Mburoja.Net
Ëmbëlsia e Kuranit
Imam et-Taberi thotë në Xhami' el-Bejan:
"Çuditem me atë që e lexon Kuranin dhe nuk e mëson te'wilin
(tefsirin/domethënien) e tij. E, si do ta shijojë ai ëmbëlsinë e
recitimit të tij?"
Ebu AbduRrahman Eslemi thotë:
"Ne e mësuam Kuranin nga disa njerëz të cilët na treguan se ata i mësonin dhjetë ajete të Kuranit dhe asnjëherë nuk i kapërcenin ato, derisa të kuptonin domethënien e tyre dhe të
vepronin sipas tyre. Mirëpo, njerëzit që do të vijnë pas nesh, do të trashëgojnë Kuranin (dmth do ta lexojnë) ashtu siç pihet uji, por ai s'do t'i kalojë fytet e tyre (dmth s'do të veprojnë sipas tij)" (Sijer A'lam en-Nubelaa' 4/269)
Ebul-Alije tha:
"Do t'u vjen njerëzve një kohë kur Kurani do të dëmtohet në gjokset e tyre dhe ata s'do ta ndjejnë ëmbëlsinë e tij. Nëse dështojnë në atë për çka janë urdhëruar, ata thonë:'Allahu e ka rahmetin e madh', dhe, nëse e bëjnë atë nga çka janë ndaluar, ata thonë:'Allahu do të na falë, meqë nuk i kemi shoqëruar gjë në adhurim'. E tërë çështja e tyre është lakmi pa vërtetësi (pa sinqeritet); ata mbartin lëkurat e qengjave mbi zemrat e ujqërve. Më i miri nga ta në fe, përfundon si mashtrues (i pasinqertë)". (Imam Ahmed, Kitab ez-Zuhd, f.241-242)
Ibn el-Kajim tha:
"S'ka gjë më të dobishme për zemrën sesa leximi i Kuranit me reflektim dhe meditim ... Sikur njerëzit të kuptonin se çka përmban recitimi i Kuranit me reflektim, ata do t'i përkushtoheshin kësaj në përjashtim të çdo gjëje tjetër. Kur një person e lexon atë me reflektim dhe ndeshet me një ajet që është i nevojshëm për shërimin e zemrës së tij, ai e përsërit atë njëqind herë apo tërë natën. Kështu, të recitosh një ajet të vetëm të Kuranit me reflektim dhe meditim është më mirë, sesa të lexosh Kuranin deri në fund pa kurrfarë reflektimi apo meditimi. Po ashtu, kjo është më e dobishme për zemrën dhe më e favorshme për arritjen e imanit dhe për shijimin e ëmbëlsisë së Kuranit ..."
(Miftah Dar es-Se'adeh, 1/358)