Ministri izraelit për Zhvillimin rajonal Silvan Shalom shprehu sot
shqetësimin për rrezikun e favorizimit të një rritjeje të islamizmit në
Tunizi pas rrëzimit të presidentit Zejnel Abidin Bin Ali.
“Komuniteti ndërkombëtar kishte preferuar të mbyllte sytë përpara
shkeljeve të të drejtave të njeriut në kohën e regjimit të Zejnel Abidin
Bin Ali,. Sigurisht sot ekziston një shqetësim i madh për fuqizimin e
lëvizjeve islamike të nxjerra jashtë ligjit”, deklaroi në radion
ushtarake Shalom, zëvendës i kryeministrit Benjamin Netanjahu.
Shalom, edhe vetë i lindur në Tunizi, kujtoi pritjen e shkëlqyer që i
kishte rezervuar Ben Ali në nëntor 2005 gjatë një vizite në Tunizi, ku
ai mori pjesë në një konferencë si shef i diplomacisë izraelite.
Të dy vendet kanë shkëmbyer në vitin 1994 “zyra interesi”, aktiviteti
i të cilave është bllokuar me iniciativën e Tunizit, në shenjë proteste
kundër represionit të Intifadës palestineze. Megjithatë, Tunizia
autorizon vizita të izraelitëve në vend.
Izraeli nuk dha asnjë reagim zyrtar pas rrëzimit të presidentit
tunizian, i cili u largua nga vendi nën presionin e një manifestimi
popullor të paprecedentë, ndërkohë që Lidhja Arabe dhe disa grupe
islamike e përshëndetën kryengritjen e popullit të Tunizisë.
Krijimi i partive me baza fetare është i ndaluar me ligj në Tunizi
dhe regjimi i presidentit Zejnel Abidin Bin Ali, njihej si i prerë ndaj
islamikëve.
(TRT)