Porosi nga Krijuesi yt ! (ajete të zgjedhura)
1:1. Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
1:2. Falënderimi i takon All-llahut, Zotit të botëve!
1:3. Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
1:4. Sunduesit të Ditës së Gjykimit (përgjegjësisë-shpërblimit)!
1:5. Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm te Ty kërkojmë ndihmë!
1:6. Udhëzona (përforcona) në rrugën e drejtë!
1:7. Në rrugën e atyre, të cilët i begatove me të mira, jo në të atyre që kundër veti tërhoqën hidhërimin, e as në të atyre që e humbën veten!
----------------------------------------------------------------------------------
2:21. O njerëz, adhurojeni Zotin tuaj, i cili ju krijoi juve edhe ata që ishin para jush ashtu që të jeni të devotshëm (të shpëtuar).
2:22. Ai, i cili për ju bëri tokën shtrat (vendbanim) e qiellin kulm, e prej qiellit ju lëshoi shi me të cilin ju siguroi lloje të frutave si ushqim për ju, pra mos i përshkruani All-llahut shokë, duke qenë se ju e dini (që Ai nuk ka shokë).
2:27. Ata që e thyejnë besën e dhënë All-llahut pasi që është lidhur ajo, dhe e këpusin atë që All-llahu ka urdhëruar të jetë e kapur, e edhe bëjnë shkatërrime në tokë, të tillët janë ata të dështuarit.
2:42. E mos e ngatërroni të vërtetën me të pavërtetën dhe me vetëdije të fshehni realitetin.
2:82. E ata që besuan dhe bënë vepra të mira, ata janë banues të xhennetit, aty janë përgjithmonë.
2:99. Ne të kemi shpallur ty (Muhammed) argumente të qarta dhe ato nuk i mohon askush, përveç atyre që kanë dalë respektit.
2:107. A nuk e ke ditur se vetëm All-llahut i takon sundimi i qiejve e i tokës, dhe se pos All-llahut nuk keni as mbrojtës as ndihmëtar.
2:109. Shumë ithtarë të librit (jehudi, krishterë) edhe pasi u është bërë e qartë e vërteta, nga vetë zilia e tyre personale dëshiruan që pas besimit tuaj t’iu kthejnë në mosbesimtarë, pra ju lini dhe largohuni prej tyre derisa All-llahu ta sjellë urdhrin e vet. All-llahu ka mundësi për çdo send.
2:115. Të All-llahut janë edhe (anët nga) lindja edhe nga perëndimi, dhe kahdo që të ktheheni, aty është anë e All-llahut. Vërtetë, All-llahu është i gjerë (në bujari) e i dijshëm.
2:117. Ai është shpikës i qiejve e i tokës (pa kurrfarë modeli të mëparshëm) e kur dëshiron diçka, ai vetëm i thotë: “Bëhu!”, në atë moment bëhet.
2:128. Zoti ynë, bëna neve dyve besimtarë të sinqertë ndaj Teje dhe nga pasardhësit tanë, njerëz të bindur ndaj Teje, na i mëso rregullat e ibadetit (adhurimit) tanë dhe falna neve, vërtet Ti je që falë shumë, je mëshirues”!
2:132. E Ibrahimi i porositi bijtë e tij me këtë (fe), e edhe Jakubi. (u thanë) “O bijtë e mi, All-llahu ua zgjodhi fenë (islame) juve, pra mos vdisni ndryshe, por vetëm duke qenë muslimanë”!
2:136. Ju (besimtarë) thuani: “Ne i besuam All-llahut, atë që na u shpall neve, atë që iu shpall Ibrahimit, Ismailit, Is’hakut, Jakubit dhe pasardhësve (të Jakubit që ishin të ndarë në dymbëdhjetë kabile), atë që i është dhënë Musait, Isait dhe atë që iu është dhënë nga Zoti i tyre pejgamberëve, ne nuk bëjmë dallim në asnjërin prej tyre dhe ne vetëm atij i jemi bindur.
2:137. Në qoftë se ata besuan ashtu siç besuat ju, ata vërtet kanë gjetur rrugën e drejtë, e nëse refuzojnë, atëherë ata janë kundërshtarë (opozitë), po ty (Muhammed) kundër tyre do të mjaftojë All-llahu. Ai është dëgjuesi, i dijshmi.
2:138. (Kjo fe jona është) Ngjyrosje e All-llahut, e kush ngjyros (me fe) më mirë se All-llahu. Ne vetëm atë e adhurojmë.
2:152. Pra ju më kujtoni Mua (me adhurime), Unë ju kujtoj juve (me shprëblim). Më falënderoni e mos Më mohoni.
2:153. O ju që keni besuar, kërkoni ndihmë me durim e me të falur, se vërtet All-llahu është me durimtarët.
2:163. Zoti juaj (që meriton adhurim) është Një, All-llahu, nuk ka zot pos Atij që është mëshirëplotë, gjithnjë mëshiron.
2:164. Eshtë fakt se në krijimin e qiejve e të tokës, në ndërrimin e natës e të ditës, të anijes që lundron në det që u sjell dobi njerëzve, në atë shi që e lëshon All-llahu prej së larti e me të ngjall tokën pas vdekjes së saj dhe përhapë në te nga çdo lloj gjallese, në qarkullimin e erërave dhe reve të nënshtruara mes qiellit e tokës, (në të gjitha këto), për një popull që ka mend ka argumente.
2:168. O ju njerëz, hani nga ajo që është në tokë e që është e lejuar dhe e mirë, e mos shkoni hapave të djallit se ai është armik i hapët i juaji.
2:169. Ai ju urdhëron vetëm me të këqia e turpësi, dhe ju shtyen të thoni për All-llahun atë që nuk e dini.
2:172. O ju që besuat, hani nga të mirat që ua kemi dhënë dhe falënderoni All-llahun, nëse jeni që vetëm Atë e adhuroni.
2:173. (All-llahu) Ua ndaloi juve vetëm të ngordhtën, gjakun, mishin e derrit dhe atë që therret (ngrihet zëri me të) jo në emër të All-llahut. E kush shtrëngohet (të hajë nga këto) duke mos pasur për qëllim shijen dhe duke mos e tepruar, për të nuk është mëkat. Vërtet All-llahu falë, është mëshirues.
2:183. O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm.
2:184. (Jeni të obliguar për) Ditë të caktuara, e kush është i sëmurë prej jush ose është në udhëtim (e nuk agjëroi), atëherë ai (le të agjërojë) më vonë aq ditë. E ata që i rëndon ai (nuk mund të agjërojnë), janë të obliguar për kompensim, ushqim (ditor), i një të varfëri, ai që nga vullneti jep më tepër, ajo është aq më mirë për te. Mirëpo, po qe se e dini, agjërimi është më i mirë për ju.
2:186. E kur robët e Mi të pyesin ty për Mua, Unë jam afër, i përgjigjem lutjes kur lutësi më lutet, pra për të qenë ata drejt të udhëzuar, le të më përgjigjen ata Mua dhe le të më besojnë Mua.
2:195. Dhe jepni për në rrugë të All-llahut e mos e hidhni veten në rrezik dhe bëni mirë, se me të vërtetë All-llahu i do bamirësit.
2:200. E kur t’i kryeni detyrat tuaja, përmendeni All-llahun sikurse i përkujtoni prindërit tuaj, bile përmendeni edhe më fortë. Ka disa prej njerëzve që thonë: “Zoti ynë, na jep Ti neve në këtë botë”! Për të nuk ka asgjë në botën tjetër.
2:201. E, ka prej tyre asish që thotë: “Zoti ynë na jep të mira në këtë jetë, të mira edhe në botën tjetër dhe na ruaj prej dënimit me zjarr”!
2:202. Të tillët e kanë shpërblimin nga ajo që e fituan. All-llahu është i shpejtë në llogari.
2:208. O ju që besuat, hyni në islamizmin e tërësishëm (përqafojeni fenë islame në tërësi), e mos ndiqni rrugën e djallit, sepse ai është armik juaji i hapët.
2:209. E nëse devijoni pasi që u kanë ardhur argumentet e qarta, ta dini pra se All-llahu është i plotfuqishëm, i vetëdijshëm.
2:212. Atyre që nuk besuan, u është bërë e hijshme jeta e kësaj bote dhe bëjnë tallje me ata që besuan. Po ata që u ruajtën (besimtarët) në ditën e kijametit. All-llahu i jep (shpërblim) pa masë atij që e do.
2:219. Të pyesin ty për verën dhe bixhozin. Thuaj: “Që të dyja janë mëkat i madh, e ka edhe dobi në to (të pakta) për njerëz, por dëmi i tyre është më i madh se dobia e tyre. Të pyesin ty edhe se ç’do të japin. Thuaj: “Tepricën”! Kështu ua sqaron All-llahu juve argumentet ashtu që të mendoni (çka është mirë e çka është keq).
2:222. Të pyesin ty për të menstruacionin (hajdin). Thuaj: “Ajo është gjendje e neveritur, andaj largohuni prej grave gjatë menstruacionit dhe mos iu afroni atyre (për marrëdhënie) derisa të pastrohen. E kur të pastrohen, atëherë afrohuni atyre ashtu siç u ka lejuar All-llahu. All-llahu i do ata që pendohen dhe ata që ruhen prej punëve të ndyta e të neveritshme.
2:223. Gratë tuaja janë vendmbjellje e juaj, afrohuni vendmbjelljes suaj si të dëshironi, por përgatitni për veten tuaj, dhe kini frikë All-llahun, e ta dini se fundi juaj është tek Ai, e besimtarëve jepu myzhde.
2:245. Kush është ai që i huazon All-llahut një hua të mirë, e Ai t’ia shtojë atij shumëfish atë? All-llahu shtrëngon (varfëron) dhe çliron (begaton) dhe kthimi juaj është vetëm tek Ai.
2:254. O ju që keni besuar, para se të vijë një ditë kur nuk do të ketë as shitblerje, as miqësi, e as ndërmjetësim, jepni nga ajo me çka Ne u furnizuam juve. Pabesimtarët janë mizorë.
2:255. All-llahu është një, nuk ka zot tjetër përveç Atij. Ai është mbikqyrës i përhershëm dhe i përjetshëm. Atë nuk e kap as kotja as gjumë, gjithçka ka në qiej dhe në tokë është vetëm e Tij. Kush mund të ndërmjetësojë tek Ai, pos me lejen e Tij, e di të tashmen që është pranë tyre dhe të ardhmen, nga ajo që Ai di, tjerët dinë vetëm aq sa Ai ka dëshiruar, Kursija e Tij (dija-sundimi) përfshijnë qiejt dhe tokën. Kujdesi i Tij ndaj të dyjave, nuk i vjen rëndë, Ai është më i larti, më i madhi.
2:256. Në fe nuk ka dhunë. Eshtë sqaruar e vërteta nga e kota. E kush nuk i beson të pavërtetat e i beson All-llahut, ai është kapur për lidhjen më të fortë, e cila nuk ka këputje. All-llahu është dëgjues i dijshëm.
2:257. All-llahu është mbikëqyrës i atyre që besuan, i nxjerr ata prej errësirave në dritë. E kujdestarë të atyre që nuk besuan janë djajtë që i nxjerrin ata prej drite e i hudhin në errësira. Ata janë banorë të zjarrit, ku do të qëndrojnë përgjithmonë.
2:262. Ata që për hir të All-llahut e japin pasurinë e tyre, e pastaj atë që e dhanë nuk e përcjellin me të përmendur e me mburrje, ata e kanë shpërblimin e vet te Zoti i tyre, për ata nuk ka frikë, ata as që do të brengosen.
2:263. Një fjalë e mirë dhe një lehtësim (që i bëhet lypësit) është më e dobishme se një lëmoshë që përcillet me të keqe. All-llahu nuk ka nevojë për askë, është i butë.
2:264. O ju që besuat, mos i prishni lëmoshat tuaja me të krenuar e me ofendim siç bën ai që e jep pasurinë e vet sa par sy e faqe të njerëzve, e nuk e beson All-llahun dhe as botën tjetër. Shembulli i tij është si një gur i madh e i lëmuar që mbi të ka pak dhe, e kur e godet atë një shi i madh e lë të zhveshur (lakuriq). Ata (formalistët) nuk arrijnë asgjë nga ajo që punuan. All-llahu nuk e udhëzon popullin jobesimtar.
2:267. O ju që besuat, jepni nga më e mira e asaj që e fituat dhe nga ajo që u dhamë prej tokës, e mos nxitoni ta jepni atë më të pavlefshmen nga ajo, e që ju nuk do ta pranonit për vete vetëm symbyllas. E, dijeni se All-llahu s’ka nevojë për ju, është i madhëruar.
2:268. Djalli ju frikëson nga varfëria dhe ju urdhëron për të këqija, e All-llahu ju garanton falje (mëkatesh) e begati; All-llahu është dhurues i madh, i dijshëm.
2:269. Ai ia dhuron urtësinë atij që do, e kujt i është dhënë urtësia, atij pra i është dhuruar mirësi e madhe, përveç të mençurve këtë nuk e kupton kush.
2:271. Nëse lëmoshat i jepni haptazi, ajo është mirë, por nëse ato ua jepni të varfërve fshehurazi, ajo është edhe më e mirë për ju dhe Ai ua largon (me punë të mira) të këqijat. All-llahu është i njohur hollësisht për veprat tuaja.
2:272. Nuk është obligim yti (Muhammed) udhëzimi i tyre (në rrugë të drejtë), All-llahu e shpie në rrugë të drejtë atë që do. Ckado që të jepni nga pasuria, e keni për veten tuaj, po mos jepni për tjetërkë, por vetëm për hir të All-llahut, e çkado që t’u jepni të tjerëve nga pasuria, ajo do t’u kompensohet në mënyrë të plotë duke mos u dëmtuar ju”.
2:273. (Jepni) për të varfërit që janë të angazhuar në rrugën e All-llahut dhe nuk kanë mundësi të gjallërojnë me tokë, duke qenë se ata nuk lypin, prandaj ai që nuk e di gjendjen e tyre mendon se ata janë të pasur. Ata i njeh nga vetë pamja e tyre (të rraskapitur), por nuk kërkojnë e as nuk i mërzitin njerëzit. Pra çkado që të jepni nga pasuria, s’ka dyshim se atë All-llahu e di shumë mirë.
2:274. Ata, të cilët pasurinë e vet e shpërndajnë (në rrugë të Zotit) natën e ditën, fshehurazi ose haptazi, ata shpërblimin e vet e kanë te Zoti i tyre dhe për ta nuk ka as frikë as pikëllim.
2:286. All-llahu nuk e obligon asnjë njeri përtej mundësisë së tij, atij (njeriut) i takon ajo që e fitoi dhe atij i bie ajo (e keqe) që e meritoi. “Zoti ynë, mos na dëno nëse harrojmë ose gabojmë! Zoti ynë, mos na ngarko neve barrë të rëndë siç i ngarkove ata që ishin para nesh! Zoti ynë, mos na ngarko me atë për të cilën ne nuk kemi fuqi! Na i shlyej mëkatet, na i mbulo të këqijat, na mëshiro. Ti je mbrojtësi ynë, na ndihmo kundër popullit pabesimtar!
---------------------------------------------------------------------------------
3:2. All-llahu është Një, e nuk ka të adhuruar (Zot) pos Tij, është i përjetshëm, mbikëqyrës.
3:5. S’ka dyshim se All-llahut nuk mund t’i fshihet asgjë në tokë e as në qiell.
3:6. Ai është që ju krijon (formon) juve në mitra ashtu si të dojë. S’ka Zot pos Tij, e që është fuqiplotë, i urti.
3:8. “Zoti ynë, mos na i lako zemrat tona pasi na drejtove, na dhuro mëshirën Tënde, pse vetëm Ti je dhuruesi i madh”.
3:14. Njerëzve u është zbukuruar dashuria ndaj të këndshmeve, ndaj grave, djemve e ndaj pasurisë së grumbulluar nga ari e argjendi, ndaj kuajve të stolisur, bagëtisë e bujqësisë. Këto janë kënaqësi të kësaj bote, po tek All-llahu është e ardhmja më e mirë.
3:57. E për sa u përket atyre që besuan dhe bënë vepra të mira, atyre u japë shpërblim të plotë. All-llahu nuk i do të padrejtit.
3:58. Këto që po t’i lexojmë ty (o i dërguar) janë nga ajetet, janë nga Kur’ani i pa të meta (i rrezistueshëm).
3:102. O ju që besuat, keni frikë All-llahun me sinqeritet të vërtetë dhe mos vdisni, pos vetëm duke qenë muslimanë (besimtarë)!
3:144. Muhammedi nuk është tjetër vetëm se i dërguar. Edhe përpara tij pati të dërguar (që vdiqën ose u vranë). E nëse ai vdes ose mbytet, a do të ktheheshit ju prapa (nga feja ose lufta)? E kushdo që kthehet prapa, ai nuk i bën dëm All-llahut aspak, kurse All-llahu do t’i shpërblejë mirënjohësit.
3:160. Nëse All-llahu dëshiron t’ju ndihmojë, s’ka kush që mund t’ju mposhtë, e nëse Ai iu lë pa ndihmë, atëherë kush është ai pas Tij, që dot’ju ndihmojë? Pra vetëm All-llahut le t’i mbështeten besimtarët.
3:189. Vetëm All-llahut i takon sundimi i qiejve e i tokës dhe All-llahu është i Gjithëfuqishëm për çdo send.
3:190. Në krijimin e qiejve e të tokës, në ndryshimin e natës dhe të ditës, ka argumente të qarta për ata që kanë arsye dhe intelekt.
3:191. Për ata që All-llahun e përmendin me përkujtim kur janë në këmbë, kur janë ulur, kur janë të shtrirë dhe thellohen në mendime rreth krijimit të qiejve e të tokës (duke thënë): Zoti ynë, këtë nuk e krijove kot, i lartësuar qofsh, ruana prej dënimit të zjarrit!
3:192. Zoti ynë, atë Ti e fute në zjarr, atë e ke poshtëruar; për mizorët nuk ka ndihmëtarë!
3:193. Zoti ynë, ne dëgjuam një thirrës që ftonte për besim (e që thoshte): Të besoni Zotin tuaj! E ne besuam! Zoti ynë, na i falë mëkatet tona, na i mbulo të metat dhe pas vdekjes na bashko me të mirët!
3:194. Zoti ynë, jepna atë që nëpërmjet të dërguarve Tu, na e premtove dhe në ditën e kijametit mos na turpëro; vërtet Ti je Ai që nuk e shkel premtimin!”
4:28. All-llahu dëshiron t’ju lehtësoj (dispozitat), e megjithatë njeriu është i paaftë (për t’ju përballuar epsheve).
4:29. O ju që besuat, mos e hani mallin e njëri-tjetrit në mënyrë të palejuar, përpos tregtisë në të cilën keni pajtueshmëri mes vete, dhe mos mbytni veten tuaj (duke mbytur njëri-tjetrin). Vërtet, All-llahu është i mëshirueshëm për ju.
4:32. Mos lakmoni në atë, që All-llahu gradoi disa nga ju mbi disa të tjerë. Burrave ju takon hise nga ajo që fituan ata dhe grve gjithashtu ju takon hise nga ajo që fituan ato. All-llahut kërkoni nga të mirat e Tij. All-llahu është i dijshëm për çdo send.
4:36. Adhuroni All-llahun e mos i shoqëroni Atij asnjë send, sillnu mirë ndaj prindërve, ndaj të afërmve, ndaj jetimëve, ndaj të varfërve, ndaj fqiut të afërt, ndaj fqiut të largët, ndaj shokut pranë vetes, ndaj udhëtarit të largët dhe ndaj robërve. All-llahu nuk e do atë që është kryelartë dhe atë që lavdërohet.
4:37. Ata që vetë janë koprracë dhe urdhërojnë njerëzit për koprraci, dhe e fshehin atë që ju ka dhënë All-llahu nga mirësitë e veta. Ne kemi përgatitur dënim të turpshëm për jobesimtarët;
4:38. Edhe ata që e japin pasurinë e tyre për sy e faqe të botës, e nuk e besojnë All-llahun as ditën e mbramë. E ai që e ka shok djallin, ai pra është shok i shëmtuar.
4:39. Dhe çka do t’i gjente ata, po ta besonin All-llahun, ditën e gjykimit dhe të jepnin nga ajo që i dhuroi All-llahu? Po All-llahu di më së miri për ta.
4:40. S’ka dyshim se All-llahu nuk bën pa drejtë as sa grimca, e nëse ajo vepër është e mirë, Ai e shumëfishon atë dhe Vetë Ai i jep shpërblim të madh.
4:48. S’ka dyshim se All-llahu nuk falë (mëkatin) t’i përshkruhet Atij shok (idhujtarinë), e përpos këtij (mëkati) i falë kujt do. Kush përshkruan All-llahut shok, ai ka trilluar një mëkat të madh.
4:110. Kush bën ndonjë të keqe apo ngarkon veten, pastaj kërkon falje te All-llahu, ai e gjen All-llahun falës dhe mëshirues.
4:111. Kush bën ndonjë mëkat, ai ka ngarkuar vetveten. All-llahu i di hollësitë, është gjykatës i drejtë.
4:112. Kush bën ndonjë gabim ose mëkat, e pastaj atë ia hudh një të pafajshmit, ai ngarkohet me një shpifje e me një mëkat të hapët.
4:124. Kush bën ndonjë nga punët e mira, qoftë mashkull ose femër duke qenë besimtarë, të tillët hyjnë në xhennet dhe nuk u bëhet farë padrejtësie.
4:126. Vetëm të All-llahut janë ç’ka në qiej dhe ç’ka në tokë. All-llahu ka përfshirë çdo send.
4:136. O ju që besuat, besoni vazhdimisht All-llahun, të dërguarit të Tij, librit që gradualsht ia shpalli të dërguarit të Tij dhe librit që e pat zbritur më parë. Kush nuk i beson All-llahut, engjëjve të Tij, librave të Tij, të dëguarve të Tij dhe botës tjetër, ai ka humbur tepër larg.
4:148. All-llahu nuk do publikimin e shprehjeve të këqia përveç (publikimit) të atij që i bërë padrejt. All-llahu është dëgjues, i dijshëm.
4:149. Nëse publikoni ndonjë të mirë ose e fshihni, ose i falni ndonjë të keqe (dikujt), All-llahu i plotfuqishëm falë shumë.
4:152. E ata që besuan All-llahun dhe të dërguarin e Tij dhe nuk bënë kurrfarë dallimi në asnjë prej tyre, të tillëve do t’u jepet shpërblim i merituar. All-llahu falë shumë dhe është mëshirues.
4:163. Ne të frymëzuam ty me shpallje sikurse e patëm frymëzuar Nuhun dhe pejgamberët pas tij; e patëm frymëzuar Ibrahimin, Ismajlin, Is-hakun, Jakubin dhe pasardhësit e tij, Isain, Ejubin, Junusin, Harunin, Sulejmanin, e Davudit i patëm dhënë Zeburin.
4:164. Dhe (dërguam) të dërguar më parë që të rrëfyem për ta, dhe të dërguar të tjerë për të cilët nuk të rrëfyem, e Musait i foli All-llahu me fjalë.
4:165. Të dërguar që ishin lajmgëzues e kërcënues, ashtu që pas dërgimit të dërguarve njerëzit të kenë fakt (arsyetim) para All-llahut. All-llahu është i pavarur në sundimin e vet dhe di si të veprojë.
4:166. (Jehuditë i thanë se nuk të besojnë në shpallje Muhammedit) Por All-llahu dëshmon për atë që t’u zbrit ty, atë ta zbriti sipas dijes së Vet, edhe engjëjtë dëshmojnë, po mjaft është All-llahu dëshmues.
4:167. Ata që nuk besuan dhe penguan nga rruga e All-llahut, ata kanë humbur shumë larg.
4:168. Aa që nuk besuan dhe bënë zullum, All-llahu as nuk ka për t’i falur as nuk ka për t’i drejtuar në rrugë.
4:174. O ju njerëz, juve ju erdhi nga Zoti juaj argument dhe Ne ju zbritëm dritë të qartë.
4:175. Ata që i besuan All-llahut dhe iu përmbajtën Atij (librit të Tij), Ai do t’i fusë në mëshirën (xhennetin) e Tij dhe do t’i gradojë e do t’i udhëzojë për në rrugë të drejtë.
--------------------------------------------------------------------------------------
5:3. Juve u janë ndaluar (t’i hani): ngordhësira, gjaku, mishi i derrit, ajo që therret jo në emrin e All-llahut, e furmja, e mbytura, e rrëzuarja, e shpuarja (nga briri i tjetrës), ajo që e ka ngrënë egërsira, përveç asaj që arrini ta therrni (para se të ngordhë), ajo që është therrur për idhuj, dhe (u është e ndaluar) të kërkoni me short fatin. Kjo është mëkat ndaj All-llahut. Tashmë, ata që mohuan, humbën shpresën për fenë tuaj (se do të ndërroni), andaj mos u frikësonju atyre, por Mua të më frikësoheni. Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time, zgjodha për ju islamin fe. E kush detyrohet nga uria (të hajë nga të ndaluarat), duke mos anuar dhe duke mos patur qëllim mëkatin, All-llahu falë shumë dhe është mëshirues.
5:6. O ju që besuat! Kur doni të ngriteni për të falur namazin, lani fytyrat tuaja deri në bërryla; fërkoni kokat tuaja, e këmbët lani deri në dy zogjt. Nëse jeni xhunubë, atëherë pastrohuni (lahuni)! Në qoftë se jeni të sëmurë, ose në ndonjë udhëtim, ose ndonjëri prej jush vjen prej vendit të nevojës, ose keni kontaktuar me gratë dhe nuk gjeni ujë, atëherë mësyne (merrni tejemum) dheun e pastër dhe me të fërkoni fytyrat dhe duart tuaja. All-llahu nuk dëshiron (me obligim për abdest e larje) t’iu sjellë ndonjë vështirësi, por dëshiron t’ju pastroj (prej mëkatëve), t’ju plotësoj të mirën e Tij ndaj jush e që t’i falënderoheni.
5:7. Përkujtoni dhuntinë e All-llahut, që ju dha (fenë Islame) dhe zotimin e Tij, të cilin e pat marr prej jush kur thatë: “Dëgjuam e respektuam”. Keni frikë All-llahun, pse All-llahu i di shumë mirë të fshehtat në gjoksa (në zemra).
5:8. O ju që besuat! Bëhuni plotësisht të vendosur për hirë të All-llahut, duke dëshmuar të drejtën, dhe të mos u shtyjë urrejtja ndaj një populli e t’i shmangeni drejtësisë; bëhuni të drejtë, sepse ajo është më afër devotshmërisë. Keni dro All-llahun se All-llahu di hollësisht për atë që veproni.
5:9. Atyre që besuan dhe bënë vepra të mira, All-llahu u premtoi falje për mëkate dhe shpërblim të madh.
5:10. E ata që mohuan dhe përgënjeshtruan argumentet Tona, ata janë banues të xhehennemit.
5:38. Vjedhësit dhe vjedhëses preniu duart, si shpagim i veprës që bën, (kjo masë është) dënim nga All-llahu. All-llahu është i fuqishëm, ligjdhënës i urtë.
5:39. E kush pendohet pas punës së keqe (vjedhjes) dhe përmirësohet, s’ka dyshim, All-llahu ia pranon pendimin, All-llahu është që falë shumë, është mëshirues.
5:40. A nuk di se All-llahu është Ai që sundimi i qiejve dhe i tokës është vetëm i Tij, andaj Ai që sundimi i qiejve dhe tokës është vetëm i Tij, andaj Ai dënon atë që do dhe e falë atë që do. All-llahu është i plotfuqishëm për çdo gjë.
5:51. O ju që besuat! Mos zini miq as jehuditë, e as të krishterët. Ata janë miq të njëri-tjetrit. E kush prej jush i miqëson ata, ai është prej tyre. Vërtetë All-llahu nuk vë në rrugë të drejtë popullin zullumqarë.
5:55. Mik (i afërt) juaji është vetëm All-llahu, është i dërguari i Tij dhe ata që besuan e që falin namazin dhe japin zeqatin duke bërë rukuë (duke qenë respektues).
5:56. E kush ka për mik All-llahun, të dërgurin e Tij dhe ata që besuan, s’ka dyshim se ana (pala-krahu) e All-llahut është ngadhënjyese.
5:57. O ju që besuat! Mos i merrni për miq ata të cilëve u është dhënë libri para jush edhe as jobesimtarët që me fenë tuaj tallen dhe luajnë. Keni dro All-llahun po qe se jeni besimtarë.
5:58. Edhe thirrjen (ezanin) tuaj për namaz ata e marrin për tallje e lojë. Me këtë vërtetojnë se janë popull që nuk kupton.
5:59. Thuaj: “O ithtarë të librit, a na shihni për të metë vetëm pse besuam All-llahun; besuam atë që na zbriti neve dhe atë që zbriti më parë! S’ka dyshim, shumica jush janë të shfrenuar.
5:69. S’ka dyshim se kush e beson All-llahun (sinqerisht) e beson ditën e gjykimit dhe bën vepra të mira, qoftë prej atyre që besuan, prej jehudivë, prej sabiinëve (të krishterë që adhurojnë yjtë), prej të krishterëve, për ta nuk do të ketë frikë as pikëllim (me kusht që të kenë pranuar të dërguarin e fundit- Muhammedin).
5:87. O ju që besuat! Mos i ndaloni (mos i bëni haram) të mirat që për ju i lejoi (i bëri hallall) dhe mos teproni, se All-llahu nuk i do ata që e teprojnë (i kalojnë kufijtë e dispozitave të Zotit).
5:88. Hani nga ajo që All-llahu ju furnizoi si hallall të mirë dhe, duke qenë se ju All-llahut i besoni, ruanu dënimit të Tij!
5:89. All-llahu nuk ju merr në përgjegjësi për betimiet e juaja të paqëllimta (për betim), por ju merr për ato që jeni zotuar qëllimisht. E shpagimi i tij (i betimit të bërë) është duke i ushqyer dhjetë të varfër me ushqim mesatar që ushqeni familjen tuaj, ose duke i veshur ata (të dhjetë), ose duke liruar një rob. E kush nuk ka mundësi t’i bëjë këto, le të agjërojë tri ditë. Ky është shpagim për betimet tuaja kur i theni ato. Ruani betimet tuaja. Kështu All-llahu ju sqaron dispozitat e veta, ashtu që jeni mirënjohës.
5:90. O ju që besuat, s’ka dyshim se vera, bixhozi, idhujt dhe hedhja e shigjetës (për fall) janë vepra të ndyta nga shejtani. Pra, largohuni prej tyre që të jeni të shpëtuar.
5:91. Shejtani nuk dëshiron tjetër, përveç se nëpërmjet verës dhe bixhozit të hedh armiqësi mes jush, t’ju pengojë nga të përmendurit Zotit dhe t’ju largojë nga namazi. Pra, a po i jepni fund (alkoolit e bixhozit)?
5:92. Bindjuni All-llahut dhe bindjuni të dërguarit e keni kujdes (mos kundërshtoni). E nëse refuzoni, atëherë pra, dine se obligim i të dërguarit Tonë është vetëm komunikimi i qartë.
5:99. I dërguari nuk ka tjetër obligim vetëm të kumtojë (shpalljen); All-llahu di ç’publikoni dhe ç’bani fshehtë.
5:100. Thuaj: “Nuk është e njejtë e keqja dhe e mira, po edhe nëse të mahnit ty shumimi i së keqes, pra keni frikë All-llahun (e mos pranoni të keqen) o ju të zotët e mendjes, ashtu që të shpëtoni.
5:101. O ju që besuat, mos pyetni për sende që, nëse u thuhet ajo (pyetja) haptazi, ju vjen keq juve, e nëse pyetni për to gjatë kohës kur zbritej Kur’ani, do t’ju dalë në shesh (dhe do ta ngarkoni veten pa nevojë). All-llahu u fali atë (pyetjet që i bëtë më herët); All-llahu falë shumë, është i bute.
5:102. Një popull që ishte para jush pat bërë aso pyetjesh, e pastaj (nuk i zbatoi) u bë mohues i tyre.
5:105. O ju që besuat, ruane veten tuaj! Ai që ka humbur, nuk ju dëmton juve kur jeni në rrugë të drejtë. Kthimi i të gjithë juve është te All-llahu dhe Ai ju njohton për atë që vepruat.
5:120. Vetëm i All-llahut është sundimi ndaj qiejve e tokës dhe çka ka në to. Ai është i plotëfuqishëm për çdo send.
--------------------------------------------------------------------------------------
6:1. Falënderimi i qoftë vetëm All-llahut, që krijoi qiejt dhe tokën, që formuloi errësirat e dritën, e megjithkëtë (që Ai meriton lavdërim) ata që mohuan, i barazojnë (idhujt) me Zotin e tyre.
6:10. Edhe të dërguarit të tjerë para teje janë përqeshur, e ata që u tallën pësuan (dënim) për shkak se talleshin.
6:11. Thuaj: “Ecni nëpër tokë e mandej shikoni se si qe përfundimi i gënjeshtarëve.
6:12. Thuaj: “E kujt është e tërë kjo në qiej e tokë?” Thuaj: “Vetëm e All-llahut”. Ai ia përcaktoi mëshirën Vetes. Ai do t’ju tubojë në ditën e gjykimit, për të cilën gjë nuk ka dyshim. Ata që i shkaktuan humbje vetvetes, ata nuk besojnë.
6:13. Vetëm e Tij është gjithëçka pushon e lëviz natën e ditën. Ai gjithëçka dëgjon dhe gjithëçka di.
6:21. Kush është më mizor se ai që ndaj All-llahut shpif gënjeshtra apo ka përgënjeshtruar faktet e Tij? S’ka dyshim, shpifësit dhe gënjeshtarët nuk kanë shpëtim.
6:32. Jeta e kësaj bote nuk është gjë tjetër vetëm se një përjetim e mashtrim. S’ka dyshim se bota tjetër është më e dobishmja për ata që ruhen. A nuk logjikoni?
6:38. Nuk ka asnjë gjallesë në tokë dhe as shpendë që fluturojnë me dy krahë e që nuk janë të ndara në grupe (të ndryshme), sikurse edhe ju (Zoti i krijoi, i pajisi si juve). Asgjë nuk kemi lënë pas dore nga evidenca. Më në fund te Zoti i tyre do të tubohen.
6:48. Ne të dërguarit nuk i dërgojmë ndryshe vetëm si përgëzues dhe qortues. E kush besoi dhe u përmirësua, ata nuk kanë as frikë as brengë.
6:49. Ata që i përgënjeshtruan faktet tona, ata i kap dënimi ngase nuk respektuan normat.
6:50. Thuaj: “Unë nuk u them juve se i kam në kompetencë depotë e All-llahut (e t’ju sjellë mrekulli), as nuk pretendoj se i di fshehtësitë (e t’ju tregojë se kur do t’ju vijë dënimi), as nuk u them se unë jam engjëll. Unë ndjek vetëm atë që më shpallet mua. Thuaj: “A janë baras i verbëti dhe ai që sheh?” A nuk mendoni?
6:51. Ti tërhiqju vërejtjen me këtë (Kur’an) atyre që i frikësohen tubimit para zotit të tyre, në mënyrë që të ruhen, sepse pos Tij nuk do të ketë as mbrojtës as ndërmjetësues.
6:55. Ja, kështu Ne i sqarojmë argumentet, në mënyrë që të dalë në shesh rruga e kriminelëve.
--------------------------------------------------------------------------------------
7:2. (Ky është) Libri, që të është zbritur ty, që me të t’u tërheqësh vërejtjen dhe t’i këshillosh besimtarët, pra të mos ketë shtrëngim në gjoksin tënd (për kumtimin e tij).
7:3. Përvetësoni atë që ju është zbritur nga Zoti juaj, e mos zini miq (përkrahës) pos Tij. Pak është ajo që po merrni përvojë.
7:26. O bijtë e Ademit, Ne krijuam për ju petk që ju mbulon vendturpësinë dhe petk zbukurues. Po petku i devotshmërisë, ai është më i miri. Këto janë argumentet e All-llahut, ashtu që ata të përkujtojnë.
7:31. O bijtë e Ademit, vishuni bukur për çdo namaz (lutje), hani dhe pini e mos teproni, pse Ai (All-llahu) nuk i do ata që e teprojnë (shkapërderdhin).
7:42. Ata që besuan dhe bënë vepra të mira, e Ne as që obligojmë ndoken çka nuk ka mundësi (të veprojë), të tillët janë banues të Xhennetit dhe në të janë përgjithmonë.
7:51. Ata që fenë e tyre e morrën tallje e lojë dhe të cilët i mashtroi jeta e dunjas. Sot, pra, Ne i harrojmë ata sikurse e patën harruar takimin e kësaj dite të tyre dhe, sikurse i refuzonin argumentet Tona!”
7:55. Luteni Zotin tuaj të përulur e në heshtje, pse Ai nuk i do ata që e teprojnë.
7:56. Mos bëni çrregullime në tokë pas rregullimit të saj (me të ardhur të pejgamberëve) dhe luteni Atë duke pasur frikë (dënimin) dhe duke shpresuar (mëshirën). S’ka dyshim se mëshira e All-llahut është pranë atyre të mirëve.
7:80. Përkujto kur popullit të vet Luti i tha: “A punoni të shëmtuarën, që asnjë nga popujt e botës nuk e bëri para jush”.
7:81. Vërtet, ju të shtyrë nga epshet u afroheni burrave duke i lënë gratë. Po ju jeni popull i shfrenuar”.
7:147. Ata të cilët i mohuan argumentet Tona dhe takimin në ditëne botës së ardhshme, ata asgjësuan veprat e tyre. A shpërblehen ata (më thevab ose me dënim) pos sipas asaj si kanë vepruar.
7:153. E ata që bënë vepra të këqia e pastaj u penduan pas tyre, dhe besuan sinqerisht, Zoti yt ua falë gabimet dhe është mëshirues pas tij (pas pendimit të tyre).
7:158. Thuaj (Muhammed): “O ju njerëz! Unë jam i dërgari i All-llahut te të gjithë ju. All-llahut që vetëm i Tij është sundimi i qiejve e i tokës, s’ka të adhuruar tjetër pos Tij; Ai jep jetë dhe Ai jep vdekje, pra besoni All-llahun dhe të dërguarin e Tij, pejgamberin e pashkolluar, që beson All-llahun dhe shpalljet e Tij, ndiqeni rrugën e tij që ta gjeni të vërtetën.
7:177. Shembulli i keq është populli, ai që përgenjeshtroi faktet Tona dhe e dëmtoi vetveten.
7:178. Atë që All-llahu e udhëzon, ai është në rrugë të drejtë, e atë që e humb, e ata janë të dëshpruarit.
7:196. Mbrojtësi i im është All-llahu që zbriti librin. Ai kujdeset për të mirët.
7:199. Ti (Muhammed) merre të lehtën, urdhëro për të mirë dhe hiqu prej të padijshmëve.
7:200. E nëse të godet shejtani me ndonjë vesvese, ti kërko strehim te All-llahu, sepse vërtet Ai dëgjon e di.
7:201. Vërtet, ata që janë të ruajtur, kur i prek ndonjë iluzion nga djalli, ata përkujtojnë (All-llahun), nga djalli, ata përkujtojnë (All-llahun), dhe atëherë shohin (të vërtetën).
7:204. Kur lexohet Kur’ani, ju dëgjoni atë (me vëmendje) dhe heshtni, në mënyrë që të fitoni mëshirë.
7:205. Ti përmende Zotin tënd në vete (heshtas), me respekt e me dro, jo me shprehje të larta, (përmende) në mëngjes e në mbrëmje dhe mos u bërë prej atyre që nuk kanë kujdes.
--------------------------------------------------------------------------------------
8:2. E, besimtarë të vërtetë janë vetëm ata, të të cilëve kur përmendet All-llahu u rrënqethen zemrat e tyre, kur u lexohen ajetet e Tij u shtohet besimi, dhe që janë të mbështetur vetëm te Zoti i tyre.
8:3. Dhe, të cilët falin (rregullisht) namazin dhe nga ajo, me çka Ne i furnizuam, ata japin.
8:4. Të tillët janë besimtarë të vërtetë dhe për këtë kanë vende të larta te Zoti i tyre, kanë falje dhe kanë furnizim në mënyrë të ndershme.
8:24. O ju që besuat, përgjigjuni All-llahut dhe të dërguarit kur ju ftojnë për atë që ju jep jetë, (për fenë e drejtë), dhe ta dini se All-llahu ndërhyn ndërmjet njeriut dhe zemrës së tij, dhe se ju do të tuboheni te Ai.
8:25. Ruajuni nga e keqja (nga dënimi) që nuk godet vetëm ata që bënë mizori prej jush, (por edhe të mirët), dhe ta dini se All-llahu është ndëshkues i rreptë.
8:27. O ju që besuat, mos e tradhtoni All-llahun dhe të dërguarin, që të tradhëtoni amanetet tuaja, deri e dini sa e keqe është kjo.
8:28. Dhe, dine se pasuria e juaj dhe fëmijët tuaj janë vetëm një sprovë, dhe se te All-llahu është shpërblimi i madh.
8:29. O ju që besuat, nëse keni frikë All-llahun, Ai do të vërë udhëzim (në zemrat tuaja) për ju, do t’ua mbulojë të këqiat, do t’ua falë mëkatet. All-llahu është dhurues i madh.
8:55. Krijesat më të dëmshme te All-llahu janë ata që mohuan, nuk pritet që ata të besojnë
--------------------------------------------------------------------------------------
9:23. O ju që besuat, mos u ofroni miqësi (dashuri) prindërve tuaj, as vëllezërve tuaj, nëse ata vlerësojnë mosbesim kundër besimit. E kush prej jush miqësohet me ta, ata janë mizor.
9:71. Besimtarët dhe besimtaret janë të dashur për njëri-tjetrin, urdhërojnë për të mirë, e ndalojnë nga e keqa, e falin namazin dhe japin zeqatin, respektojnë All-llahun dhe të dërguarin e Tij. Të tillët do t’i mëshirojë All-llahu. All-llahu është ngadhnjyes, i urtë.
9:72. Besimtarëve dhe besimtareve All-llahu u premtoi xhennete nën të cilët rrjedhin lumenj, në të to do të jenë përgjithmonë, dhe (u premtoi) vendbanime të bukura në xhennetin e Adnit, edhe një disponim nga All-llahu që është mbi të gjitha. Ky, pra është ai shpëtimi i madh.
9:116. S’ka dyshim se sundimi i qiejve e i tokës është i All-llahut, Ai jep jetë dhe vdekje, e ju, përveç All-llahut, nuk keni përkrahës tjetër.
9:119. O ju që besuat! Ta keni në kujdes All-llahun dhe të jeni me ata të drejtit.
10:5. Ai e bëri diellin shëndritës, e hënën dritë dhe asaj (hënën) ia caktoi fazat, që ta dini numrin e viteve dhe llogarinë. All-llahu nuk krijoi këtë për tjetër, pos me qëllim të caktuar. Ai ia sqaron argumentet një populli që kupton.
10:6. Në ndërrimin e natës e të ditës, dhe në çka krijoi All-llahu në qiej e në tokë, vërtet ka fakte për njerëzit që kanë droje.
10:7. Ata që nuk presin takimin Tonë, që janë të kënaqur me jetën e dunjasë dhe kanë gjetur prehje në të, dhe ata që janë indieferentë ndaj argumenteve tona.
10:8. Vendi për të tillët është zjarri, për shkak të asaj që punuan.
10:9. E ata që besuan dhe bënë vepra të mira, Zoti i tyre, për shkak të besimit të tyre i udhëzon në xhennete të begatshme në të cilët rrjedhin lumenj.
10:10. Lutja e tyre aty është: “I lartë je o All-llah!”, e përshëndetja e tyre është: Selam! dhe lutja e fundit e tyre: “Falënderimi i qoftë All-llahut, Zotit të botëve!”
10:11. Sikur All-llahu t’ua shpejtonte njerëzve pranimin e kërkesës për të keqen, ashtu si e pranon shpejtimin e kërkesës për të mirën, atyre do t’u përfundonte afati (i vdekjes). Po Ne, ata që nuk janë të bindur se do të vijnë para nesh, i lëmë të bredhin në mashtrimet e tyre.
10:12. E kur njeriun e godet dëmi, ai na lut qoftë shtrirë, ulur ose në këmbë, e kur Ne ia largojmë të keqen, ai, sikurse të mos na ishte ulur fare për dëmin që e pat goditur. Kështu kriminelëve u duket mirë ajo që veprojnë.
10:26. Atyre që bëjnë vepra të mira, u takon e mira (xhenneti) edhe më tepër (e shohin All-llahun). Fytyrat e tyre nuk i mbulon pluhuri i zi as nënçmimi, ata janë banues të xhennetit, aty janë përgjithmonë.
10:27. E ata që bënë të këqia, dënimi i së keqes është aq sa është ajo, ata i mbulon poshtërimi. Ata nuk mund t’i mbrojë kush nga All-llahu, fytyrat e tyre, porsi t’i kishte mbuluar ndonjë copë e errët e natës. Ata janë banues të përjetshëm të zjarrit.
10:31. Thuaj: “Kush ju furnizon me ushqim nga qielli e toka, kush e ka në dorë të dëgjuarit e të pamët (tuaj), kush nxjerr të gjallin nga i vdekuri e kush nxjerr të vdekurin nga i gjalli, kush rregullon çdo çështje?” Ata do të thonë: “All-llahu”. Ti thuaj: “A nuk frikësoheni?” (dënimit).