Turma, njerëz jo të përqendruar, e as të bashkuar. Përqendrimi, kur qëllimi dhe misioni bashkë bëhen; në lehtësi e vështirësi, durim e ndihmë, jo pëlcitës, zhurmues e shpinë kthyer. Të bashkuar, jo vetëm litari prej turmës të tërhiqet, por të mbahet, edhe kur në buzë të greminës turma gjendet. Zhurmë, bërtitmë, disa madhërojnë Zotin, por disa madhërojnë edhe unin. Le të sprovohet turma! Në këto valë të trazuara.
Të dëshmohet! Robër të Zotit, ata që në heshtje e në vetmi dëshmojnë, jo duke ngrit zërin, por duke ngritur vetveten në shkallët e moralit, të edukatës dhe të vetëdijes. Vetëdija nuk ngrihet duke bërtitur e as duke lëvizur andej-këndej, por duke lexuar e duke vrojtuar, duke medituar e duke vëzhguar. Po sa njerëz urtësinë dhe linjën e drejtë kuptojnë! Në qetësi, çështjet zgjidhen. Në paqe, suksesi arrihet.
Po, valë të trazuara, sepse turma nuk e di se në cilin vend jeton. I kujt është ky vend! Nëse është i yni apo i atyre! Jo, nuk është vend i ynë, vendi ku të drejtat jo që vetëm shkelen, por edhe të fyhen. Ku jep, për të ndërtuar, e çatinë mbi kokë të prishin! Ku të pastrehët nuk gjejnë strehë, edhe atëherë kur të tjerët japin, e dhëna e tyre, shton luksin e atyre që prishin, e nuk ndreqin. Këta janë që morën besën dhe e thyenë atë.
Besa thyhet, sepse turma që bërtet, e lëvizë, jo të përqendruar e të bashkuar, i bënë ata, besëthyer, të vazhdojnë besëthyerjen! Me plot nder e respekt, shoqërisë i drejtohen, me buzëqeshje ironike, dëshmojnë rrejshëm e pa fije turpi. Madje edhe nderin e pragut të shtëpisë e nëpërkëmbë, duke ngarendë pas barkut, pas epshit, e i nënçmuar e i çnjerëzuar pas jetës i vënë. Sa saktë e thënë, në mesazhin e profetëve të Zotit: Po s’pate turp, gjithçka bën! Turpi, vlerësohesh kur nuk vëzhgohesh, edhe kur me pushtet sprovohesh.
Nuk mund të jetë vend i sigurt një vend që prodhon varfëri. Jo vetëm varfëri, por edhe injorancë. Injoranca shtruese e pushtetit të padrejtëve, e zullumqarëve. Prodhohet frikë në zemrat e të nënshtruarve, jo vetëm për t’i dobësuar, por edhe pikën e fundit të ndërgjegjes që nder e guxim nxit, për t’ua pirë. Ku zëri i arsyes mundet e mbytet nga zëri i hutesë, zëri zhurmës, zëri i këngës, që injorancës, naivitetit dhe idiotizmit i këndon! Rini e hipnotizuar! Ata janë njerëz, por në djallëzi, edhe djallit thuajse duan t’ia kalojnë.
Nuk po mjafton plaçka e të nënshtruarve. Duan t’ua marrin edhe shpirtin e ndërgjegjes. Duan t’ua nxijnë edhe jetën. Duan që t’i detyrojnë të heqin dorë nga qëllimi i jetës. Duan t’i bëjnë përzemërsisht të deklarohen: Na lini të qetë, ju bëni ç’të doni! Ndërsa, krimi vazhdon. Dhuna vazhdon. E, njeriu, që nëna e lindi të lirë, skajohet, Zotin e vet për ta adhuruar dhe madhëruar, e të gjejë qetësinë shpirtërore, e të mos bëhet dhunues, hajdut, e shkatërrimtar, -si të tjerët-, e dëbojnë, e torturojnë, e i shkaktojnë avari!
I kujt është ky vend! Kjo tokë, e çliruar. Apo ende rinia nuk është poshtëruar! Apo ende prindërit fëmijët e tyre në tokë të gjallë s’po i groposin! Apo ende burri gruan e vet s’po e vret; apo prindi fëmijët e vet, apo prindin, i biri i vet! A këtë duan, a këtë synojnë! E ç’synojnë tjetër, kur nderi është bërë më i lirë se gjithçka tjetër. Kur nderi i bijave shqiptare rrugëve përdhoset, e shitet! Gjak i shkelur! Ata, besëthyesit, e shitën atë. E shitën, e për kundërvlerë shoqërisë shkatërrimin po i sjellin.
Po, sepse ka rënë ambicia. Ka rënë brenga. Rinia është plakur. E ka plakur errësira e paditurisë. Truri është trashur. Është mykur. Është palosur. Është bërë lëmsh! E ka plakur mungesa e edukatës. Ajo ka rënë në shtratin e vdekjes. Shtrat nënshtrimi dhe përbuzjeje. Ky është vendi, ku objektet e edukimit janë shndërruar në objekte ahengu! Ku burra s’prodhojnë, por njerëz, që turren pas ahengut e dëfrimit. Rruga shpie në rrugë të stërmbushura, jo me edukatë e moral, por me shfrenim, e me epsh e mbushur plotë, me ushtri xhindësh vërdallë! Ata janë njerëz, por më të xhindosur se xhindët vetë.
Po, turma, turma atë punë ka! Kur valët trazohen. Trazohen edhe mendjet bashkë me zemrat. Përveç të urtëve. Përveç atyre që duan të fitojnë luftën, e jo betejën. Të fitojnë kënaqësinë e Zotit, e jo plaçkën e luftës.