Vizita dhe kujdesi ndaj një të sëmuri janë të detyrueshme në rast kur ai (i sëmuri) është në prag të vdekjes dhe i cili paraprakisht ka mungesë të kujdesit dhe vëmendjes (p.sh. nëse të afërmit i ka të vdekur etj.). Në fakt, është farz kifaje (detyrim kolektiv) që të sëmurët të jenë të mbikëqyrur
. Pra, nëse një musliman i përmbush kërkesat dhe mungesat e të paaftit, atëherë të gjithë muslimanët tjerë janë të shfuqizuar nga mbikëqyrja, porse nuk do të thotë që ata nuk bën të vizitohen.
Megjithatë, ta vizitosh dhe të përkujdesesh për dikë që ka ndonjë sëmundje të lehtë, gjegjësisht, grip apo të ftohtë, atëherë kjo është punë që e ka rekomanduar Pejgamberi alejhi selam, pra, sunnet. I Dashuri i All-llahut e zbatonte këtë gjë pa mos bërë dallim mes të lartit e të ultit, zotëriut e shërbëtorit, të pasurit e të varfrit, muslimanit e jomuslimanit e kështu me radhë.
Megjithë faktin se është e rekomanduar që i sëmuri të vizitohet, duhet të kihen parasysh norma të caktuara. Pra, nuk duhet bërë zhurmë e as nuk duhet të zgjaten muhabetet për gjëra të parëndësishme. Më tej, thënë shkurt, vizitori nuk duhet të qëndrojë gjatë kohë tek shtëpia e të sëmurit.
Pejgamberi alejhi selam na ka këshilluar që të lutemi për ripërtëritjen e vëllait tonë të sëmurë. Meqenëse i sëmuri gëzon një privilegj të veçantë te i Lartësuari dhe meqë lutja e tij pranohet, ata që vizitojnë ndonjë të sëmurë, është e udhës të kërkojnë nga ai (i sëmuri) që të luten për ta.
Krahas asaj se të sëmurit i pranohen lutjet dhe gëzon një pozitë të mirë tek All-llahu i Madhërishëm, ndaj tij janë paraparë edhe koncesione (lëshime) në çështjen e kryerjes së obligimeve fetare. Pra, një i sëmurë mund të mos agjërojë nëse lëngon nga ndonjë sëmundje e përhershme dhe nëse nuk vërehen gjasa përmirësimi, mund të japë të holla si kompensim për mosagjërim. Më tej, nëse i njëjti (person) has në vështirësi për të marrë abdest ashtu si duhet, ai mund të marrë abdest të thatë (tejemmum). Ngjashëm, i sëmuri koncesionohet edhe në rastin e haxhit. Ta marrim shembull nëse ndonjëri prej atyre që janë duke e kryer haxhin ka ndonjë pengesë prej flokëve të veta, ai mund t'i rruajë ato ende pa prerë kurban, veçse duhet ta kompensojë këtë parregullsi me kurban, të holla ose agjërim të mëvonshëm.
Sa i përket çështjes së namazit, për të nuk ka tolerim për moskryerje, megjithatë, ka tolerim në kushtet e tij. Për shembull, nëse ndokush nuk është i aftë të qëndrojë në këmbë për ta kryer faljen, ai mund të falet ulur. E nëse as kështu nuk mundet, atëherë mund të falet shtrirë. Mes tjerash, Kur`ani Famëlartë e quan sëmundje edhe periudhën kur femra është me menstruacione! Kështu, pra, ajo nuk obligohet t'i përmbushë detyrat e saj ndaj bashkëshortit të vet. Për më tepër, ajo gjithashtu nuk është e obliguar as ta kryejë faljen e namazit, as të agjërojë as t'i bëjë disa rituale të caktuara nëse është në tokat e shenjta duke e kryer haxhin. Për në fund, vlen të themi se të sëmurët dhe të paaftët nuk janë të obliguar as për të marrë pjesë në xhihad.
Argumente nga Kur`ani
1) "(Jeni të obliguar për) Ditë të caktuara, e kush është i sëmurë prej jush ose është në udhëtim (e nuk agjëroi), atëherë ai (le të agjërojë) më vonë aq ditë! E ata që i rëndon ai (nuk mund të agjërojnë), janë të obliguar për kompensim - ushqim (ditor) ndaj një të varfëri, e ai që nga vullneti jep më tepër, ajo është aq më mirë për të. Mirëpo, po qe se e dini, agjërimi është më i mirë për ju! (Ato ditë të numëruara janë) Muaji i Ramadanit që në të (filloi të) shpallet Kur'ani, që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra).
E kush e përjeton prej jush këtë muaj le të agjërojë, ndërsa kush është i sëmurë ose në udhëtim, le të agjërojë aq ditë nga ditët e mëvonshme! All-llahu me këtë dëshiron lehtësim për ju, e nuk dëshiron vështirësim për ju! (Të agjëroni ditët e lëshuara më vonë) Që të plotësoni numrin, ta madhëroni All-llahun për atë se u udhëzoi dhe që të falënderoni!" (Kur`an, 2: 184-185).
2) "E kryeni haxhin dhe umren për hir të All-llahut, po në qoftë se pengoheni, atëherë (therni për kurban) çka t'ju vijë më lehtë prej kurbaneve, e mos i rruani kokat tuaja derisa të arrijë kurbani vendin e caktuar. Po kush është prej jush i sëmurë ose ka mundim koke (e rruhet para kohe) kompensimi është: agjërim, sadaka ose kurban. E kur jeni të sigurt, ai që bënë umren para haxhit (duhet therë) një kurban që i vjen më lehtë, mirëpo nëse nuk ka, le të agjërojë tri ditë gjatë haxhit e shtatë ditë kur të ktheheni, këto janë dhjetë ditë të plota. Ky është rregull për ata që nuk e kanë familjen pranë xhamisë së shenjtë. Pra kini dro All-llahun dhe dijeni se All-llahu është ndëshkues i rreptë!" (Kur`an, 2: 196).
3) "O ju që besuat! Kur doni të ngriheni për ta falë namazin, lani fytyrat tuaja dhe duart tuaja deri në bërryla; fërkoni kokat tuaja, e këmbët lani deri në dy zogjtë! Nëse jeni xhunubë, atëherë pastrohuni (lahuni)! Në qoftë se jeni të sëmurë, ose në ndonjë udhëtim, ose ndonjëri prej jush vjen prej vendit të nevojës, ose keni kontaktuar me gratë dhe nuk gjeni ujë, atëherë mësyjeni (merrni tejemum) dheun e pastër dhe me të fërkoni fytyrat dhe duart tuaja! All-llahu nuk dëshiron (me obligim për abdest e larje) t'ju sjellë ndonjë vështirësi, por dëshiron t'ju pastrojë (prej mëkateve), t'ua plotësojë të mirën e Tij ndaj jush e që t'i falënderoheni!" (Kur`an, 5: 6).
4) "Të pyesin ty për të menstruacionin (hajdin). Thuaj: "Ajo është gjendje e neveritur, andaj largohuni prej grave gjatë menstruacionit dhe mos iu afroni atyre (për marrëdhënie) derisa të pastrohen! E kur të pastrohen, atëherë afrohuni atyre ashtu siç u ka lejuar All-llahu!". All-llahu i do ata që pendohen dhe ata që ruhen prej punëve të ndyta e të neveritshme!" (Kur`an, 2: 222).
5) "Nuk është mëkat (të ngelë pa dalë) për të verbrin, për të çalin, e as për të sëmurin! E kush e respekton All-llahun dhe të dërguarin e Tij, Ai atë e fut në xhennete ku rrjedhin lumenj, e kush mbetet prapa, Ai atë e ndëshkon me një dënim të dhembshëm!" (Kur`an, 48: 17).
Argumente nga Sunneti
1. Ebu Musa (All-llahu qoftë i kënaqur prej tij!) rrëfen se Pejgamberi alejhi selam ka thënë: "Ushqeni të varfrit, vizitoni të sëmurët dhe lironi të zënët rob!". [Mishkatul Mesabih]
2. Aliu (All-llahu qoftë i kënaqur prej tij!) rrëfen se Pejgamberi alejhi selam ka thënë: "Secilën herë që muslimani e viziton vëllain e vet kur ky është i sëmurë, 70.000 engjëj luten për të (vizituesin) deri në mbrëmje, e nëse e viziton në mbrëmje, po aq engjëj luten për të deri në mëngjes dhe po ai njeri do të ketë një kopsht me fruta në Xhennet!". [Transmeton Tirmidhiu dhe ebu Davudi]
3. Ebu Sejidi (All-llahu qoftë i kënaqur prej tij!) rrëfen se Pejgamberi alejhi selam ka thënë: "Kur shkoni për të vizituar ndonjë të sëmurë, largojani shqetësimin për vdekjen e tij! Kjo do t'ia ngushëllojë shpirtin, megjithëse kjo nuk mund ta evitojë çastin e vdekjes!". [Transmeton ibën Maxhe dhe Tirmidhiu]
4. Ebu Hurejra (All-llahu qoftë i kënaqur prej tij!) rrëfen se Pejgamberi alejhi selam ka thënë: "Kush e viziton një të sëmurë, një zë nga Xhenneti do të thotë: Qofsh i lumtur! Ecja jote qoftë e këndshme dhe u strehofsh në një shtëpi të Xhennetit!". [Transmeton ibën Maxhe]
5. Ibën Abbasi (All-llahu qoftë i kënaqur prej tij!) tregon se Pejgamberi alejhi selam e vizitoi një të sëmurë dhe kur hyri tek shtëpia e tij e pyeti se çfarë dëshironte, e ai e përmendi elbin, kurse Pejgamberi alejhi selam u tha njerëzve që t'i sjellin atij elb dhe më pastaj tha: "Nëse i sëmuri kërkon diçka - le t'i sigurohet atij ajo gjë!". [Transmeton ibën Maxhe]
6. Omer ibën el-Hattabi (All-llahu qoftë i kënaqur prej tij!) rrëfen se Pejgamberi alejhi selam ka thënë: "Kur ndonjëri prej jush e viziton ndonjë të sëmurë, thuani atij që të lutet për juve ngase lutja e të sëmurit është si lutja e engjëjve!". [Transmeton ibën Maxhe]
7. Ibën Abbasi (All-llahu qoftë i kënaqur prej tij!) rrëfen se Pejgamberi alejhi selam ka thënë: "Pjesë e sunnetit është që kur ta vizitosh të sëmurin të mos qëndrosh shumë gjatë dhe mos të bësh zhurmë!". [Transmeton Razini]
8. Ebu Hurejra (All-llahu qoftë i kënaqur prej tij!) rrëfen se Pejgamberi alejhi selam ka thënë: "Në Ditën e Gjykimit, All-llahu i Lartësuar do t'i drejtohet birit të Ademit dhe do t'i thotë: O bir i Ademit! Unë isha i sëmurë dhe ti nuk Më vizitove!, kurse biri i Ademit do të thojë: O All-llahu im! Si të të vizitoja Ty kur Ti je Zotërues i të gjitha botëve? Më pastaj, All-llahu do t'i thotë: A nuk e dije se filani prej robërve të Mi ishte i sëmurë dhe a nuk e dije se sikur ta vizitoje atë, do të Më kishe gjetur Mua?...!". [Transmeton Muslimi]