që t'i largojmë besimtarët nga mbajtja për fesë islame. Assesi, tërë ajo që synojmë është që mundi i tyre të shpërblehet dhe veprimet e tyre të jenë në vijë ligjore të Islamit. Ndryshe, të punosh, qoftë edhe shumë, por jo në përputhje me parimet fetare, konsiderohet se ke humbur shumë. Ka thënë Muhammedi, alejhi's selam: "Kush vepron diç që nuk është në pajtim me fenë tonë, ajo (vepër) është e refuzuar". ([4])
Islami si fe në agjendën e tij kurrë nuk futi sasinë e ndonjë gjeje. Ai synoi përherë cilësinë. "Veprat me të mira janë ato që janë në rrjedhë e sipër, edhe nëse janë pak" ([5]) -na mësonte Muhammedi, alejhi's selam. Kështu, më mirë është të falësh 2 rekate namaz nafile konform rregullave fetare se sa të falësh 20 shkel e shko. Më mirë është të kesh dhjetë muslimanë të sinqertë se 100 hipokritë. Më mirë është të mos bësh asgjë se sa të bësh diç që bie ndesh me fenë. Më mire është të mos kremtosh, fetarisht, dasmën e synetisë se sa ta festosh e më pas të organizosh muzikë, vallëzim, e gjëra tjera që Islami i ndalon ato.
Besimtarë të respektuar!
Edhe pse Pejgamberi, alejhi's selam ka thënë: "Veprat vlerësohen sipas qëllimeve dhe çdokujt i takon ajo që e ka për qëllim..." ([6]), megjithatë kjo assesi nuk arsyeton veprimin e ndaluar. Nijeti apo qëllimi është kusht por po nuk u përputh me veprën, refuzohet. Dëshira e njeriut për të bërë diç fetare natyrisht se duhet vlerësuar e lëvduar, ambiciet për t'i kontribuar fesë prej neve duhet të stimulohen e shtohen, porse rekomandimet dhe udhëzimet për anën normative të tyre nuk duhet të mungojnë kurrë. Po humbi ky element, atëherë konsiderohet që ne kemi filluar një nismë, barrën e së cilës do ta kemi për shumë kohë. Thotë Pejgamberi, alejhi's selam: "Kush sjell një shprehi a traditë të mirë në Islam do ta fitojë shpërblimin e saj, por edhe shpërblimin e të gjithë atyre që pas tij e punojnë atë, por pa ju zvogëluar aspak shpërblimi i tyre. Ndërsa kush sjell në Islam një shprehi a traditë të keqe, do të jetë barrë mbi të, por edhe barra e të gjithë atyre që ashtu veprojnë pas tij, pa iu zvogëluar aspak përgjegjësia dhe dënimi i atyre të tjerëve". ([7])
Vëllezër dhe motra muslimanë!
Punoni që Allahu të jetë i kënaqur me ju. Dijeni se fundi juaj nuk është tek njerëzit por është tek Allahu, i Cili edhe iu krijoi. Andaj, punoni mbarë që nesër kur të dilni para Allahut të jeni fytyrëbardhë. Thotë Allahu:
"Ditën kur çdo njeri e gjen pranë vete atë që veproi mirë ose keq, e për atë të keqe që bëri, do të dëshirojë që në mes tij dhe në mes të asaj të jetë një distancë shumë e madhe (e mos ta shohë). All-llahu u jep të frikësohen prej dënimit që vjen prej Tij...". ([8])
Sedat G.Islami
.
[1] Ali Imran, 19
[2] el-Bekare, 208
[3] el-En'ame, 162-164
[4] Muslimi
[5] Buhariu
[6] Muttefekun alejhi
[7] Muslimi
[8] Ali Imran, 30