Lutje
O Allah, kërkoj falje për çdo mëkat, drejt të cilit eca me këmbën time, e zgjata dorën time, e pashë me syrin tim, e dëgjova me veshin tim, e shpreha me gjuhën time, që ishte shkak për shkatërrimin e riskut tim, pastaj të kërkova risk e megjithatë Ti më furnizove, pastaj furnizimin që më jep e përdora për të bërë mëkate, e Ti, o Allah, të gjitha m’i mbulove.
· Unë të kërkova edhe më tepër e Ti më pranove lutjen, dhe vazhdimisht më toleron dhe më jep të mira.
· Vërtetë, o Allah, Ti je më fisniku.
· O Allah, unë të kërkoj falje nga çdo e keqe, që bëra në dritën e diellit, apo në thellësinë e natës, para njerëzve, apo kur isha në vetmi, haptazi, apo fshehurazi, e Ti, o Allah më shikon!
· O Allah, kërkoj falje për çdo detyrim, me të cilin më ngarkove gjatë natës, apo ditës, e unë e lashë pas dore me ose pa qëllim, në harresë, ose për shkak të injorancës.
· Kërkoj falje, o Allah, për çdo sunnet të Pejgamberit (salallahu alejhi ve selem ), që e lashë nga neglizhenca, apo harresa, nga injoranca, apo pavëmendja, apo nga moskujdesi që tregova për të.
· Kërkoj falje, o Allah, dhe pendohem te Ti, nga ajo që Ti e urren, qoftë fjalë apo vepër, e dukshme apo e fshehtë. AMIN!
O Zoti im, më jep shëndet në trupin tim,
O Zoti im, më jep shëndet në të dëgjuarit tim,
O Zoti im, më jep shëndet në të pamurit tim.
S'ka të adhuruar tjetër përveç Teje.
O Zoti im, kërkoj mbrojtjen Tënde nga kufri (mosbesimi) e varfëria dhe kërkoj mbrojtjen Tënde nga dënimi i varrit.
...S'ka të adhuruar tjetër përveç Teje