Tetë (8) Marsi nuk është ditë e zakonshme dhe këtë mund ta vërejmë nga mobilizimi i tregtarëve duke dekoruar dyqanet e tyre për të shitur sa më shumë mallë tregtarë, këtë e vërejmë nga objektet hotelerike, duke u përgatitur për të pritur vizitat për nderë të grave, për të shtruar koktejet e drekat/darkat solemne mbretërore, këtë e vërejmë nga organizatat shtetërore nëpërmjet manifestimeve kulturore (pastër për përfitime të votave politike), këtë e vërejmë nga organizatat joqeveritare të grave dhe udhëheqëset e tyre, duke u “çjerrë” para opinionit për të drejtat e femrave. Kjo është dita në të cilën femrave iu kushtohet vëmendje e veçantë.
Ç’është kjo ditë? Ç’do të thotë kjo ditë? Nuk do të hyjmë në aspektin historik, pos të theksojmë se Tetë (8) Marsi është Dita Ndërkombëtare e Gruas e vendosur në Konferencën II Ndërkombëtare të Grave Socialiste në Kopenhagë, më 13 dhe 14 gusht 1910. Këtu u vendos që çdo vit të organizohet kjo ditë si ndërkombëtare në shenjë të demonstrative të mëdha që bënë grate amerikane në vitin 1909 për të drejtën e votes së grave. Në vitet vijuese filloi të festohet nëpër shtetet e ndryshme evropiane: Gjermani, Austri, Danimarkë dhe Zvicërr më 1911, Rusi më 1913, Serbi më 1914 etj. (Mala Enciklopedija Prosveta, 2, Beograd, 1986, fq. 897).
Nëse lexoni më hollësisht do të kosntatoni edhe vetë se Tetë Marsi është një pjellë e socializimit, me pretekst të mbrojtjes së të drejtës së femrës. Por, sipas asaj që shohim në qytet, në televizione e gazeta, le të kuptohet se femra ka një ditë në të cilën është e mbrojtur dhe në të cilën vjen në shprehje kujdesi ndaj saj, në të cilën ajo është “hyjni”, kurse në 364 ditët tjera ajo mund të nëpërkëmbet, mund të eksploatohet në mënyrat më të vrazhda, si mishë i gjallë për industrinë nepsarake dhe kanibaliste të modernizmit e pasmodernizmit.
Është e çuditshme se si kjo festë, çdo ditë e më tepër po depërton edhe ndër muslimanët e botës dhe të trojeve shqiptare në veçanti, sikurse edhe në disa vende të tjera në Lindjen e largët. Duket se ka gjetur terren të plleshëm.
Edhe më herët nëpërmjet Lidhjes Socialiste, por sidomos tash nëpërmjet ndikimit direkt perëndimor, trojet tona po ndikohen nga mjedisi botëror. Kësaj gjendjeje po i ndihmon edhe mjedisi i ri i krijuar viteve të fundit, pastaj masmediumet e shkruara dhe elektronike. E kaluara degjeneruese evro-perëndimore-kristiane rreth femrës, ku femra është shkelur në shumë aspekte, dhe kritikat kundrejt asaj gjendjeje, si duket, kohëve të fundit po reflektohet ndaj Islamit si fe, e sidomos ndaj femrës muslimane shqiptare, për gjoja shkeljen e të drejtave të tyre. Duke kritikuar kristianizmin mesjetar ndaj femrës ata kritikojnë edhe Islamin. Si rezultat dhe pasojë e kësaj gjendjeje erdhi deri te formimi i dhjetëra organizatave femrore, me synim të mbrojtjes së femrave. Këto lëvizje nuk kritikojnë praktikën historike, veprimet konkrete të një kohe apo një grupi, që do të kishte vend për kritikë, por kritikojnë Islamin si të tillë, si fajtorë kujdestar të mossuksesit të femrës.
Sipas trendit të ri, roli i femrës më nuk është në edukimin e fëmijëve, kryerjen e punëve shtëpiake dhe respektin ndaj burrit; ato janë të barabarta me meshkujt në të drejta dhe të detyrime. Kjo solli deri te vërshimi i femrës nga ambienti kryesisht shtëpiak në atë rrugor. Femra punon punë të llojllojshme, e disa prej tyre janë të rënda dhe të papërballueshme edhe për mashkullin; femra është bërë mall tregtie dhe copë mishi i gjallë për klubet e specializuara për prostitucion, trafikim etj. Kjo gjendje solli çrregullimet në familje, degjenerimin moral në shoqëri deri në përmasa të pandemisë planetare.
Duke krijuar rrethana të këtilla, shumë femra në botë e kanë vështirë të sigurojnë ekzistencën ekonomike në familje. Po ashtu, pas ditës së mundimshme të kaluar në punë fizike është vështirë të kesh kohë, durim dhe disponim për obligime familjare, prindërore dhe bashkëshortore. Si pasojë të kësaj gjendjeje, si pasojë e ikjes së përgjegjësisë, kemi problemin e mbytjes së fëmijëve në format më të ndryshme, madje edhe legale, nëpërmjet abortit.
Islami gjykon mbytjen e fëmijëve femra në kohën parakur’anore, dhe ka arritur ta çrrënjos këtë dukuri të keqe. Por, sot kemi një gjendje më të rendë se para XV shekujve: sot nuk mbyten vetëm fëmijët femra por edhe meshkuj, me abort, me mjete kontraceptive. Në Kur’an thuhet: “Dhe kur të pyeten ato vajza të varrosura të gjalla, për çfarë mëkati ato janë mbytur.” Et-Tekvir, 8-9).
Kjo gjendje, kjo pasqyrë tregon se nuk paska kaluar koha e mbytjes së fëmijëve, por paska ndërruar vetëm mënyra, metoda dhe mjetet e mbytjes. Po ashtu, është zgjeruar edhe rrethi i viktimave: nga fëmijët vajza edhe në fëmijët djem, dhe atë: me helmim nëpërmjet tabletave, me ngulfatje nëpërmjet spiraleve dhe me metoda të tjera gjithnjë e më të përsosura. Sidoqoftë mënyra, fundi është vdekje! SOS! SOS! SOS! SOS! SOS! SOS! SOS! SOS! ……………….
Por vdekja e kohës moderne ka edhe pasoja morale. Fëmija lind për shkak të epshit, dhe në emër të lirisë seksuale i lëshohet skilave dhe haribdeve të rrugës. Ai nuk lind nga dashuria. Moralin e fëmijëve më nuk e cakton prindi, sepse prindërit nuk kanë kohë; merren me politikë, merren me çështje shumë të rëndësishme, merren me pamjen e jashtme të trupit (të duken sa më seksi). Por, fëmijëve tanë moralin ua jep shoqëria, sepse ata si duket i duan fëmijët tanë më shumë se vetë prindi. Çfarë absurdi! Shikoni rreth vetes në të katër sezonat dhe vini gishtin në kokë! Prindi tund kokën dhe rrudhë supet: Çka me bë! Erdhi koha! Po zotëri prindi, nëse ti s’ke çka bën, ka çka bën industria e modes dhe bosët e tyre politikanë që mendojnë pa pushuar si të afarojnë bizneset e tyre. Ata mendojnë të kenë lëndë të parë, e lënda e parë janë fëmijët tanë. Fëmijët do të përpunohen dhe do të jenë konsumatorë të parë të prodhimeve të bosëve, ata do të jenë “të dëgjueshmit”, viktimat e tyre, kurse fjalët e ndonjë prindi ende të vetëdijshëm, do të trajtohen si arkaike, regresive, të shkuara, mesjetare, të prapambetura, relikte të kohëve të vjetra …
Femrat e reja, por edhe gratë e martuara tashmë kanë filluar të identifikohen me aktorët e televizionit dhe të tregut përbindësh në përgjithësi. Femra aktuale neveritet dhe turpërohet nga veshmbathja, jetesa dhe veprimi normal i deritashëm, sepse është démodé të veshmbathet me të vjetrën. Të liruara nga feja dhe normat fetare, ato më nuk mund t’i shërbejnë si shembull as fëmijës së vet e lëre dikujt tjetër. Femra më nuk mund të jetë bashkudhëtare në rrugën e burrit të vet, por vetëm partnerë seksualë. Rastin e tillë e shfrytëzojnë meshkujt, e sidomos kompanitë e ndryshme për qëllime eksploatuese e përfituese. Nuk dihet kush kend e ka grua/burrë, nuk dihet saktë kush kend e ka fëmijë/prind, kush me kend flenë, Askujt nuk i pengon asgjë. Kjo anarki ia tejkalon edhe atyre të Arabisë parakur’anore, të Atinës dhe Spartës së vjetër, të Romës të vjetër. Ky është zëvendësimi i jetës islame.
Ndonëse nuk mendojmë të flasin për femrën me këtë rast, vendin që femra e ka në Islam nuk mund ta gjejë askund. Muhammedi a.s. thotë: ”Xhenneti është nën këmbët e nënës”. Çka do të thotë kjo? Thjeshtë, nëse dëshiron në xhennet, duhet ta dëgjosh nënën sipas rregullave islame dhe të kujdesesh për të.
Hadithi tjetër: “Një shok e pyeti Muhammedin a.s., ndaj kujt kam më së shumti obligim? Muhammedi, s.a.v.s, iu përgjigj: ”Ndaj nënës”. “E pastaj”?, pyeti ai. “Ndaj nënës,” u përgjigj Muhammedi a.s.. “E më pastaj”?, pyeti ai. “Ndaj nënës”, u përgjigj Muhammedi a.s.. “E pastaj ndaj kujt”? “Ndaj babës”!, u përgjigj Muhammedi s.a.v.s. (Buhariu).
Këto nuk janë fjalë të kota. I qartë është prioriteti i nënës. Nëna me vështirësi na mbanë 9 nëntë muaj në barkun e saj, me vështirësi na lind, me vështirësi, por edhe me durim dhe dashuri të pafund na jep gji dhe na fut në jetë, na bënë të bukur e të edukuar, të shëndoshë e të ditur: “Ne njeriun e kemi urdhëruar për sjellje të mira ndaj prindërit të vet, sepse nëna e vet atë e barti me mund pas mundi dhe pas dy viteve ia ndau gjinin, (e porosityëm) Të jesh mirënjohës ndaj Meje dhe ndaj dy prindërve tu, pse vetëm tek Unë është kthimi juaj”. (Lukman, 14)
Është i shkëlqyeshëm shembulli një njeriu që bënte tavaf rreth Qabes dhe e mbante në shpinë nënën dhe fliste: “Unë jam deveja e saj e dëgjueshme”. Kur e përfundoi i tha Ibn Omerit r.a.: “E kam bartur më shumë se ajo që më barti mua. Çka mendon, a ia kam larë borxhin?” Ibn Omeri r.a. iu përgjigj: “Jo, jo, as sa një psherëtimë”. (Buhariu). A ekziston mënyrë e cila e ngre nënërinë në shkallë më të lartë? Pyes, a ekziston ndonjë nënë e cila nuk dëshiron të jetë e para sipas vlerës te fëmijët e saj, menjëherë pas Allahut xh. sh. dhe Pejgamberit të Tij. Nuk ekziston! Por, a është në realitet ashtu? A mos vallë sistemi që po e largon sistemin islam nga skena e jetës e trajton nënën më mirë se Islami? Praktika e këtyre viteve tregon se shtëpitë e pleqve do të jenë përplotë me pleqë muslimanë për shkak të qëndrimit të fëmijëve të tyre joislam ndaj prindërve.
Femra në islam gëzon të drejtat e plota dhe të pakontestueshme: të drejtat politike, ekonomike, kulturore, shoqërore. Por, mbi të gjitha, femra në islam gëzon atë që femra nuk e ka tjetërkund: kujdesin e mirëfilltë shpirtëror të mashkullit prej nëne, gruaje dhe edukatoreje. Muhammedi a.s. në një hadith pohon:
”Më të mirët në mesin tuaj janë ata që sillen më së miri ndaj grave të tyre”. (Tirmidhiu, hasen-sahih).
“Kjo botë është kënaqësi, kurse kënaqësia më e mirë e kësaj bote është gruaja e mirë dhe e ndershme”. (Muslimi)
Le t’i analizojmë shtruar të mirat dhe pasojat që ofron Tetë (8) Marsi për femrën, le t’i kundrojmë historikisht dhe juridikisht, le t’i analizojmë jo në kontekstin evropo-centrist dhe kristo-centrist dhe do të shohim se jeta e shfrenuar, jeta degjeneruese e femrës perëndimore sot është pikërisht pasojë e vetë Evropës dhe i mësimit të saj.
Mund të përfundojmë! Islami si fe dhe kulturë, si politikë dhe qytetërim, femrës i ofron të ruajë femërinë e saj, nënës i ofron ta ruajë nënërinë e saj, vajzës i ofron ta ruajë vajzërinë e saj. Femra në Islam mbrohet dhe nderohet tërë jetën e jo vetëm një ditë në vit - për 8 Mars; të drejtat e saj duhet të kujtohen gjithnjë e jo vetëm njëherë në vit dhe jo në mënyrën më çoroditëve të mundur. Ndaj femrave, e sidomos ndaj nënës, duhet të sillemi me kujdes dhe respekt. Sjellja e mirë ndaj nënës është kusht për hyrje në xhennet, kurse sjellja e mirë ndaj femrave na bënë muslimanë të mirë dhe të nderuar. Kush përpiqet të sillet në këtë mënyrë nuk i nevojitet Tetë Marsi, ndërsa atyre që ofrojnë alternativë në vend të jetës islame, rezultati është: armiqësi dhe urrejtje në familje, shkelje martese, shtëpitë e pleqve, largimi i burrit dhe gruas dhe prindërve dhe fëmijëve nga njëri-tjetri. Të gjithë ata që edhe pas të gjitha këtyre gjerave preferojnë Tetë Marsin, qofshin me Tetë Marsin, por në greminë, në këtë dhe në botën tjetër.
Muslimanët e trojeve shqiptare para shumë shekujve kanë ditë të zgjedhin mënyrën më të mirë të jetës materiale dhe shpirtërore. Pra, mos i nëpërkëmbni stërgjyshërit dhe prindërit tuaj, duke imituar pavlera që servohen nga të katër anët e botës. Ju keni Islamin për shembull dhe kush tenton të gjejë diç tjetër jashta tij, do të humbet.
“O Allah, vetëm Ty të adhuroj dhe vetëm nga Ti ndihmë kërkoj”!
(P.S.: Qëllimi i shkrimit nuk është të shtrojë qëndrimin e Islamit rreth femrës, sepse për këtë nevojitet hapësirë dhe kohë tjetër, por vetëm të prekë disa çështje kalimthi. Të interesuarve ju preferojmë literatureë me bollëk në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të tjera.)