Një studim i financuar nga Ministria e Brendshme e Gjermanisë mbi jetën islame në Gjermani ka zbuluar një rritje të ndjeshme të numrit të gjermanëve që po pranojnë Islamin, raporton javorja "Der Spiegel”.
Sipas studimit të bërë nga Instituti Qendror Islam-Arkiv, me seli në qytetin Soest, numri i të konvertuarve mes korrikut 2004 dhe qershorit 2005 arriti në 4000, katër herë më i lartë se në periudhat e mëparshme.
Salim Abdullah, që drejton institutin, u shpreh se shumica e të konvertuarve ishin femra dhe njerëz të arsimuar. Ai theksoi se sa herë që mediat gjermane nisin ndonjë fushatë shpifjesh ndaj muslimanëve, më shumë njerëz pranojnë Islamin.
Mohammad Herzog, një udhëheqës i muslimanëve që banon në Berlin, nuk dha ndonjë arsye të veçantë për konvertimin e këtyre njerëzve, por u shpreh se shumë prej të konvertuarve kishin qenë më parë të krishterë të devotshëm që kishin vënë në dyshim besimin e tyre. Në Gjermani ka afërsisht 3.5 milionë muslimanë, shumica dërrmuese e të cilëve me origjinë turke ose nga popujt e ish-Jugosllavisë.