Falënderimet dhe lavdërimet i takojnë vetëm Allahut xhele shanuhu, salavatet qofshin mbi të Dërguarin e Tij, Muhamedin salallahu alejhi ue selem, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë muslimanët që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Itikaf do të thotë të izolohesh në xhami për ta adhuruar Allahun subhanehu ue teala. Për praktikimin e itikafit ka argumente në Kuran, Sunet dhe në konsensusin e dijetarëve. Në Kuran, Allahu subhaenhu ue teala thotë: “...Dhe Ne urdhëruam Ibrahimin dhe Ismailin që ata ta pastronin Shtëpinë Time (Kabën) për ata që sillen rreth saj (duke bërë tavaf), (për ata) që rrinë atje dhe ngujohen (në itikaf), (për ata) që përkulen (në ruku për Allahun) e që bien me fytyrë në tokë (në sexhde atje për Allahun gjatë faljes).” (El Bekare, 125)
Gjithashtu thotë: “... Dhe mos iu afroni atyre (grave), kur jeni në itikaf në xhami...” (El Bekare, 187)
Sa i përket Sunetit, ekzistojnë hadithe të shumta, siç është hadithi i Aishes, Allahu e mëshiroftë, e cila ka thënë se i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem bënte itikaf në dhjetë ditët e fundit të Ramazanit, derisa Allahu ia mori shpirtin (d.m.th. derisa ndërroi jetë), ndërsa gratë e tij bënin itikaf pas vdekjes së tij salallahu alejhi ue selem. (Buhariu 2026 dhe Muslimi 1172)
Kurse sa i përket konsensusit të dijetarëve, shumë prej dijetarëve kanë cekur se dijetarët janë unanimë se itikafi është i lejuar me Islam. Këtë e kanë thënë Imam Neveviu, Ibn Kudame, Ibn Tejmija etj.
Shejh Bin Bazi ka thënë: “Nuk ka dyshim se itikafi në xhami është prej adhurimeve, kurse në muajin e Ramazanit është edhe më mirë, edhe pse itikafi është i lejuar në Ramazan dhe jashtë Ramazanit.” (Mexhmu Fetava 15/437)
Hukmi i itikafit
Itikafi është sunet dhe nuk është uaxhib (farz), përveç nëse dikush betohet se do të hyjë në itikaf. Në këtë rast obligohet të hyjë në itikaf. Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Ai i cili betohet se do ta adhurojë Allahun, le ta adhurojë Atë, kurse ai i cili betohet se do t’i bëjë mëkat Allahut, mos ta bëjë atë mëkat.” (Buhariu 6696)
Gjithashtu transmetohet se Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, i ka thënë Pejgamberit salallahu alejhi ue selem: “O i Dërguar i Allahut, unë jam betuar në xhahilijet (kohën e injorancës) se do të hyj në itikaf një natë në Qabe.” Pejgamberi salallahu alejhi ue selem i tha: “Përmbushe premtimin tënd.” Buhariu 6697.
Ibn Mundhiri në librin e tij el Ixhma (f:53), ka thënë: “Dijetarët janë unanimë se itikafi është sunet dhe nuk i obligohet njerëzve si farz, përveç nëse njeriu ia obligon vetes së tij, nëse betohet.”