Kriza botërore akoma po shfaq pasojat e saj në ekonominë e Maqedonisë, duke sjellë rritje të çmimeve, sidomos të sendeve të përdorimit të përditshëm.
Kohë më parë, buka u shtrenjtua, kurse paralajmërohet edhe rritja e çmimit të energjisë elektrike dhe ngrohjes. Qytetarët, sidomos rastet sociale ankohen se nuk munden ti përballojnë rritjes së shpeshtë të çmimeve të produkteve të domosdoshme për konsumin e përditshëm.
“Për çdo ditë rritet numri i të papunëve dhe rasteve sociale, ndërsa çmimet poashtu rriten. Vaj halli për ne të varfrit. Nuk mundemi të sigurojmë as një kafshatë buke për familjet tona”, thotë A. Hoti, aktualisht ekonomistë i papunë, raporton INA.
Nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale thonë se përmes një strategjie nacionale, varfëria dhe përjashtimi social në Maqedoni do të pakësohet me masa dhe aktivitete në disa sfera si puna dhe punësimi, arsimi, shëndetësia, mbrojtja sociale.
Ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Xhelal Bajrami ka theksuar se masat dhe aktivitetet të cilat janë projektuar në strategji, Maqedonia dëshiron të përballet me pasojat që iu lanë popullatës si varfëria, pabarazia, përjashtimi social, papunësia, migracioni i të rinjve, plakja e popullatës etj.
Ndërkaq, partitë opozitare në Maqedoni vlerësojnë se rritja e çmimeve të mallrave, e cila po godet shtresat e varfra, është një dështim mbi politikat ekonomike të qeverisjes aktuale.