Reis ul Ulemaja e bekoi Mirdi Limanin. Të hënën më 03 Janar 2011, me fillimin e ditës së parë të këtij fillim viti, Kampioni i shtatëfishtë në Kick-boks Mirdi Limani, vizitoi Reis ul Ulemanë H. Sulejman ef. Rexhepi në zyrat e Rijasetit të Bashkësisë Fetare Islame në Republikën e Maqedonisë.
Mirdi Limani është një Kick-Boksier i mirënjohur shqiptar nga Struga,i cili luftërat e tij ndërkombëtare i zhvillon nën flamurin Kombëtar Shqiptar.
Ai ështe shpallur 7 herë Kampion Botëror në 4 versione të Kick-Boksit. Ai momentalisht jeton dhe vepron në Frankfurt të Gjermanisë, por gjatë festave të fundvitit ishte në vendlindje dhe gjatë qëndrimit të tij në gjirin familjar, shprehu dëshirën që vizitën e parë për këtë vit t’ia bëjë pikërisht njeriut të parë të Fesë Islame në vend, H. Sulejman ef. Rexhepit.
Për shkak të besimit të tij të paluhatshëm që ka në Allahun e Plotfuqishëm, në këtë takim Reis ul Ulemaja i dhuroi Mirdiut një përkthim të librit të shenjtë Kuranit Famëlartë si dhe një mirënjohje në emrin e BFI-së, duke i dëshiruar atij edhe shumë fitore dhe tituj të tjerë gjatë karierës së tij.
“Allahu i Plotfuqishëm u bekoftë dhe u dhëntë fuqi dhe energji që të korrni edhe shumë fitore të tjera në karierën tuaj”, i tha Reis ul Ulemaja mes tjerash, duke shtuar: “Ju jeni krenaria e Kombit tonë dhe dinit islam. Ju jeni një pasuri e rrallë për kombin, pasiqë të gjitha ndeshjet dhe fitoret tuaja i keni bërë nën flamurin kombëtar dhe kjo na bën krenarë si në aspektin kombëtar ashtu edhe në aspektin fetar”.
Nga ana tjetër, Mirdiu e falënderoi Kreun e BFI-së Reis ul Ulemanë për mikpritjen dhe uratat e përzemërta.
“Kjo shtëpi e madhe e Allahut Fuqiplotë gjithmonë ka qenë e hapur për të gjithë. Si për sportistët ashtu edhe për njerëzit e varfër apo për nevojtarët. E ndjej një obligim të veçantë që tu falënderohem nga zemra për gjithë kontributin që po e jepni në vazhdimësi. Dhëntë Allahu Fuqiplotë që të vazhdoni të mbani dyert e hapura dhe në për to të kalojnë edhe shumë kampionë të tjerë”, tha mes tjerash kampioni i shtatëfishtë Mirdi Limani.
Përndryshe, Mirdi Limani është një besimtar i denjë dhe çdo ditë bën faljen e pesë namazeve, ndërsa para meçeve ai gjithmonë bën duanë dhe lutjen.
Më poshtë janë titujt e fituara nga Mirdiu
Titujt
WKA Kampion i Gjermanisë në vitin 1997
WKA Kampion intern. i Gjermanisë në vitin 1998
WKA Kampion Europian në vitin 1999
WKA Kampion Interkontinental në vitin 2000
WKA Kampion Botëror në vitin 2001
WKA Kampion Botëror në vitin 2002
WTKL Kampion Botëror në vitin 2003
WMAO Kampion Botëror në vitin 2004
ISKA Kampion Botëror në vitin 2006
(BIM)