Përkujtoni kur All-llahu ua premtoi njërin prej dy grupeve se është i juaji, e ju dëshironit t'ju takojë ai (grup) i paarmatosur, ndërsa All-llahu dëshiroi që me premtimet e Tij ta vendosë të vërtetën e ta zhdukë në themel mbeturinën e mohuesve.
Ta forcojë të vërtetën e ta çrrënjosë të kotën, edhe pse këtë e urrejnë kriminelët.
Përkujtoni kur kërkuat ndihmë prej Zotit tuaj, e Ai u është përgjigjur: “Unë do t'ju ndihmoj me një mijë engjëj që vijnë një pas një (grup pas grupi).
All-llahu nuk e bëri atë (ndihmën) për tjetër, vetëm t'ju gëzojë (t'u japë myzhde) dhe për t'i forcuar (qetësuar) me të zemrat tuaja, pse ndihma në realitet është vetëm prej All-llahut. All-llahu është mbizotërues dhe i urtë.
Dhe kur Ai ju kaploi me një kotje (gjumë) që ishte siguri për ju nga ana e Tij, ju lëshoi shi nga qielli për t'ju pastruar me të, largoi prej jush të shtimet e shejtanit, e që të fuqizojë bindjen në zemrat tuaja dhe t'ju përforcojë me të (me shi) këmbët tuaja.
Edhe kur Zoti yt u kumtoi engjëjve se: “Unë jam me ju, pra, inkurajoni ata që besuan! Unë do të hedh frikë në zemrat e atyre që nuk besuan, e ju goditni në qafë e lartë, mëshonju atyre në çdo gjymtyrë (gishtërinj).