Sezoni i Kuranit
Nga zakoni i të mençurve është që në kohën e sezoneve të shfrytëzojnë dhuntitë e ndryshme dhe t’i shtojnë ato. Pra, kur është sezoni i një peme, njerëzit marrin prej saj dhe kjo është mençuri.
Kështu është edhe me ibadetet, të cilat nganjëherë janë sezonale e duhet të shtohen dhe të shfrytëzohen nga njerëzit maksimalisht. Për shembull, namazi i natës, që është namaz nafile, ka një vlerë tjetër prej nafileve të tjera, ose dy rekate sunet të sabahut nuk janë të ngjashme në vlerë sikurse nafilet e tjera të ditës.
Edhe agjërimi ka sezone kur preferohet, siç janë dhjetë ditët e Dhil-hixhes, gjashtë ditët e Shevalit, ose agjërimi i ditës së Ashuras dhe një para apo pas saj.
Gjithashtu nuk është e njëjtë umreja në Ramazan me atë jashtë tij apo sadakaja dhe lëmosha që jepen në Ramazan me ato jashtë tij.
Në muajin Ramazan, edhe pse është sezon i çdo ibadeti, Kurani ka përparësi dhe karakteristikë të veçantë. Thotë Allahu i Lartësuar: “Muaji i Ramazanit, që në të (filloi të) shpallet Kurani, që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i së vërtetës nga gënjeshtra).” (El-Bekare, 185)
“Ne e zbritëm atë në një natë të bekuar (në natën e begatshme të Kadrit).” Ed-Duhan, 3)
“Ne e zbritëm atë (Kuranin) në Natën e Kadrit.” (El-Kadr, 1)
Allahu i Madhëruar thotë: “Ti lexo atë që po të shpallet nga libri (Kurani), fal namazin, vërtet namazi largon nga të shëmtuarat dhe të irrituarat, e përmendja e Allahut është më e madhja (e adhurimeve); Allahu e di ç’punoni ju.” (El-Ankebut, 45)
“Ne do ta lexojmë ty e nuk do të harrosh (Kuranin).” (El-A’la, 6)
“Ata që lexojnë librin e Allahut, e falin namazin dhe nga begatitë që Ne u kemi dhënë japin fshehtazi e haptazi, ata e shpresojnë në një fitim që kurrë nuk humbet. Që Ai (Allahu) do t'ju plotësojë shpërblimin e tyre, e edhe do t'ju shtojë nga mirësia e Tij, vërtet Ai është mëkatfalës dhe shumë mirënjohës.” (Fatir: 29- 30)
Kurse Pejgamberi alejhi selam ka thënë: “Lexojeni Kuranin, vërtet ai do të ndërmjetësojë Ditën e Gjykimit për të zotët e vet.”
“Kush e lexon një shkronjë nga Kurani, e meriton një shpërblim, kurse një e mirë vlen sa dhjetë të ngjashme me të. Nuk jam duke thënë: Elif lam mim, është një shkronjë, por elifi është një shkronjë, lami është një shkronjë dhe mimi është një shkronjë.”
“Më i miri prej jush është ai i cili mëson Kuran dhe ia mëson atë dikujt.”
“Nuk ka xhelozi vetëm se në dy veta: njeriut të cilit Allahu ia ka dhënë Kuranin dhe ai e lexon atë (në namaz) natën dhe ditën dhe njeriut të cilit Allahu i ka dhënë pasuri dhe ai atë e harxhon natë e ditë në bamirësi.”
Një dijetar i njohur, Ibn Rexhebi, tregon në njërin prej librave të tij raportet e selefit (të parët) me Kuranin gjatë këtij muaji.
Abdullah ibn Amr ibn Asi, Allahu qoftë i kënaqur me të, tregon dhe thotë: “Pejgamberi alejhi selam më tha: “Lexoje krejt Kuranin për një muaj.” I thashë: “Mundem edhe më tepër.” Më tha: “Lexoje për 20 net.” I thashë: “Mundem edhe më tepër.” Më tha: “Lexoje për shtatë ditë e mos i shto asgjë kësaj.”
Ata ibn Saibi thotë: “Ebu Abdur-Rahmani thoshte: “E kemi marrë Kuranin prej disa njerëzve që na tregonin se kur i mësonin dhjetë ajete, nuk i kalonin derisa nuk e mësonin çdo gjë që ishte në to. Ne e mësonim Kuranin dhe veprimin sipas tij. Do ta trashëgojnë Kuranin pas nesh disa njerëz, që do ta lexojnë sikur pinë ujin, mirëpo nuk do t’ua kalojë fytin.”
Musejeb ibn Rafiu thotë: “Abdullah ibn Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur me të, thoshte: “Bartësi i Kuranit duhet të njihet gjatë natës, kur të tjerët flenë; duhet të dallohet gjatë ditës, kur të tjerët hanë ushqim; duhet të jetë i mërzitur kur të tjerët gëzohen; duhet të heshtë kur njerëzit përzihen tepër; duhet të ketë hushu kur njerëzit kanë kibër. Bartësi i Kuranit duhet të jetë njeri që qan, i mërzitur, i butë, i urtë dhe njeri që hesht. Bartësi i Kuranit nuk duhet të jetë i vrazhdë, as neglizhues (gafil), nuk duhet të bërtasë dhe nuk duhet të hidhërohet.”
Këto ajete dhe hadithe stimulojnë për leximin e Kuranit, mirëpo ndalesa ka ardhur që të mos lexohet Kurani për më shpejtë se tri ditë, por duke pasur parasysh sezonin, atëherë duhet të shtohet doza e leximit në maksimum, ky është mendimi i disa dijetarëve si Imam Ahmed ibn Hambel, etj.
E jona është të marrim shembull nga këta njerëz, të mbushemi me ambicie të larta që ta shtojmë shtimin e leximit në këtë muaj, në muajin e Kuranit. E pse jo, kur e dimë se është Libri i Zotit tonë, në të ka tregime të popujve të mëparshëm, lajme që do të ndodhin pas jush, është ligj për ne. Kurani është një fjalë që dallon, gjykon. Nuk është i parëndësishëm (lojë e kotë)!
Në fund, a nuk obligohemi me leximin e Tij dhe a thua vallë ka fjalë më të mirë, më të bukur, më të shtrenjtë? Pra, vazhdo o vëlla dhe motër, shfrytëzoje kohën e sezonit para se të kalojë ky muaj i bekuar.