Që nga sot ... planifiko për Natën e Kadrit.
--------------------------------------------------------------------------------
A është kohë e mjaftueshme njëzetë e pesë ditshi për arritjen e suksesit?
A është kjo kohë e mjaftueshme që njeriu të arrijë maksimumin që ka mundësi për t’u përgatitur?
Për këtë çështje u thellova në mendime atëherë kur një mik më propozoi që të shkruaj diçka për “planifikimi për natën e kadrit” që njëherit lusim Zoti që të na mundësoj arritjen e saj.
Pra, unë sot ndjej se është “vonë” të bisedohet rreth planifikimit për pritjen e Natës së Kadrit e nuk është herët siç mund të mendoj dikush!
Megjithatë.. cilët janë hapat që kemi mundësi t’i shfrytëzojmë në mënyrë që të jemi më afër arritjes së kësaj dhurate madhështore të Zotit në këtë natë të begatshme?
Ç’është e vërteta unë këtë thënie e konsideroj si një pyetje që nuk ka përgjigje!!
Sepse jam i bindur se vetëm pyetja për “planifikim” të suksesshëm dhe përgatitje për Natën e Kadrit është një hap i madh që të arrihet deri te qëllimi.
Megjithatë do të mundohemi të vendosim disa premisa për këtë përgjigje, dhe atë përmes “çelësave” të cilët do ti përdorim që të arrijmë me sukses deri te ky planifikim.
Çelësi i parë:
S’ka dyshim se çelësi i parë është në ndjenjat e zemrës për vlerën që ka kjo natë, dhe mundësinë e ndryshimit që mund të bëjë kjo natë në jetën e njeriut.
Mendoj se e kam cekur njëherë dallimin mes njohurive të mendjes dhe ndjenjës së zemrës, ku kam sqaruar dhe kam thënë se mendja është “depo” e njohurive, ndërsa zemra është “depo” e ndjenjave. Në shtëpizën e kompjuterit ekzistojnë disa (urdhra) të deponuara në memorie, këto urdhra mbesin statike derisa të arrijë rryma në kompjuter, në këtë rast kompjuteri arrin që këto urdhra t’i shndërroj në “realitet” të cilat vërehen në ekran.. ajo që kemi në mendjet tona i ngjan këtyre urdhrave..ato qëndrojnë statike derisa hyn në funksion rryma e ndjenjave të zemrës..atëherë vetëm në këtë rast ato shndërrohen në veprim.
Sa njohuri kemi ne në mendjet tona për vlerën e Ramazanit dhe të Natës së Kadrit?
Të gjithë ne e dimë përmendësh kaptinën “El-Kadër”..
Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
“Ne e zbritëm atë (Kur’anin) në Natën e Kadrit.E ç’të bëri ty të dish se ç’është Nata e Kadrit? Nata e Kadrit është më e rëndësishme se një mijë muaj! Me lejen e Zotit të tyre në (atë natë) të zbresin engjëjt dhe shpirti (Xhibrili) për secilën çështje. Ajo (që përcakton Zoti) është paqe deri në agim të mëngjesit.”
Të gjithë ne kemi dëgjuar hadithin e Pejgamberit a.s. “ Kush falet natën e kadrit duke qenë i bindur thellë dhe duke shpresuar në Zotin, atij do t’i falën mëkatet e kaluara” (Buhariu dhe Muslimi).
Nuk janë të pakët ata që kanë dëgjuar thënien e Pejgamberit a.s. ku thotë: “ Ky muaj i begatshëm ka ardhur, në të gjendet një natë me e vlefshme se sa një mijë muaj, ai që privohet nga ajo veç është privuar nga të gjitha të mirat, por, nuk privohet nga të mirat e saja veçse njeriu i pafat” ( ibn Maxhe).
Ata të cilët kanë bërë zakon që të kërkojnë për vlerën e Ramazanit i kanë vërejtur disa thënie të bukura të dijetarëve të mëhershëm, si p.sh. thënia e Kaab El-Ahbari i cili thotë: “ Kjo natë për ne konsiderohet si natë që shlyen mëkatet”. Ose thënia e Katades: “ Ajo është në tërësi e begatshme deri në agim”. Ose thënia e El-Verrakut: “Është emëruar me këtë emër (lejletul-kadri- nata e vlerës); për shkak se në këtë natë ka zbritur një libër me vlerë, përmes engjëllit me vlerë, tek Pejgamberi me vlerë, për një ummet-komunitet me vlerë”.
Të gjitha këto që u thanë janë një pjesë e konsiderueshme e njohurive.. çelësi i parë i suksesit është që këto njohuri të shndërrohen në ( rrymë vepruese nga brendësia e ndjenjave).
Ejani të meditojmë së bashku .. të meditojmë thellë në këto njohuri .. me shpresë që ky meditim të ringjallë në ndjenjat tona jetën.
Më e vlefshme se sa një mijë muaj?!
Çfarë domethënie ka kjo? A donë të thotë se vlera e saj është më e madhe se sa një mijë muaj?
Jo .. Muxhahidi thotë: veprimet e asaj nate, agjërimi i saj dhe falja në atë natë janë më të vlefshme se sa një mijë muaj! Që dmth se ai që vepron ndonjë vepër të mirë është më e vlefshme se sa ai që ka vepruar ndonjë vepër të mirë për një mijë muaj në të cilët nuk ka natë të kadrit!!
Çfarë donë të thotë kjo?
Kjo donë të thotë se ai i cili (ka sukses) në këtë natë ai do ta tejkalojë në grada atë të cilin ka kaluar 83 vjet e 4 muaj duke agjëruar, duke u falur dhe duke lexuar Kur’an !! “Nata e Kadrit është më e rëndësishme se një mijë muaj”
Për ta vërtetuar këtë që po them kemi hadithin që transmeton ibn ebi Hatimi deri te i Dërguari i Zotit i cili kishte përmendur katër vetë nga benu israilët të cilët kishin adhuruar Zotin 80 vjet, duke mos bërë mëkat ndaj Tij asnjëherë, kishte përmendur Ejubin, Zekerijaun, Hazkil bin el-Axhuz dhe Jushaë bin Nun. Në këtë rast shokët e Pejgamberit a.s. u habitën, pastaj erdhi Xhibrili dhe tha: “ O Muhammed, ymmeti yt u habit nga adhurimi i këtyre njerëzve për 80 vjet radhazi duke mos bërë mëkat asnjëherë, Zoti ka zbritur diçka më të mirë se sa kjo dhe ia laxoi ajetet: “Ne e zbritëm atë (Kur’anin) në Natën e Kadrit. E ç’të bëri ty të dish se ç’është Nata e Kadrit? Nata e Kadrit është më e rëndësishme se një mijë muaj!...”, kjo është më e vlefshme se sa ajo që ti dhe ymmeti yt jeni habitur, atëherë Pejgamberi a.s. u gëzua shumë”.
Ta llogarisim me një formë tjetër..
Nata e kadrit nuk ka më shumë se sa 12 orë .. ndërsa një mijë muaj bëjnë 720.000 orë!! Pra, ai që ka sukses në shfrytëzimin e 12 orëve është sikur ai i cili ka kaluar 720.000 orë duke agjëruar dhe duke u falur!! “Nata e Kadrit është më e rëndësishme se një mijë muaj”.
Ta llogarisim në një formë krejt tjetër..
Të llogarisim se ndonjërit nga ne Zoti i ka dhënë jetë dhe ka jetuar 83 vjet, ai për çdo ditë ka lexuar nga një faqe të Kur’anit, atëherë sa do të jetë shpërblimi i tij me të mira? Në një hadith autentik thuhet: “ Kush lexon një shkronjë nga Kur’ani ka një sevap kurse një sevap shpërblehet me dhjetë... nuk them që (elif-lam-mim) është një shkronjë, mirëpo “elifi” është shkronjë, “lami” është shkronjë dhe “mimi” është shkronjë”.
Mund të thuhet se: mesatarja e shkronjave në çdo faqe të Kur’anit është 300 shkronja.
Në këtë mënyrë të mirat (sevapet) qe ka arritur ky njeri gjatë një dite janë 3000 sevape!
Ndërsa të mirat e arritura gjatë 83 viteve janë një miliard sevape!!
Tërë këtë thesar të çmuar e ka arritur vetëm nga leximi i një faqe të Kur’anit për çdo ditë, ndërsa nëse i bashkangjitën këtyre edhe sevapet e arritura nga falja e namazeve, të përmedurit e Zotit, vizita e farefisit, mirësjellja ndaj prindërve, përkujdesi për familje, lëmosha etj...nëse tërë këtë ia bashkangjesim një miliard sevapeve atëherë sa sevape do të jenë në gjirollogarinë e tij? S’ka dyshim se do të jet një numër që nuk mund të paramendohet! !
Mirë .. nëse ke sukses dhe shfrytëzon Natën e Kadrit atëherë ti do të arrish me shumë se sa ajo që u përmend!! “Nata e Kadrit është më e rëndësishme se një mijë muaj”.
Atëherë a kemi filluar tash ( të ndjejm) e nuk po them (të dim) domethënien e fjalës së Zotit: “Nata e Kadrit është më e rëndësishme se një mijë muaj”?!!
Të meditojmë rreth një çështje tjetër .. rreth faljes (magfiretit) të Zotit për atë që falet këtë natë me bindje dhe shpresë ndaj Zotit.
Të përqendrohemi një moment me veten tonë .. sa është numri i mëkateve që kemi bërë? Sa herë kemi shiquar në harame? Sa herë kemi dëgjuar harame? Sa herë kemi folë diçka që hidhëron Zotin? Sa herë kemi qenë neglizhent ndaj prindërve dhe farefisit?
Sa prej neve kemi bërë amoralitet? Sa prej neve kemi gënjyer? Sa prej neve kemi ngrën pasuri haram? Sa mëkate fshihen në brendësinë tonë e që nuk i dinë askush përveç Allahut .. sigurisht se do të trishtohemi?
Pastaj .. a kemi menduar ndonjë herë se sa herë jemi privuar nga furnizimi i Zotit për shkak të këtyre mëkateve? Sa të mira na kanë ikur për shkak të tyre? Sa dënime kemi përjetuar për shkak të tyre?
Pastaj .. a kemi menduar ndonjëherë se çfarë na pret në varr, në Ditën e Kiametit? Çfarë dënimesh do të kemi për shkak të këtyre mëkateve?
Nga e gjithë kjo sprovë mund të lirohesh vetëm për një natë!!
O Zot ..!
Një natë eliminon dënimet e disa viteve?
Një natë mënjanon mëkate të cilat janë sa kodrat dhe nga të cilat na u është rënduar shpina?
Një natë eliminon nga ne pengesat e sukseseve dhe ndalesat e bereqetit?
Po .. kështu është Nata e Kadrit .. të pastron o zotëri .. të pastron tërësisht .. të nxjerr të pastër sikur uji i qiellit .. të bardhë sikur retë e qiellit..
A mund ta paramendosh vlerën e kësaj?
Kam për qëllim.. a po (ndjen) vlerën e kësaj?
Edhe diçka tjetër në këtë kontekst ..
A mund të arrish dallimin mes Omer bin el-Hattabit r.a. para islamit dhe Omerit pas islamit?
A mund të arrish dallimin mes Abdullah bin el-Mubarekut, këngëtarit dhe pirësit të alkoolit, dhe mes Abdullah bin el-Mubarekut, dijetarit dhe hadithologut të shquar?
A mund të arrish dallimin mes el-Fudejl bin Ijadit, të rrebeluarit, vjedhësit, dhe mes el-Fudejl bin Ijadit, adhuruesit mistik dhe të sinqertë?
Në jetën e të gjithë këtyre ishte një “moment” i cili shndërroi kahen e jetës së tyre, u shndërrua personaliteti i tyre.. s’ka dyshim se ai ishte momenti i udhëzimit të tyre me të cilin u shndërruan nga një gjendje në një gjendje tjetër.
Bëhu i sinqertë ndaj meje .. a nuk dëshiron në jetën tënde një moment të tillë .. i cili do të të bartte nga gremina në të cilën je dhe do të të shndërronte në një njeri të dashur te Zoti, dhe në një njeri të ditur dhe të njohur për ymmetin mysliman?
Përkujto pra se Nata e Kadrit në të cilën ( ke sukses) është nata më shpresëdhënëse në jetën tënde për të arritur këtë moment. Ajo është nata më shpresëdhënëse! “Në atë (natë) zgjidhet çdo çështje në mënyrë të prerë.”. Katadja thotë: në atë natë caktohen gjërat që do të ndodhin gjatë një viti.
Diçka për në fund që ta përmbylli me të orvatjet për nxjerrjen e njohurive të brendshme në mënyrë që ato të shndërrohen në ndjenja.
Paramendo veten tënde që ke adhuruar Zotin 50 vjet .. më pastaj ke takuar Zotin mirëpo nuk ke gjetur anjë të mirë në peshoren e veprave të mirë!! Sa do të jesh fatkeq atë moment?
Paramendoje veten tënde sikur të bësh pjesë në grupin e atyre për të cilët Zoti thotë: “Thuaj: “A t’ju tregojmë për më të dëshpëruarit në veprat e tyre? Ata janë veprimi i të cilëve u asgjësua në jetën e kësaj bote, e megjithatë ata mendojnë se janë kah bëjnë mirë.”!! Sa do të jesh fatkeq atë moment?
Paramendoje veten tënda duke u orvatur për të vepruar punë të mira mirëpo nuk mundesh, nuk të jepet mundësia me gjithë mundin që bënë!! Sa do të jesh fatkeq atë moment?
Besoj se ke kuptuar se çfarë do të thotë privimi! A dëshiron të shpëtosh dhe të ikësh nga ai?
Atëherë duhet të orvatesh në mënyrë që të kesh sukses në Natën e Kadrit ..sepse Pejgamberi a.s. ka thënë: “ .. ai që privohet nga ajo veç është privuar nga të gjitha të mirat, por, nuk privohet nga të mirat e saja veçse njeriu i pafat” ( ibn Maxhe).
A kemi filluar të ndjejmë (vlerën) e kësaj nate dhe mundësin se çfarë gjurmësh mund të bëjë kjo natë në jetën tonë?!!
Atëherë a kanë filluar këto njohuri të shndërrohen në ndjenja të thella për pritjen me mall të Natës së Kadrit?
Ky është çelësi i parë: ndjenja e vlerës së kësaj nate me një ndjenjë që bënë zemrën me mall për adhurim dhe gjymtyrët e trupit të gatshme për nënshtrim.
Çelësi i dytë: Kërkimi i ndihmës nga Zoti
Ky është një çelës i rëndësishëm dhe nuk duhet të jemi neglizhent ndaj tij.
Sikur të mendonte thellë njeriu rreth kaptinës El-Fatiha të cilën e lexon çdo rekate të namazit do ta gjente lidhje e mahnitshme mes adhurimit dhe kërkimit të ndihmës në ajetin: “Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm te Ty kërkojmë ndihmë!”. Sikur domethënia të jetë: nuk ka adhurim pa kërkim të ndihmës! Ai që dëshiron ta adhuroj Zotin dhe t’i nënshtrohet Atij pa kërkuar ndihmë nga Ai nuk do të ketë sukses!
Ndërsa në të kundërtën, ai që kërkon ndihmë nga Zoti, shpreson në ndihmën e Tij atij do t’i hapen dyert e të mirave të cilat ndoshta nuk i ka parë më herët.
Një dijetar me emrin Ebu Sulejman tregon se një njeri të mirë të quajtur Abdulvahid e kishte goditur paraliza, ai iu kishte lutur Zotit që në kohën e abdesit të lirohet nga kjo sëmundje dhe me të vërtetë kjo kishte ngjarë, kur merrte abdes shërohej ndërsa kur shkonte në shtrat kthehej në gjendjen e mëparshme. (marr nga libri: Es-Sijer: 179/7)
I shihni mrekullitë e të kërkuarit ndihmë nga Zoti për ta adhuruar?!!
Njeriu i paralizuar kishte lëvizur dhe ishte ngritur për të marr abdes!!
Atëherë përse ne nuk fillojmë që nga sot t’i lutemi Zotit sinqerisht që të na i hap dyert e adhurimit dhe të na ndihmojë që ta përmendim Atë dhe ta falënderojmë, të na mundësoj që të falemi para madhërisë së Tij dhe të na i hap zemrat tona në mënyrë që ta shijojmë ëmbëlsinë e adhurimit ndaj Tij.
Çelësi i tretë: Gradualiteti në adhurim.
Sepse natyra e njeriut-nefsit është e tillë, është vështirë që për një moment të ndryshoj atë që është mësuar të veproj për një kohë të gjatë! Gradualiteti i ndalimit të alkoolit është një argument i mirë për këtë që po themi.
Për këtë është e udhës që përgatitja apo planifikimi për Natën e Kadrit të bëhet në mënyrë graduale duke e ushtruar veten me lloje të ndryshme të ibadeteve.
Ta marrim si shembull leximin e Kur’anit ..
Mes nesh dhe muajit të Ramazanit kanë mbetur edhe dy javë .. atëherë le të fillojë çdonjëri prej neve që gjatë këtyre dy javëve ta bëjë një hatme duke lexuar nga dy xhuza për çdo ditë! Ndërsa kur të hymë në muajin e madhërishëm të Ramazanit në dhjetë ditshin e parë e bënë një hatme, pastaj në dhjetëshin e dytë dy hatme duke lexuar nga gjashtë xhuza për çdo ditë, pastaj në dhjetëditëshin e fundit tri hatme duke lexuar nga një hatme për çdo tre ditë!.
Ky është një shembull për gradualitetin i cili çdo punë që duket e vështirë e bënë më të lehtë që të realizohet.
Një shembull tjetër për farzet ..
Njeriu duhet të mundohet në këtë kohë që ka mbetur nga muaji Shaban që t’mos i kaloj asnjë namazi me xhemat në xhami, më pas gradualisht mundohet që të vijë më herët në xhami derisa të adaptohet të vijë para ezanit dhe kështu të qëndroj në xhami edhe pas namazit.
Në këtë mënyrë e adopton veten e tij të qëndroj gjatë në xhami, gjysmë ore, një orë, dy orë, e kështu ..
Këtë mund ta praktikosh edhe në falje të namazit të natës, në lëmoshë dhe në të gjitha llojet e adhurimeve ndaj Zotit.
Me këtë lloj gradulaiteti njeriu e mëson veten edhe në shmangien e mëkateve, duke e kontrolluar veten e vet se çfarë është duke bërë, më pastaj fillon gradualisht që t’i shmanget atyre veprimeve, nëse është i dhënë shumë pas kanaleve televizive-serialev e i shmanget atyre gradualisht, nëse merret me përgojim mundohet që gradualisht të lërë atë, nëse është mësuar të gënjej mundohet gradualisht t’i shmanget gënjeshtrës .. dhe kështu me radhë.
Pra gradualiteti dhe përgatitja paraprake për çdo çështje e bënë njeriun më të fuqishëm për atë çfarë është përgatitur.
Çelësi i katërt: Projektet për adhurim.
Rezymeja e këtij çelësi është që të përcaktosh prej tash se çfarë adhurimesh do të bësh, dhe të jesh shumë i kujdesshëm dhe syçelë në mënyrë që mos të të zë muaji i Ramazanit pa pasur ndonjë projekt përveç dëshirës për adhurim.
Mendohu prej tash ...
Çfarë adhurimesh dëshiron të realizosh në mënyrë që ta arrish vlerën e Natës së Kadrit?
Për shembull Mund të thuash:
Do të mundohem që t’mos e lë asnjë reqate të namazit të teravive pa e falur. Ose do të mundohem që të fali më shumë namaz të teravive dhe namaz të natës në mënyrë që të afrohem më shumë te Zoti. Ose do të mundohem që ta zgjas namazim, të qëndroj në këmbë gjatë duke lexuar në një rekate një fletë të Kur’anit. Ose do të kërkoj falje nga Zoti (istigfar) përafërsisht një mijë herë gjatë ditës dhe po ashtu do të bie salavat mbi Pejgamberin a.s. po aq herë. Ose do të bëjë kaq e kaq hatme ... Ose do të mundohem që gjatë muajit të Ramazanit të lexoj 1/3 e komentimit të Kur’anit.
Është e natyrshme se këto projekte ndryshojnë sipas mundësisë së njerëzve dhe gjendjes së tyre, mirëpo duhet tu jepet rëndësi e veçantë dhe e merituar dhe çdonjëri të përgatitet me aq sa ka mundësi.
Dhe në këtë mënyrë arrin muaji i Ramazanit dhe ti ke ( projekte për adhurim) të caktuara të cilat dëshiron ti realizosh, dhe do të gjesh që vetvetiu e rregullon programin ditor në atë mënyrë që të përshtatet për ta realizuar.
Çelësi i pestë: të lirohemi nga të menduarit vetëm për një natë.
Shumë njerëz pyesin për natën e kadrit se kur është ajo? Duke e preokupuar veten me shumë tekste të sakta ose edhe të dobëta që tregojnë për shenjat e saj.
Parimisht nuk ka gjë të keqe për këtë; sepse ekzistojnë disa tekste nga të parët tan të cilët kanë sugjeruar që të kihet kujdes për disa net, sa që disa nga dijetarët e mëhershëm në ato net që konsideronin se mund të jetë nata e kadrit pastroheshin dhe parfumoheshin. Thuhet se Enes ibn Malik kur ishte nata e njëzetë e katërt e Ramazanit pastrohej, parfumohej dhe vishte petkun e veçantë derisa arrinte mëngjesi ku më pas i zhvishte dhe nuk i vishte më deri në vitin e ardhshëm në po të njëjtën natë. Kurse Ejub Es-Sehtijani pastrohej natën e njëzetë e tretë dhe njëzetë e katërt dhe i vishte rrobat e reja.
Ku qëndron problemi ?
Problemi qëndron nëse njeriu nuk bënë asnjë adhurim ose shumë pak përveç në atë natë për të cilën mendon se është Nata e Kadrit !.
Në këtë mënyrë mund t’i humb i tërë mundi por gjithashtu edhe t’mos jetë pasues i Pejgamberit a.s. sepse ai i Dërguari a.s. sidomos në dhjetë ditshin e fundit bënte përpjekje dhe mund të madh duke adhuruar Zotin.
Që të të ndihmoj (që të lirohemi nga të menduarit vetëm për një natë) them se thënia e cila thotë se Nata e Kadrit bartet-transferohet nga një natë në natën tjetër, në netët tek të dhjetëditëshit të fundit është thënie e fortë dhe ka bazë të fuqishme. Vitin në të cili Ebu Seidi e kishte parë në ëndërr Pejgamberin a.s. duke bërë sexhde në ujë dhe baltë ka qenë nata e njëzetenjë, ndërsa në vitin në të cilin biri i Unejsit e kishte parë në ëndërr Pejgamberin a.s. kishte qenë nata e njëzetë e tretë. Për këtë arsye nëse përqendrohemi vetëm në një natë ka mundësi që ta humbin këtë natë.
E shihni?!!
Nuk ka rrugë tjetër për atë që dëshiron ta arrijë vlerën e Natës së Kadrit përveçse të planifikoj dhe të përgatitet për arritjen e dhjetëshit të fundit në tërësi dhe ta eliminoj idenë e (kërkimit) vetëm në një natë.
Allahu xh.sh. e ka lënë sekret këtë natë në mënyrë që njerëzit të mundohen ta adhurojnë Zotin në mënyrë të vazhdueshme e jo vetëm në një natë, këtë që po themi e vërteton edhe hadithi i cili gjendet në Muëxhem Et-Taberani El-Kebir i transmetuar nga Abdullah ibn Unejs i cili ka thënë: “ O i Dërguar i Allahut më trego për natën e cila ka gjasa të jetë nata e kadrit, Pejgamberi a.s. tha: sikur të mos isha frikësuar se njerëzit do ta linin namazin përveç asaj nate do të të kisha treguar”.
Ndërsa në hadithin e Ebu Dherrit r.e. qëndron se: i Dërguari i Allahut ka thënë: “sikur të më lejohej do të të kisha lajmëruar dhe përmendi një fjalë se mund të jetë në shtatëshen e fundit” ( transmeton Ibn Huzejme).
O Zoti i gjithësisë na mundëso arritjen e Natës së Kadrit ....