Të mëkatosh - çfarë padrejtësie!
“Dhe Ai ju dha gjithë atë që e kërkuat (që kërkoi nevoja juaj) dhe, edhe në qoftë se përpiqeni t’i numëroni të mirat e Allahut, nuk do të mund të arrini t’i përkufizoni (në numër). Vërtet, njeriu është i padrejtë dhe shumë përbuzës.” - [Kur’an, 14:34]
Vallë a nuk zgjohet prej gjumit, dhe fillon një ditë e re për të? Jo, po të ishte falënderues, çdo ditë e tij e re, do të ishte një faqe më e mirë se e mëparshmja e jetës së tij.
Mëkati, para se të jetë padrejtësi ndaj të tjerëve, është padrejtësi ndaj vetvetes; është ligësi, dobësi, hidhësirë dhe tradhti ndaj të pastrës dhe të bukurës. Ai errëson zemrën; verbon të parët e saj, nuk dallon të bardhën nga e zeza; ia humb asaj ndjeshmërinë, e nuk do të dijë veçse të vërtitet në vende të liga dhe të papastra. Sepse nuk sheh e as nuk ndjen. E ç’faj ka ajo zemër e shkretë! Jo, por mbajtësi i saj do të japë llogari; sa e madhe është ajo ditë!
E shtyri mendjemadhësia poseduesin e asaj zemre të mos pendohet; e bën ta mendojë vetveten se është i pagabueshëm, se është më i mirë se të tjerët. Ndërkaq, qëndron mendjemadh me këmbëngulësi dhe nuk pranon të korrigjohet, e as të përmirësohet. Inati dhe xhelozia ia bën zemrën edhe më të ngurtë, e as që ndien keqardhje!
Po, sepse mëkati i tij është thjesht sjellje njerëzore, sepse secili njeri gabon, edhe ai duhet të gabojë, por ka harruar se i biri Ademit besimtar musliman gabon, por pendohet dhe përmirësohet. Jo, ai arsyetohet…, i justifikon mëkatet e veta: e kanë shtyrë të tjerët të mëkatojë. Nuk ka njeri më të mirë se ai, të tjerët janë të këqij; e detyrojnë të zhytet në mëkate. Posi! Vetëm një botë qenkësh: botë mëkatarësh! Prandaj, nuk është ai fajtor, faji është i të tjerëve.
Gjithsesi! Çdo arsyetim është paaftësi për të qenë i drejtë e mungesë vullneti për të qenë i përmirësueshëm. Nuk arsyetohet ai që beson në Zot! E kush e ndjen madhështinë e Allahut, mediton dhuntitë e Tij; vallë a nuk zgjohet prej gjumit, dhe fillon një ditë e re për të? Jo, po të ishte falënderues, çdo ditë e tij e re, do të ishte një faqe më e mirë se e mëparshmja e jetës së tij: falënderimi i takon Allahut, që më ktheu në jetë pasi më bëri të vdes! Jeta të kthehet çdo mëngjes, që ti të fillosh një jetë të re; jo vetëm të ndërrosh datat e kalendarit, por të ndryshosh e të përmirësosh datat e personalitetit tënd: shpirtin, zemrën e mendjen. Gjithsesi, lum ai që merr mësim!
Ah, sikur mëkatari të dinte të pinte ujë të shëndetshëm, të pastër e burimor, kurrë nuk do t’i kthehej më mëkatit. Jetës do t’i sillte furnizim të pastër, bekim e paqe. Do të arrinte atë që shumë njerëz (mëkatarë të tjerë) nuk do ta arrinin. Po shpirti, shpirti është frymë hyjnore; Allahu i Madhërishëm ta dhuroi e ti u ngrite mbi nivelin e tokës. Shpirti do qetësi dhe e gjen qetësinë kur shmangen mëkatet dhe përkujtohet Zoti i saj, Allahu i Madhërishëm. Shpirt i qetë e i sigurt; zemra e qëndrueshme dhe e rehatshme. Për të nuk ka më sprova të rënda e të lehta; sido qofshin janë shtim i mirësisë dhe shkallës së lumturisë së përhershme.
E kush nuk e urren vetminë! Po njeriu ndjehet i vetmuar kur ia kthen shpinën mirësive të Allahut. Sa keq për atë që ende nuk e ka kuptuar këtë! Mos vallë ka ndjenjë më të veçantë se të mos ndiesh tmerr nga vdekja, e as të mos adhurosh dheun – tokën, bashkë me ç’ka mbi të?! Vdekja është një shkallë më afër Zotit tënd që të krijoi, e moslakmia ndaj dheut, dhunti e zotësi për të mos u bërë rob i krijesave të Allahut!
O Allah! Ty të takon e tërë mirësia! Ti i premtove nëpërmjet të Dërguarit Tënd, Muhammedit (salAllahu alejhi ve selem), se ata që vdesin duke qenë të penduar, të përmirësuar dhe të devotshëm ndaj Teje, do t’u dërgosh engjëj përgëzuese me Xhennetet e Tua! Do t’i nxjerrësh nga ngushtësia e jetës së kësaj bote në gjerësinë e Jetës së Vërtetë, ku banorët e Xhenneteve të Tua do të shohin Madhështinë Tënde!
Dita e Gjykimit! Ç’di o njeri për këtë ditë?! Një Ditë e Tmerrshme! Mundim, frikë, tmerr, vapë, djersë, pritje…, jo me qindra vite, por me mijëra! Atë ditë, nuk do të ketë hije përveç hijes së Allahut. E kush do të qëndrojë nën e hijen e Arshit të Allahut, nën fronin madhështor?! Kush vallë?! Ata, me të cilët, Zoti i këtij froni është i kënaqur!
Pse të mos jemi të kënaqur me të mirat e Allahut, që Allahu të jetë i kënaqur me ne?! Pasha Allahun, sikur të tentonim t’i numëronim mirësitë e Tij ndaj nesh deri në ditën e Gjykimit, nuk do t’ia arrinim dot!
O njeri, si mund të jetosh në tokën e Allahut, të ushqehesh prej furnizimit të Tij, e megjithatë, me mëkat të pajtohesh?
Dëgjo Allahun, e kundërshto epshin!
Sakrifiko jetën e përkohshme me pak mundim e vuajtje, e fito Jetën e Përhershme përplot lumturi!