Tregohet se
Hamid El-Efaf një të premte dëshiroi të
shkojë të fal namazin e xhumasë, por, për një moment, u gjend në dilemë
se si të veprojë… Kafsha i kishte humbur, mielli i kishte mbetur në
mulli, ndërsa, për fat, radha e tij për të ujitur fushën ishte mu në
kohën e xhumasë.
Filloi të mendojë: “Nëse shkoj në xhami do t’i lë pas dore të gjitha
punët.” Pastaj, vete me vete, tha: “Punët e Ahiretit janë më të mira
dhe të përhershme.”
Shkoi të fal namazin e xhumasë duke mos e çarë kokën për punët e kësaj dynjaje.
Pasi që fali namazin dhe u kthye në shtëpi, vërejti se fusha e tij ishte e ujitur!
Në ahur pa kafshën që ishte kthyer në shtëpi, ndërsa kur hyri në shtëpi
pa se gruaja e tij gatuante bukë nga mielli që sapo kishte dalë nga
mulliri!
Ai, i habitur, e pyeti gruan për këtë, ndërsa ajo i tha:
“Dëgjova një zhurmë jashtë shtëpisë, ndërsa kur dola pashë një hienë që
drejtonte kafshën tonë derisa hyri në ahur. Njeriu që është afër fushës
sonë, derisa e ujiste fushën e tij, e kishte zënë gjumi, ndërsa uji
kishte ujitur edhe fushën tonë. Njëri nga fqinjët kishte pasur miell në
mulli, por në vend se të marr miellin e tij, kishte ndërruar qesen e tij
me tonë, ndërsa kur kishte shkuar në shtëpi kishte vërejtur se i kishte
ndërruar qeset, e kishte sjellë qesen tonë dhe e kishte lënë para derës
sonë.”
Hamidi me mirënjohje drejtoi shikimin drejt qiellit e tha:
“O Zoti ynë! Unë ndaj Teje kreva vetëm një obligim, ndërsa Ti ma ktheve duke m’i kompensuar tre nga obligimet e mia!”
Mesazhi:Një sakrificë e kryer në emër të Zotit dhe me plotë sinqeritet, jo se i
pakëson disa të mira që lihen për hir të saj, porse, ajo sjell me vete
edhe shumë të mira të tjera, duke i plotësuar, herë do kurdo, edhe
veprat e lëna anësh.
(Breziiri)