Allahu i madhërishëm thotë:
“Ju e kishit shembullin më të lartë në të Dërguarin e Allahut...”.
(El-Ahzab, 21).
Të gjithë njerëzit në jetën dhe veprën e tyre ndjekin ndonjë shembull. I pari ndjek traditën familjare, i dyti ndjek traditën e mjedisit, kurse i treti orientohet në politikanë apo dijetarë të caktuar. Te personat e rinj sidomos janë me rëndësi personalitetet e rëndësishme historike nga fusha e politikës, kulturës, shkencës.
Te të rinjtë këta personalitete shërbejnë si model të duhet pasuar, personaliteti i tyre u jep motiv, elan dhe arsye që të qëndrojnë të papërkulshëm para furtunave të kohës; ata për të rinjtë shërbejnë kriter për të bërë përzgjedhje të drejtpeshuar, të matur dhe largpamëse.
Është vështirë të përcaktohet kriteri kyç i pranuar për të gjithë, për vlerësimin e kontributit të ndonjë personalitetit botëror. Shumë prej tyre kanë dhënë kontribute të shumta dhe njerëzinë e kanë futur në borxh. Në tërë këtë numër njerëzish meritorë: kryetarësh, ushtarakësh, shkencëtarësh e të tjerë, shkencëtarët myslimanë, por edhe ata objektivë jomyslimanë, pohuan se Muhammedi a.s., është personaliteti ideal, personaliteti numër një i tërë historisë njerëzore. Ai me veten dhe misionin e tij, me përmbajtjen dhe kompleksitetin e mesazhit të tij, më shumë se çdo kush tjetër ndikoi në rrjedhat fetare, politike, historike, kulturore etj. në histori. Edhe J. W. von Goethe, edhe G. B. Shaw, edhe Michael M. Hart shprehin konsideratat më të larta për Muhammedin a.s..