Rrëzimi i presidentit tunizian, Ben Ali, nën presionin e rrugës
kushtetuese përbën një paralajmërim për regjimet autoritare që dominojnë
botën arabe, përballë popullsive në prag të problemeve të ngjashme me
ato të tunizianëve, nënvizojnë specialistët.
Një shaka që qarkullon në Kajro jep tonin e ‘’rrugës arabe’’:
‘’Aeroplani i Ben Ali mbërriti në Sharm el-Sheikh (rezidenca e
presidentit egjiptian, Hosni Moubarak në Detin e Kuq) jo për të
qëndruar, por për të sjellë sa më shumë pasagjerë!».
‘’Revolucioni Jasemin» tunizian është e para kryengritje popullore e
këtij lloji që arrin të rrëzojë një president në një vend arab. Ky
revolucion mund të jetë një burim frymëzimi për vendet tjera të
rajonit», theksoi Amr Hamzawi nga Qendra për Lindjen e Mesme e
fondacionit amerikan Carnegie.
Problemet me të cilat përballet Tunizia janë gjithashtu të pranishme
edhe në vende të tjera, nga Maroku në Algjeri, nga Egjipti në Jordani,
ku bëhet fjalë për papunësi, shtypje policore apo pengesa për
demokraci’’, nënvizoi ai.
‘’Shembulli tunizian tregon se ndryshimi mund të vijë nga vetë
shoqëritë arabe. Nuk ka nevojë për një pushtim si rasti i Irakut. Ky
është një mësim i madh për regjimet autokratike’’, theksoi Hamzawi.
«Jehona e kësaj ngjarjeje të pazakontë në botën arabe do të dëgjohet
padyshim në ndonjë vend tjetër të rajonit’’, shton ai për të përditshmen
libaneze ‘’An-Nahar’’.
Nga e premtja në mbrëmje, dhjetëra egjiptianë i janë bashkuar në
Kajro një grupi tunizian që festonte para ambasadës së tyre për largimin
e presidentit, Zine El Abidine Ben Ali, pas 23 vjetësh në pushtet.
«Dëgjoni tunizianët, është radha juaj egjiptianë», thërrisnin
manifestuesit. «Politika në Lindjen e Mesme vërshon shumë lehtë në një
vend tjetër për shkak të kufijve porozë dhe kulturës së përbashkët’’,
theksoi Bilal Saab, studiues në Universitetin e Maryland, në lindje të
SHBA-së.
Në Algjeri, përleshje të përgjakshme kanë ndodhur gjithashtu në
muajin janar, për shkak të rritjes së çmimeve të prodhimeve ushqimore
bazë.
Në Jordani, mijëra persona manifestuan në disa qytete për të
protestuar kundër papunësisë dhe inflacionit, por gjithashtu për të
kërkuar rrëzimin e qeverisë.
‘’Por, edhe pse porosia e ardhur nga Tunizia është pritur me shumë
zëra në pjesën tjetër të botës arabe, ndikimi i saj për një kohë të
shkurtër dhe rreziqet e përhapjes mbeten të vështira për t’u
vlerësuar’’, nënvizojnë disa specialistë. Pasiguritë që ekzistojnë akoma
për tranzicionin tunizian nxisin gjithashtu durimin’’, vlerësojnë ata.
«Porosia tuniziane është shumë e fortë. Por, të dish se çfarë ka
ndodhur, kjo mund të ndodhë edhe në vende të tjera, por në Algjeri dhe
në Egjipt mbetet e vështirë’’, theksoi Amr al-Chobaki nga Instituti
Al-Ahram në Kajro.
Rreziku për të parë islamikët të përfitojnë nga ndryshimet politike
është përmendur gjithashtu nga këto qeveri. Tunizia është një vend ku
regjimi nuk i lë asnjë hapësirë shoqërisë civile apo opozitës, ndërkohë
që në Egjipt, sistemi di të menaxhojë ‘’valvulet’’ e vogla që u
mundësojnë njerëzve të shfryhen dhe të vonojnë një shpërthim social. Për
Claire Spencer, shef i programit për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e
Veriut nga Instituti ‘’Chatham House’’ në Londër, ‘’mundësia që Algjeria
të ndjekë revolucionin tunizian mbetet një pikëpyetje e madhe’’.
«Mundësia e regjimeve arabe për të rimarrë iniciativën, pasi janë
përballur me prova, lë për të dyshuar’’, nënvizoi në stacionin televiziv
‘’France 24’’, Zaki Laidi, drejtor i studimeve në ‘’Sciences-Po
Paris’’. (AFP)