Mos u bë hileqar!
Le të mendojmë së bashku për fjalët e All-llahut të Lartësuar:
“E ata që përgatitin dredhi të këqija, për ata është një dënim i rëndë dhe dredhia e tyre është e zhdukur.” (1)
“Ata bënin plane, e All-llahu i asgjësonte, se All-llahu është më i miri që asgjëson (dredhitë).” (2)
“(megjithatë) Ata përgatitën kurthin e tyre, por kurthi i tyre gjendet në duar të All-llahut, qoftë ai kurthi i tyre që shkulen edhe kodrat nga ai.” (3)
“Ata përgatitën një kurth e Ne ua shpërblyem kurthin duke mos e hetuar ata. Pra, vështro se çfarë ishte përfundimi i dredhisë së tyre. Në të vërtetë, Ne zhdukëm të gjithë ata dhe popullin e tyre. E këto janë shtëpitë e tyre të mbetura shkret për shkak të mizorisë së tyre. E nuk ka dyshim se në këtë (rrënim) për një popull që kupton ka argument.” (4)
“Edhe ata që ishin para tyre vënë intriga. Po All-llahu rrënoi në themel ndërtimet e tyre (intrigat) dhe kulmi u shemb mbi ta, dhe ashtu u erdhi dënimi kah nuk e kujtuan.” (5)
“E kur Ne ua dhurojmë njerëzve mëshirën pasi t’i ketë goditur e keqja (skamja), kur qe, ata u bëjnë hile argumenteve tona. Thuaj: “All-llahu është më i shpejti në ndëshkim”. S’ka dyshim, përcjellësit tanë (melaiket) regjistrojnë atë që po thurni ju.” (6)
“… por nuk mashtrojnë tjetërkënd pos veten e tyre dhe prapëseprapë nuk kuptojnë.” (7)
“A mos janë të sigurt ata që përgatitën kurthe, se All-llahu nuk do t’i trandë ata me tokën, ose nuk do t’u vijë atyre dënimi kah nuk e mendojnë? Ose t’i rrëmbejë ata duke qenë në udhëtimet e tyre (për jetë e tregti), e ata nuk mund t’i shpëtojnë asaj. Ose do t’i kapë ata duke qenë në panik nga frika. Po, s’ka dyshim se Zoti juaj është i butë, i mëshirshëm (andaj nuk ua ngut dënimin).” (8)
“(Largim) Për shkak të mendjemadhësisë dhe dredhisë së keqe, por dredhia e keqe nuk godit tjetër vetëm ata që kurdisën.” (9)
“Edhe ata (jobesimtarët) para tyre (idhujtarëve) bënë intrigë, po e gjithë intriga i është nënshtruar dëshirës së All-llahut, Ai e di se çka vepron secili njeri.” (10)
“A mos u siguruan ata prej ndëshkimit të All-llahut? Nuk sigurohet kush prej frikës së ndëshkimit të All-llahut pos njerëzve të humbur.” (11)
Meditimi për këto ajete dhe përsëritja e leximit me vëmendje dhe seriozitet mbjell në zemër frikën për largimin nga mashtrimi (dredhia, hileja, dinakëria, tinëzia, komploti, kurthet, intriga, pabesia, ligësia). Ajetet e bëjnë të qartë ndëshkimin mbi veprimin a trillimin, që bëhet për të mashtruar dikë. Ajetet sikur të thonë: Mos mashtro, ki kujdes! Muhamedi, alejhis-selam, thotë: “Dredhia, mashtrimi dhe tradhtia janë në zjarr.” (12)
Kujdes, mos mendo të tradhtosh, sepse do të tradhtohesh. Shumë prej njerëzve që po jetojnë në këtë botë sillen me All-llahun e Lartësuar si hileqarë; veprojnë me gruan e tyre me dinakëri, me babanë me tinëzi, me drejtorin dhe shokun e punës me mashtrim, me fqinjin dhe ata që janë afër tij me ligësi. Mendon i shkreti se mund ta mashtrojë All-llahun e Lartësuar, t’i bëjë hile, tinëzi, etj.
Ibën Xhevziu ka thënë një fjalë shumë të rëndësishme: “Dikush vazhdon të bëjë mëkat, por bën edhe disa vepra të mira. Pasha All-llahun, kjo padyshim që është dredhi ndaj All-llahut.”
Njëri caktoi takimin për ta takuar të nesërmen një vajzë. Rrinte ulur në xhami para hatibit (ligjëruesit) dhe mendonte për ditën (kohën) e takimit. Kështu vazhdon në mëkat. Vallë, a All-llahun tënd do ta mashtrosh? E ha haramin (të ndaluarën) dhe është njeri i ryshfetit, megjithatë fal namaz, jep sadaka (ndihmon të varfrit). Athua, kujt po i bën kurth?!
Tjetrin e sheh në xhami duke bërë istigfar (kërkon falje nga All-llahu), ndërsa në xhep ka paketën e duhanit. Ai vazhdon kështu në mëkat dhe thotë: “All-llahu im më fal!”
I nderuar, kë po mashtron?!
Edhe më shqetësuese është kur dëgjon dikë të shprehet i revoltuar duke thënë: “Për Zotin, nuk do të pendohem, e as nuk do ta fal namazin!”
Në vend që të thotë: “Pendohem tek All-llahu. Jo mëkatit!”, i hidhëruar thotë: “Po, do të jem me mëkatin dhe jo me pendimin!”
Ka dallim mes atij që e bën mëkatin, pastaj kërkon falje, kthehet tek All-llahu, pendohet, i vendosur për mos ta përsëritur dhe në mes atij që përgatit kurthe. Po ashtu, ka dallim mes atij që mëkaton pa dijeni dhe pendohet dhe në mes atij që planifikon, intrigon, insiston dhe vazhdon në mëkat.
Duhet të meditojmë për ajetet e lartpërmendura. Ti sheh dallimin në mes atij, i cili është i përfshirë në mëkat, i mundur nga epshi e njohja e cekët dhe në mes atij, i cili planifikon kurthe, kurdis komplote, vëzhgon, përpiqet, hulumton të dyshimtat dhe paraqitet i verbër ndaj rregullave. Pikërisht për këtë edhe dënimi i hileqarit është më i rëndë sesa dënimi i mëkatarit të kufizuar në dije. Atëherë, nëse të them: Ti paraqitesh me disa vepra të mira dhe vazhdon me mëkate. Mos thuaj: Unë nuk do të falem, derisa të largohem nga mëkatet. Pse nuk largohesh nga mëkatet e të vazhdosh të falesh? All-llahu im! Pranoje pendimin e çdo mëkatari musliman!
Le të mendojmë së bashku për ngjarjen e banorëve të fshatit buzë detit, kur ata i bënë dredhi All-llahut të Lartësuar dhe injoruan masat e ndëshkimit, e pastaj u shndërruan në majmunë. All-llahu i Lartësuar ka thënë: “Dhe pyeti ti (Muhamed) për fshatin që ishte në breg të detit kur ata e shkelën (thyen) rendin e të shtunës (që e kishin të ndaluar peshkimin). Kur të shtunën e tyre peshqit (me shumicë) u vinin para syve mbi ujë, e në ditën që nuk festonin nuk u vinin. Ja, kështu i sprovuam ata ngase ishin mëkatarë.” (13)
Pra, pyeti, o Muhamed, çifutët e Medinës për lajmin e të parëve të tyre mbi çështjen e një vendbanimi që ishte buzë bregdetit. Çfarë u bë me ata pasi thyen urdhrin e All-llahut dhe peshkuan ditën e shtunë? A nuk i deformoi (ua humbi formën e rregullt të fytyrës e të trupit) All-llahu ata në majmunë dhe në derra?
Shkelja e dispozitave ose mëkati në Ditën e Shtunë ishte më e lehtë se mëkatet e tjera, si vrasja e të dërguarve të All-llahut, kërkesa për të parë All-llahun, përulja ndaj idhujve, adhurimi i viçit etj. Pa dyshim se mëkati i Ditës së Shtunë ishte më i vogël, por nga mëkatet e tjera ata nuk u deformuan në majmunë dhe derra. Kur shkelën dispozitat e së Shtunës, u ndëshkuan. Kjo tregon se ndëshkimi nuk ishte vetëm për mëkatin, por për shkak të dredhisë së tyre. Fejruzabadi ka thënë: “Mëkati i tyre ishte mospërfillja dhe përçmimi i All-llahut.”
Ata i hapën gropat dhe i lëshuan rrjetat ditën e premte, kurse peshqit mbetën në gropa dhe në rrjeta të shtunën. Ata i shikonin peshqit dhe të dielën e tërhiqnin rrjetën me peshq. Ata bënë hile kur lëshuan rrjetën të premten, ndërsa ditën e shtunë i kishin futur duart në xhepa dhe i shikonin peshqit duke mbetur në rrjetat e lëshuara dhe thoshin: “O Zot, shiko ne si jemi të dëgjueshëm ndaj Teje ditën e shtunë, e ne nuk kemi bërë asgjë.”
Ah, mjerë ata se si vepruan! Ah, mjerë ata si u ndëshkuan!
Atëherë, nëse dëshiron të arrish deri tek All-llahu, pendohu prej të gjitha formave të mashtrimit, të dredhisë, të hiles, të dinakërisë, të tinëzisë, të komplotit, të kurtheve, të intrigës, të pabesisë, të ligësisë.
(1)Fatir, 10.
(2)Enfalë, 30.
(3)Ibrahim, 46.
(4)Neml, 50-52
(5)Nahl, 26.
(6)Junus, 21
(7)Enam, 123.
(8)Nahl, 45-47.
(9)Fatir, 43.
(10)Rad, 42.
(11)Araf, 99.
(12)Hakimi, el-mustedrek (4/607). Albani në librin “Sahihul Xhami’is-Sagir” (6602) e cilëson për hadith sahih.
(13)A’rafë, 163.
Autori: Muhamed Husejn JA’KUB
Përktheu dhe përshtati: Ulvi FEJZULLAHU