Melaiket-engjujt
Nga kushtet më kryesore të besimit tonë në All-llahun xhel-le shanuhu është besimi në melaiket (engjujt), njohja e vërtetë e tyre dhe njohja e asaj , me të cilën i ka urdhëruar ato All-llahu xhel-le shanuhu.
Me besimin tonë në melaiket arrijmë gjer te njohja e gjërave më të rëndësishme për të cilat jemi pyetur shumë herë si dhe dëshirojmë të ndalemi para vërtetësisë e tyre.
2)
Melaiket janë krijesa prej krijesave të All-llahut xhel-le shanuhu, janë të padukshme, nuk hetohen, nuk kanë ekzistim trupor që shihet e as nuk preken me dorë. All-llahu xhel-le shanuhu i ka pastruar ato nga gabimi dhe devijimi dhe i ka mbrojtur nga mëkatet dhe të këqiat.
Ato nuk janë sikurse njerëzit, nuk hajnë, nuk pijnë, nuk flejnë, janë botë tjetër, botë e cila ndryshon nga bota e njerëzve dhe nga bota e atyre të cilët ne i shohim.
3)
Gjëja kryesore me të cilën veçohen melaiket nga njerëzit është: adhurimi i shumtë që i bëjnë All-llahut xhel-le shanuhu, gjithmonë i bëjnë ibadet, pa përtaci.
Thotë All-llahu i Madhëruar: "... nuk e kundërshtojnë All-llahun për asgjë që Ai i urdhëron dhe punojnë atë që janë të urdhëruar."(suretu et-Tahrim 65).
Gjithashtu thotë: " Atij i bëjnë tesbih natën dhë ditën dhe ata nuk mërziten prej adhurimit." (suretu el-Fusilet 38).
Janë krijesa të zgjedhura të All-llahut xhel-le shanuhu për këtë All-llahu xhel-le shanuhu i zgjodhi për ta kryer detyrën më të ndershme.
4)
A ka detyrë më të ndershme se përcjellja dhe transmetimi i sheriatit tek të dërguarit dhe lajmëtarët, që t’i thërrasin njerëzit në adhurimin e të vetmit All-llah. Kjo është detyra e ndershme të cilën e zgjodhi All-llahu xhel-le shanuhu për melaiket.
All-llahu i Madhëruar thotë: " Falënderimi i qoftë All-llahut Sajuesit të melaikeve me nga dy palë, tri palë e katër palëkrahë, ndërmjetësues (në mes Tij dhe pejgamberëve). Ai shton në krijim atë që do, vërtet All-llahu ka fuqi për çdo send."(suretu el-Fatir 1).
All-llahu xhel-le shanuhu nuk ua kishte besuar këtë detyrë po të mos ishin të veçuara me këto cilësi madhështore nga krijesat tjera të All-llahut të Madhëruar.
5)
Nga cilësitë tjera që veçohen në krijim e për të cilat na ka informuar All-llahu xhel-le shanuhu janë se ato kanë krahë ashtu siç u përmend në ajetin e lartëpërmendur. Numri i krahëve është i ndryshëm, prej tyre ka që kanë nga dy krahë, nga tri krahë, apo nga katër palë krahë por ka prej tyre që kanë edhe më tepër se kaq, e ai është Xhibrili alejhi-s-selam, siç transmetohet në hadithin e Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve selem se ai e ka parë Xhibrilin i cili i kishte gjashtëqind palë krah.
6)
Nga cilësitë e tyre gjithashtu është se ata kanë fuqi që të ngriten dhe të zbresin mes qiejve dhe tokës me shpejtësi të madhe.
All-llahu i Lartësuar thotë: " Atje ngriten engjujt dhe shpirti (Xhibrili) në një ditë që zgjatë pesëdhjetë mijë vjet ( ose lartësia e atyre shkallëve është pesëdhjetë mijë vjet." (suretul-Mearixh 4). Shpejtësia e melaikeve nuk matet e as nuk krahasohet me shpejtësinë e njerëzve, e as nuk ka mundësi për përgjasim apo afrim mes atyre.
7)
Nga cilësitë e tyre gjithashtu është se ato janë të krijuara nga drita, siç transmetohet nga Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve selem. Posedojnë fuqi të jashtëzakonshme të cilën nuk e ka as njeriu më i fuqishëm nga njerëzit, për këtë tetë prej tyre e mbajnë Arshin (Fronin) e Mëshiruesit, i Lartësuar qoftë. All-llahu xhel-le shanuhu thotë:
" Dhe engjëjt (melaiket ) qëndrojnë në skajet ( anët) e tij, e atë ditë, tetë (melaike) e bartin mbi vete Arshin e Zoit tënd." (suretu el-Hakka 17).
8)
Prej melaikeve ka melaike të cilat i caktoi All-llahu i Madhëruar për marrjen e shpirtërave të njerëzve gjatë vdekjes së tyre. Prijësi i këtyre melaikeve është "Melekul-Mevt (meleku i vdekjes), i cili ka ndihmëtarë tjerë prej melaikeve. Thotë All-llahu i Lartësuar:
"... derisa kur t’i vijë ndonjërit prej jush vdekja, atij ia marrin shpirtin të dërguarit Tonë dhe ata nuk bëjnë kurrfarë lëshimi."(suretu el-En’am 61).
9)
Nga melaiket, gjithashtu ka melaike të cilat i dërgon All-llahu xhel-le shanuhu për t’u ndihmuar njerëzve besimtarë. All-llahu i Lartësuar thotë: "Edhe kur Zoti yt u kumtoi melaikeve se Unë jam me ju, pra inkurajoni ata që besuan." (suretu el-Enfal 12).
Besimi ynë në këtë lloj të melaikeve na bënë që të punojmë që ta meritojmë inkurajimin e All-llahut me melaike.
10)
Prej melaikeve ka të atilla të cilat i ka obliguar All-llahu xhel-le shanuhu që t’i shkruajnë veprat tona, që të shkruajnë të mirat dhe të këqiat tona.
All-llahu i Lartësuar thotë: "A mendojnë se Ne nuk e dëgjojmë ndjenjën e fshehtë të tyre dhe bisedën e tyre? Po, e dëgjojmë dhe të dërguarit tonë ( melekët përcjellës) që janë pranë shkruajnë." ( suretuz-Zuhruf 80).
Besimi ynë në këtë lloj të melaikeve, të obliguara me shkrim na bën që të jemi gjithnjë të kujdesshëm, që mos të biem në ndonjë sherr se përndryshe na e regjistrojnë këtë melaiket kundër neve.
Kjo gjithashtu na bënë që të kemi gjithmonë shpresë dhe nxitje të plotë në kryerjen e veprave të mira, që t’i shkruajnë këto melaiket dhe t’i regjistrojnë.
11)
Fjala përfundimtare është se:
Vërtet besimi në melaiket i zgjeron njohuritë e njeriut për sistemin e kësaj gjithësie të cilën e ka krijuar All-llahu xhel-le shanuhu me forma të shumta dhe lloje të ndryshme. Te besimtari është prezente njohja e vërtet dhe kuptimi i shëndoshë për të vërtetat abstrakte të gjithësisë ashtu siç e ka informuar All-llahu xhel-le shanuhu mbi to.
Gjithashtu ky besim vetvetiu na bën me dije se ata të cilët e kundërshtojnë All-llahun xhel-le shanuhu janë të paktë, po edhe në qofshin këta shumica e njerëzve, ngase të gjithë njerëzit nuk mund të krahasohen as me melaiket, e ku mbeten krijesat tjera të cilat të gjitha i janë nënshtruar All-llahut, përveç disave.
Të nënshtruarit, vetëm ata janë me të cilët është i kënaqur All-llahu xhel-le shanuhu dhe të cilët do t’i futë në xhennetin e Tij.