Në formimin dhe zhvillimin e personalitetit të Muhammedit a.s. vërejmë se kanë ndikuar një varg ndikuesish: Ai pati një fëmijëri të rëndë dhe me çaste të vështira. U lind pa baba dhe shumë shpejt mbeti edhe pa nënë. Zakonisht për fëmijët e tillë themi se kanë mangësi, sepse në mozaikun e personalitetit të tyre mungon elementi kyç, ai i prindit: përkëdhelja, ngrohtësia, kujdesi, udhëzimi.
Gjithashtu, transferimi i fëmijës nga shtëpia (e gjyshit Abdulmuttalibit) në shtëpi (te axha Ebu Talibi), pastaj puna e rëndë për ta mbajtur veten dhe për ta ndihmuar axhën e tij do të linin vragë në shpirtin e njom të fëmijës. Por, kjo sërish jo që nuk ndikoi negativisht, por përkundrazi. Situatat e vështira jetësore Muhammedin e vogël, ende të njom, e kalitën në Muhammedin a.s. të madh, të denjë për misionin më serioz që kurdoherë ka ndodhur në historinë njerëzore.
Mungesa e ndjenjës prindërore ndaj tij nuk bëri që ai të vrazhdësohet dhe të rebelohet në karakterin e tij, por sipas dëshmisë së më të afërmve të tij, tregohet se ai posedonte ndjenja atërore të papërshkrueshme: butësia, dhembshuria, kujdesi qenë udhëzime për të gjithë e jo vetëm për familjen e tij. Ai ngrihej në këmbë edhe përballë fëmijëve të tij, edhe para Zejdit për të cilin kujdesej, edhe para shumë të tjerëve. Së pari vepronte e pastaj edhe fliste. Kjo sjellje e tij bëri që të gjithë ta pasonin dhe të silleshin sipas udhëzimit të tij.